Neim Ceno i kryengritjes së Zhapokikës/ Tri dënime dhe humbja e jetës në burg

0
103

Neim Habib Ceno, lindur më 1.1.1913 në Gllavë të Tepelenës, me profesion arsimtar, me shkollë Normale, u dënua tri herë nga regjimi komunist dhe vdiq gjatë vuajtjes së dënimit në vitin 1972.

Në vitin 1945 u përfshi në një proces me 19 persona të tjera. U akuzua se kish hedhur parulla kundër pushtetit. Këshilli Gjyqësor Ushtarak Fier, me vendimin nr.140/159, datë 21.10.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi 2 vjet me kusht. Liria zgjati fare pak.

U arrestua më 4.10.1948. U akuzua në bazë të neneve 4 e 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946. 

Gjykata Ushtarake Gjirokastër, me vendimin nr.43, datë 11.7.1949, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 8 vjet privim lirie e punë të detyruar, për pjesëmarrjen në kryengritjen e Zhapokikës. U la në fuqi me vendimin nr.93, datë 6.8.1949 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. U lirua më 1.1.1956.

U arrestua më 20.2.1967. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë. Punonte punëtor krahu në ndërmarrjen pyjore. Ishte shprehur se në Shqipëri jetohej keq, ndërsa në vendet e tjera jetohej më mirë, se populli vuante për bukë, se pushteti po e ndalonte fenë e se duke prishur faltoret, një ditë do të binte.

Gjykata e Qarkut Vlorë, Dega Berat, me vendimin nr.4, datë 6.4.1967, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie, heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet dhe pagimin 25.2 lekë shpenzime gjyqësore. U la në fuqi me vendimin nr.71, datë 9.5.1967 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Vuajti dënimin në Repartin nr.309 Ballsh. Në gjendje në rënduar nga mëlçia u soll në pavijonin nr.7 të spitalit nr.2 Tiranë, ku edhe ndërroi jetë më 22.3.1972.

Më 20.9.2025 u zhvillua ceremonia e rivarrimit të eshtrave nga varreza e Tufinës në Gllavë të Tepelenës. Procedurat e rivarrimit u kryen me Bashkinë e Tiranës nga nipi i të ndjerit, Alizot Cenaj.

S'KA KOMENTE