Procesi ndaj Koçi Xoxes/ Kur pranoheshin vrasjet pa gjyq dhe torturat

0
2

Të rralla janë rastet kur akuzat e viktimave të komunizmit vërtetohen nga vetë persekutorët. Një nga këto raste është procesi i vitit 1949, ndaj Koçi Xoxes, Vaskë Kolecit, Pandi Kristos, Vangjo Mitrojorgjit dhe Nuri Hutës, ku të pandehurit kanë pranuar praktikat joligjore të ndjekura në vitet e para të diktaturës. Vaskë Koleci, deklaronte se kishte dijeni për “ekzekutime pa gjyq”, se metoda kryesore e hetuesisë kishte qenë tortura fizike, apo se ai kishte kryer, për një periudhë, edhe funksionin e prokurorit ushtarak, pa qenë kompetent dhe në atë seancë, dy persona ishin dënuar me vdekje dhe të tjerë me dënime të gjata burgimi.

 

Dosja nr. 1623, në gjashtë vëllime, në arkivin e AIDSSH-së, dokumenton procesin ndaj Koçi Xoxes, Vaskë Kolecit, Pandi Kristos, Vangjo Mitrojorgjit dhe Nuri Hutës (1949). Mes dokumenteve të këtij procesi gjenden edhe deklarime që lidhen me operacionin e Shkodrës, përdorimin e mjeteve joligjore dhe vrasjet pa gjyq në vitet e para pas vendosjes së pushtetit komunist.

Një prej tyre është procesverbali i deklarimit të Vaskë Kolecit, ish-funksionar i Sigurimit të Shtetit, i cili u gjykua në të njëjtin proces me Koçi Xoxen.

Koleci deklaron se në janar 1945, gjatë operacionit të Shkodrës, ishte dërguar nga Koçi Xoxe si i deleguar i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit dhe se kishte marrë prej tij direktivën për kryerjen e operacionit. Ai thotë se kishte dijeni për “ekzekutime pa gjyq”, të kryera nga forcat operuese dhe të drejtuara nga njerëz të Sigurimit të vendosur pranë reparteve.

Koleci deklaron gjithashtu se, lidhur me ekzekutimet gjatë operacionit, direktiva iu ishte dhënë atij dhe Zoi Themelit nga Koçi Xoxe. Ai thotë se nuk e mbante mend numrin e personave të vrarë në mënyrë ilegale, ndërsa për vrasjet dhe arrestimet, të ligjshme e të paligjshme, deklaron se me kërkesë të Koçi Xoxes ishin përpiluar lista statistikore, të depozituara në Seksionin IV të Drejtorisë së Sigurimit.

Një tjetër pjesë e procesverbalit lidhet me mënyrën e zhvillimit të hetimeve.

Koleci deklaron se në këto procese metoda kryesore e hetuesisë kishte qenë tortura fizike, duke përmendur rrahjet me dru, përdorimin e korrentit, privimin nga ushqimi dhe metodën e “jeleku”-t.

Në dëshminë e tij, ai përshkruan edhe një rast konkret ku torturat ndaj një të hetuari çuan në vdekjen e tij dhe, sipas deklarimit, më pas u ndërmor një veprim për ta paraqitur ngjarjen si vrasje gjatë një tentative arratisjeje. Koleci e lidh këtë rast me zbatimin e urdhrave që, sipas deklarimit të tij, kishte marrë nga Koçi Xoxe.

Një element tjetër i rëndësishëm i këtij dokumenti është dëshmia e Kolecit se, gjatë operacionit, ai kishte kryer për një periudhë të shkurtër edhe funksionin e prokurorit ushtarak, megjithëse, sipas vetë deklarimit të tij, si punonjës i Sigurimit të Shtetit nuk ishte kompetent ligjërisht për këtë funksion. Në atë seancë, sipas tij, dy persona u dënuan me vdekje dhe të tjerë me dënime të gjata burgimi.

Këto dëshmi janë pjesë e dokumentacionit të një procesi politik dhe gjyqësor të zhvilluar në vitet 1948–1949. Për këtë arsye, ato duhen lexuar në kontekstin e procesit dhe të verifikohen përmes dokumenteve të tjera të së njëjtës periudhë. Por pikërisht përmes tyre mund të shihet, në mënyrë konkrete, si përshkruhej nga vetë pjesëtarë të aparatit të sigurisë përdorimi i dhunës, torturës dhe ekzekutimeve jashtë procesit gjyqësor.

Koçi Xoxe (1911–1949), një nga drejtuesit kryesorë të pushtetit komunist në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, ishte drejtues i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, strukturë nga e cila do të zhvillohej më pas Sigurimi i Shtetit. Ai mbajti poste të larta shtetërore e partiake, përfshirë atë të ministrit të Punëve të Brendshme. U arrestua në nëntor 1948, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 11 qershor 1949.

Dokumentet e procesit të Koçi Xoxes, përfshirë dëshmitë e Vaskë Kolecit dhe Zoi Themelit, janë një burim për të studiuar mekanizmat e ushtrimit të dhunës shtetërore në vitet e para të regjimit dhe veçanërisht operacionet e zhvilluara në Shkodër dhe zonat përreth.

Ato na lejojnë të shohim jo vetëm vendimet dhe strukturat, por edhe praktikat e ndjekura në terren — dhe mënyrën se si ato u regjistruan më pas në dokumentet e vetë aparatit shtetëror.

 

Shënim:Teksti dhe fotot e brendshme janë marrë nga postimi i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) në faqen e tij zyrtare në Facebook. Në foton kryesore: Koçi Xoxe, gjatë gjyqit, burimi: Google.

 

S'KA KOMENTE