Vrasja e Bardhok Bibës u shfrytëzua nga regjimi komunist për të goditur familjet nacionaliste dhe mbarë Mirditën antikomuniste me vrasje, burgosje e internime. Një dokument i publikuar nga kujto.al, ku Mehmet Shehu, dy ditë pas vrasjes së sekretarit politik, kërkonte ekzekutimin e 31 burrave mirditorë, tregon qartë që ato ekzekutime dhe dënime nuk kishin të bënin fare me vrasjen, por ishin një formë hakmarrjeje dhe raprezaljeje ndaj Mirditës.
Nga 9 deri në 11 gusht, brigada e Mbrojtjes së Popullit e përhapur në 24 fshatra të Mirditës, arrestoi rreth 300 persona.
Lekë Shtia, i ati i të cilit, ishte një nga të arrestuarit që më vonë u dënua me ekzekutim, ka treguar në emisionin “Histori me zhurmues” të Pandi Laços, terrorin e atyre ditëve në Mirditë.
“Unë jam Lekë Shtia, i biri Nikoll Bardhokut Bajraktarit. Babai është pushkatuar në 17 gusht 1949 në Qafë të Valmirit mbas vrasjes së Bardhok Bibës. Vrasja e Bardhok Bibës ishte një tronditje për mbarë Mirditën. Familja ime përjetoi një kalvar vuajtjesh. Është shumë e dhimbshme për t’u treguar, por mendoj se duhet të tregohet", ka thënë ai. I ati, sipas rrëfimit të Lekës, ishte burrë me emër, oficer me grada që kishte kishte marrë pjesë në disa luftëra, brenda dhe jashtë, por njëkohësisht ishte dhe një pinjoll bajraktari, një burrë me influencë që i ecte fjala. Kishte qenë oficer milicie, por gjatë regjencës ishte tërhequr. Në fund të luftës, kishte qenë partizan. Ai merrte pjesë në takime intelektualësh në Shkodër dhe kishte marrëdhënie të mira me një rreth të gjerë njerëzish. Kishte mik Tuk Jakovën dhe marrëdhënie shumë të mira me Bardhok Bibën…
"Më datën 11 gusht 1949 në Mirditë ndodhi hataja, jo vetëm në familjen time. Në 12.00 të natës rrethohet shtëpia. Kishte zbritur në Mirditë brigada e Nekës nën drejtimin e kolonel Zia Kampos dhe bënë arrestime në një kohë, në të gjithë Mirditën. Në shtëpinë time, arrestohet im atë dhe nëna i fsheh pistoletën. Arrestimi qe pa shumë zhurmë, zhurma erdhi më pas. Janë përdorur gjithë lloj torturash…nuk mund të përmenden, deri në shpërfytyrim”, ka thënë Leka.
Ai në atë kohë ishte vetëm 3 muajsh, por me anë të tregimeve të dëshmitarëve okularë, disa edhe familjarë të tij, e di mirë çfarë ka ndodhur. “Gjyqi u bë më 16 gusht në Rrëshen dhe ka zgjatur nga ora 8.00 deri në orën 14.00. Në gjyq, kanë qenë 24 vetë të pandehur. 24 vetë nuk ke kohë me i pyet as për gjeneralitetet. Gjithçka ishte montuar”, thotë ai.
Gjykata dënoi 14 veta me ekzekutim, 10 prej tyre me pushkatim dhe 4 me varje. Asnjë nuk kishte të bënte me vrasjen e Bardhok Bibës. Ata u vranë më 17 gusht në Qafën e Valmirit në sy të rreth 300 vetave, përfshirë gra.
“Në datën 17 i kanë nis. I kanë vu në makinë, lidhur me tela me gjemba, shtrënguar me darë. I çuan në Majë të Malthit. Nga Maja e Malthit, deri në vendin ku ishte vrarë Bardhok Bika, ishte, në atë situatë, 1 orë në këmbë në pikën e gushtit. Ishte vendosur të ekzekutoheshin në të njëjtin vend ku ishte vrarë Bardhok Biba… Ishte përgatit vend-masakra.
