Luan Myftiu tregon ballafaqimin me galerinë dhe punën e rëndë në Spaç dhe si, megjithëse iu kërcënonte çdo ditë jetën, galeria iu dukej e ëmbël kur mendonin se për t’i shpëtuar asaj, duhet të bëheshin të poshtër
Nga Luan Myftiu
Grykat e galerive të minierës së bakrit, si njollat e zeza në kozmos, qëndronin të hapura ditë e natë për të përpirë në rropullitë e barkut të tyre skllevër të kohërave moderne. Mësova se puna aty qe shumë e vështirë, se për kushte pune as që mund të bëhej fjalë, se mosrealizimi i normës nga të dënuarit kishte pasoja të rënda për ta dhe se për atë mosrealizim ndëshkoheshin që të tre pjesëtarët e grupit që punonin në front. Do të futeshe, pra, në “varrezë” jo vetëm me kokën në torbë, por edhe me përgjegjësinë e ndëshkimit të shokëve të tu të punës, për shkak të paaftësisë tënde. Roja e punës që të merrte në ngarkim si punëtor te porta e hekurt e numërimit, të konsideronte të ri e të shëndoshë. Ndërkohë unë isha krejt i hutuar, pa shprehi pune dhe kockë e lëkurë. Puna e sforcuar dhe me kushte të rënda bënte pjesë në format e dhunës për shkatërrimin e të dënuarve. Në minierë kish zona dhe fronte me temperaturë mbi 40 gradë celsius, lagështi të vazhdueshme, gazra të minave të plasura, shina të prishura dhe vagonë të rëndë dytonësh. Asnjë martel me ujë, asnjë lopatë vetëngarkuese. Njerëzit ngjiteshin si thnegla nëpër tunelet e ngushta me shkallë të dëmtuara e gjithë baltë nga ujërat që rridhnin brenda malit. Ata merrnin me vete një kapelë minatori, një kandil primitiv me karbit dhe një lopatë.
Të dënuarit në minierë punonin gati lakuriq dhe me një shpejtësi që të habiste. Ata donin ta përfundonin punën sa më shpejt, të strukeshin pastaj diku që t’i shpëtonin ndonjë shembjeje masive, a hekurave të policit të brigadës, i cili priste jashtë në barakë të dhëna nga brigadieri i dënuar që ishte njeriu i komandës.
Porosia e diktatorit që “Armiqtë të mbahen vazhdimisht në punë të rënda fizike”, këtu qe kuptuar thellë dhe qe kthyer në një mjet “riedukimi”. Duke lozur kukafshehtas me vdekjen dhe duke e sfiduar atë nëpër galeritë e errëta të minierës, të dënuarit i krijonin vetes iluzionin se ishin të lirë.
Varfëria dhe mjerimi qenë të tillë sa kish njerëz që nxirrnin gjak nga goja, të sëmurë në mushkëri, të cilët i luteshin mjekut t’i lejonte të dilnin në punë.
Të gjithë, kur niseshin në punë, përshëndeteshin me shokët me atë lamtumirën e ushtarit që niset në luftë.
Në qoftë se prej galerisë vinte lajmi nga brigadieri se diku rrezikohej dalja e plotë e mineralit, atëherë të tre pjesëtarët e grupit të atij fronti duhej të dilnin jashtë, të gjente secili nga një tel dhe të paraqiteshin te polici i brigadës. Ky u lidhte nga një gur të rëndë në duart e kryqëzuara mbrapa dhe ata duhej të qëndronin ashtu në këmishë e mbathje gjithë natën jashtë, duke pasur punë me erën e ftohtë të përroit. Dhe të mendosh se kishte raste që temperatura mbërrinte deri në minus 20 gradë Celsius, ndërsa këta të gjorë, kur “turni” pas pune kthehej në kamp, u duhej të vraponin nëpër monopate të pjerrëta të malit për t’u shpëtuar shkelmave të policëve, që, për t’u zbavitur, i ndiqnin pas. Me anë të punës, komunistët përpiqeshin ta kthenin njeriun në kafshë. Sado që e kishin shpallur formalisht punën e të dënuarit si kriterin themelor të vlerësimit të shkallës së tij të pendimit, në të vërtetë as që pyesnin për të dhe shpesh komisari i kampit ulërinte se nuk i duhej puna, por disiplina, d.m.th. shkalla e nënshtrimit. Sado që në kamp dhuna dhe terrori qenë të hapura, orientimet që vinin nga “lart” e detyronin personelin e komandës të montonte artificialisht ca forma marrëdhëniesh me të dënuarit që tingëllonin fare qesharake. Në një kohë që i dënuari, po të mos plotësonte qoftë edhe një ditë plan-detyrën dënohej rëndë, i kërkohej të angazhohej para “kolektivit” se do të tejkalonte normën. Dhe ky angazhim kërkohej në prani të shumë policëve, që qëndronin me kamzhikë në duar brenda në sallë. Mjerë ai që nuk pranonte të betohej. Nga gazrat e minierës të dënuarve u merreshin mendtë, u përzihej dhe u dhimbte vazhdimisht koka. Pothuaj të gjithë vuanin nga një mungesë kronike oreksi. Një ditë pushim qe një ditë e garantuar. Në ndërgjegjen e terrorizuar të kampit qëndronin akoma të gjallë shokët e zhdukur në thellësitë e malit. Ata vuanin tek i shihnin shokët të gjymtuar nga gurët që binin prej tavaneve të paarmuara të galerive të minierës.