Në një lis ishin varur 4 litarë dhe afër tij ishin hapur... gropat. Dhjetë që ishin për pushkatim ishin buzë gropës. I varin ata të katërt, këta të dhjetë presin. Ishin mbi 300 vetë nga të gjithë katundet e Mirditës, mbledhë për të parë këtë skenë. I varin këta të katërt. Njërit nga ata, ishte burrë i madh, burrë i gjatë, i takojnë këmbët në tokë. Nuk po i dilte shpirti. Atëherë njëri nga ata xhelatët, e kap prej beli dhe e tërheq. I del shpirti në litar. Babai im ishte me të pushkatuarit. Është pushkatuar i fundit. Komandanti i skuadrës së pushkatimit me dy plumba nën sqetull, me pistoletë... binte në gropë (i ekzekutuari), tërhiqte tjetrin prapa. Kjo vazhdoi deri në të shtatin. Në të shtatin, i është bllokuar pistoleta. E ka hedhur pistoletën në gropë. Pistoletën e kam gjetur. I ka kërkuar një nëpunësi që ishte me automatik, shkurt, i ka thënë: Më jep armën! -Jo, i ka thënë ai, këtë e kam personale, nuk është armë ekzekutimi. Këto qëndrime nuk kanë munguar në Mirditë, edhe në momente kaq të frikshme. Atëherë është afruar një nëpunës i lartë, ka thënë: "Largohu se i ekzekutoj unë" dhe ka ekzekutuar tre të fundit. Duke mos qenë profesionist në ekzekutim, i fundit që ka qenë im atë, ka rënë gjallë dhe këta kanë nisur t’i mbulojnë me dhe. Ai ka bërtitur: Mos na mbuloni gjallë, se është marre për ju. Atëherë i kanë shkuar me automatik dhe e kanë vrarë. Kaq ka qenë si skenë. Këtu ka një moment. Nuk kishte ndodhur asnjëherë, të paktën nuk tregohej dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që nga ajo ditë, një fenomen i tillë natyror. Pas një ore, nga i nxehti i madh i gushtit, ka dalë një re, është ftohur dhe ka rënë borë. Është një realitet. Nuk është letërsi. Është një realitet dhe njerëzit e kanë treguar. Dhe pleqtë e kohës thoshin: As Perëndia nuk është dakord me një masakër të tillë! U vendosën në dy varre. Në varrin e vogël kanë futur 10 dhe në varrin e madh ata të katërt. Qëllimisht. I kanë mbuluar me dhe. Ajo gropë ka qëndruar ashtu për 44 vjet. Buzë asaj grope, sipër, është bërë lapidari i Bardhok Bibës”, ka treguar ai.
Pas arrestimit të babait, nënën e tij me 4 fëmijë, ku Leka ishte 3-muajsh, i internuan në Tepelenë.
“Kam një moment tragjik më shumë se sa me vrasjen e babait me internimin e nënës me ne fëmijët. Më datën 11 bëhet arrestimi, më datë 12 vijnë forcat dhe i thonë të mblidhte njerëzit dhe të nisej se do shkonin në Tepelenë. I thotë: “Ta lidh djalin, mandej vij me ju ku të doni”. Jo vetëm që nuk e lejuan, por i thyen djepin. Dhe mua më dridhet buza kur e kujtoj këtë fakt. Më lidh në një tjegull, se andej janë të mëdha tjegullat dhe ashku kemi shkuar deri në Tepelenë. Këmi qëndruar në kampin e Tepelenës deri në ’53-shin kur kam qenë gati 4 vjeç. Mbaj mend që kur jemi kthyer, ishte shkretuar shtëpia. Dhomën e burrave e kishin bërë zyrë”, tregoi Lekë Shtia.
Viktimat:
Të varur në litar: Preng Dedë Gjomarkaj, (Orosh), Pjetër Dedë Vila, (Kaçinar), Dodë Marka Biba, (Tenë-Kthellë), Pjetër Paloka, (Kaçinar).
Të pushkatuar: Nikoll Bardhok Bajraktari, (Rrëshen-Kthellë), Llesh Gjon Melyshi (Malaj-Kthellë), Ndrec Mark Ndoj, (Kaçinar), Nikoll Llesh Bajarktari, (Orosh), Gjokë Gjin Kaçi, (Bukmirë), Ndoc Gjetë Çupi, (Pshqesh-Blinisht), Bardhok Dodë Gjini, (Prosek-Kthellë), Gjergj Keç Beleshi, (Kthellë-Epër), Preng Shkurt Nikolli, (Orosh), Frrok Gjetë Mata, (Kaçinar).