Njerëzit që s’e përballonin dot këtë torturë, këtë poshtërim dhe i trembeshin kësaj vdekjeje të llahtarshme në këtë varr të hapur, kryenin autolezione, ndonëse e dinin se pas mbarimit të raportit mjekësor, do të futeshin aty përsëri. Ata që s’kishin zemër për një gjë të tillë, u luteshin shokëve t’u thyenin krahun a këmbën duke ia qëlluar me dru a gur të rëndë. Meqë tensioni i lartë i gjakut të përjashtonte nga miniera shumë e provokonin vetë, duke ngrënë kafe të bluar a duke pirë duhan të përzier me sheqer si dhe duke kapërdirë vitamina PP.
Punët e lehta me shpërblim ishin të pakta, prandaj midis të dënuarve që i shërbenin komandës, zhvillohej luftë. Ata i fusnin njëri-tjetrit leva hekuri në dyshekun prej kashte dhe shkonin e raportonin policinë. Dhe ajo duhej t’i rrinte për vdekje të dy palët që të mund të gjente fajtorin. Por, përgjithësisht, më shumë fitonte ai që tregohej më i zellshëm në shpifjet ndaj njerëzve të ndershëm, shpifje për të cilat komanda kish shumë nevojë, sepse krijonte përçarjen midis të dënuarve dhe mbante të ngritur tensionin. Ata që ngulnin këmbë të mos punonin, pasi ndëshkoheshin radhazi me 2-3 muaj birucë, dërgoheshin në burgun e Burrelit, ku takoheshin me ajrin dhe dritën vetëm 2 orë në ditë.
Kish raste kur shokët e grupit të punës nuk të ndihmonin ta ngrije vagonin dytonësh, që kishte dalë nga shinat e dëmtuara. Ata, madje, të përmendnin me përçmim se ishe armik i Partisë dhe i Pushtetit, prandaj, ashtu siç kishe ditur ta kryeje atë krim, duhej ta ngrije vetë vagonin e rrëzuar. Veten e tyre ata e quanin “të gabuar” që u duhej t’ia shlyenin partisë me punë mosmirënjohjen e tyre; me punë dhe duke na urryer ne, të deklasuarit, armiqtë e mirëfilltë të revolucionit. Vetëm duke kujtuar vuajtjet e apostujve të fesë, njeriu mund t’i kapërcente me qetësi fyerje të tilla.
Sa e tmerrshme të dukej hyrja e galerisë, kur e shihje nga larg me mendimin se mund të hyje në të, aq e sigurt dhe miqësore të shfaqej, kur caktoheshe të punoje atje. Vetëm ideja se që t’i shmangeshe asaj, duhej të bëheshe i poshtër, të shkaktonte një turbullim që e bënte të ëmbël edhe vdekjen, jo më galerinë, nga e cila shihje si hynin e dilnin çdo ditë qindra.
Dhe ky përfytyrim i mirë për të nuk të prishej, edhe kur shihje arkivolin e një të dënuari që priste jashtë galerisë ku gjendej trupi i tij, që kishte humbur në fund të qindra tonëve mineral. Bukur e thotë fjala e urtë e popullit: “Turpi është më i rëndë se kordha”. Frika e turpit e bënte njeriun të mësohej me idenë e vdekjes. Sa njerëz duhet të jenë bërë heronj nga frika e një vdekjeje morale. Edhe në shkallën e fundit të mjerimit njeriu gjen forca për t’i kërkuar një kuptim jetës së tij. Kur dilje nga thellësia e errët e malit, i çliruar nga ankthi i pavetëdijshëm që të shkaktonte frika e fshehtë se mund të bëheshe pre e masave të dheut, të tronditura nga minat e vazhdueshme, e ndieje veten krenar që kishe mundur ta fitoje ndershmërisht një ditë jetë. Një ditë jetë për vete dhe për të tjerët, për ata që përlesheshin jashtë me ligësinë për të të ndihmuar ty brenda, në burg, dhe që e kishin bërë këtë qëllim të jetës së tyre. Dhe ky zinxhir qëllimesh nuk duhej të këputej brenda kësaj dhimbjeje të madhe që kish shkaktuar diktatura. Ndoshta edhe ky “zinxhir” ndihmoi që njerëzit të mbijetojnë.
Brenda malit njerëzit qenë përgjithësisht më të mirë. Ata zhvisheshin aty nga shumë tipare të egoizmit dhe bëheshin më të thjeshtë. Përgjithësisht aty mbizotëronte një solidaritet i natyrshëm njerëzor që të prekte. Kontakti me vdekjen ia heq njeriut shumë nga ambicjet dhe ligësitë. Në galeri njerëzit ishin si në një varrezë, ku në heshtje ndiejnë se në këtë botë janë të përkohshëm.
Mjerimi mund të prodhojë njerëz me shpirt të madh me po atë lehtësi që nxjerr edhe njerëz shpirtvegjël, madje dhe të poshtër. Mallkuar qoftë komunizmi që e ndoti shekullin e njëzet me utopinë e tij çnjerëzore!
Dhe kur, për shkak të neverisë ndaj punës së detyruar, në dëshpërim e sipër, të dënuarit arrinin të mohonin veten, duke iu drejtuar rojeve që t’i vrisnin në mes të ditës me diell, komunistët shqetësoheshin. Vetëvrasjen ata e dënonin si protestë ndaj skllavërisë moderne që kishin krijuar dhe burgun ata e kishin parcelë eksperimentale, ku provonin në praktikë se deri ku e duron natyra njerëzore dhunën e privacionin. Dhe ata merrnin masa të zbutnin këtë dhunë e t’i pakësonin këto privacione në një drejtim për t’i forcuar e shtuar në “parcela” të tjera, aty ku natyra e njeriut qe më shumë rezistente.
Marrë nga libri “Nën terrorin komunist” të Luan Myftiut, botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2014
Imazhet, skica të artistes Ina Elezi, nga ekspozita "Jeta në burgun e Spaçit", projekt i harta e kujteses.al, realizuar me ndihmën e KAS Albania