“I japin ultimatum... një ditë, dy ditë, tre ditë. Edhe atij i kishin bërë tortura, që edhe kurrizin ia kishin djegur me shufrën e hekurit. I kishin vënë shufrën e hekurit në kurriz që ai të pranonte e të bëhej agjent i Sigurimit. Edhe nuk e pranoi. Atëherë u detyrua, edhe iku e shkoi në Greqi.”
Kujto.al sjell intervistën me një prej të internuarve të viteve të diktaturës. Muhamer Kape tregon kushtet e mjerueshme të jetës në internim, presionin që ka ushtruar Sigurimi mbi të dhe familjen e tij, për t'i kthyer në bashkëpunëtorë dhe torturat çnjerëzore që i kishin bërë xhaxhait para se ta pushkatonin... 40 vitet në internim të familjes Kape, deri në ditën kur u përmbys regjimi dhe atyre iu hoq nga shpina vula e turpit dhe persekutimit.
Intervista është pjesë e arkivës së familjes Doko.
Më poshtë, dëshmia e plotë:
Duke filluar që nga çlirimi i vendit, deri në ’90-ën, ne jemi të goditur nga sistemi, deri në pikën e fundit. Sistemi komunist, familjet që bënin një jetë normale ose një jetë pak të dalluar nga familjet e tjera, nuk i kishte qejf asnjëherë, sepse diskutohej se kjo familje nesër mund të nxjerrë filiza të tillë dhe të vijë koha që të rrëzohet sistemi komunist. Edhe ne përfundimisht jemi persekutuar deri më një. Nga '44-a e deri në ’48-ën, kur babai u fut në burg, është arrestuar 4 herë, për agjitacion e propagandë. “Pse ke thënë do vijë greku, do vijë gjermani, do vijë ky, do vijë ai, do vijë amerikani”? Këto ishin të pabaza asnjëherë. Me qëllim që gjithmonë të mbetej familja jonë në persekutim ose në shenjestrën për të na bërë të keqen nesër, ashtu si na ndodhi më vonë. Në nëntor të vitit 1949, vëllanë tonë, Hysni Kape e thërrasin për ushtar. Atëherë kur e thirrën për ushtar, nuk e futën në Degën e Brendshme që ta rekrutonin e të shkonte rekrut, e të shkonte ushtar, por e çuan në Degën Ushtarake, ku i kërkonin disa gjëra të pathëna fare, fare, që nuk kishin lidhje me këto që ai do të shkonte ushtar, nuk kishin lidhje fare. Por i kërkonin që, “xhaxhai im punonte kontrabandë dhe i kishin vënë një si pritë përpara”, që “Ti Hysni, të na tregosh se ku ka fshehur florinjtë xhaxhai yt”. E merr një hetues i Degës së Brendshme në hetuesi, dhe i thotë: “Ti Hysni, deri nesër në mëngjes, o do thuash ku i ka fshehur florinjtë Kasemi ose ty të pret o burgu o plumbi, por ti, deri nesër në mëngjes, të mos dukesh më këtu. Se si do të veprosh, do të vrasësh veten, do të arratisesh jashtë vendit, si do bësh?”, këto ia ka thënë oficeri i Sigurimit të Shtetit i Degës së Brendshme të Korçës. Na i ka thënë vëllai ynë vetë me gojë, kur erdhi nga Kanadaja, edhe thoshte kështu: “Unë po ta di se kush është ai oficer, i jap mijëra dollarë që ai më ka shpëtuar jetën”. Pavarësisht se ishte oficer Sigurimi, edhe pse bënte punën e Sigurimit, me të vërtetë ai në shpirt kishte qenë tamam njeri. Atëherë, meqë vëllai ynë shkoi në Greqi në nëntor të ’49-ës, në qeshor të ’50-ës, ne na internojnë si familje. Babi im ishte në burg për këtë arsye, xhaxhai im ishte internuar në Porto-Palermo të Himarës. Një xhaxha tjetër që merrej me peshkim në gjolin e Prespës, ishte me ne atje në Fier në internim, ishim 18 pjesëtarë familjeje.
Në 4 vitet e para, '50- '54, kemi ndejtur në Hekal të Mallakastrës, të internuar. Në ’54-ën, me një vendim qeverie, për të mos qenë të shpërndarë, se ishim të shpërndarë, në të gjitha fshatrat e Mallakstrës: Kishte 2 familje në Hekal, kishte në Çorush, kishte në Kurt, në Greshicë... ku t'i them unë, në të gjithë fshatrat e Mallakastrës. Në Aranitas, kishte familje nga ne që ishin internuar.
Në ’54-ën, me një vendim qeverie, na mblodhën në Shtyllas, me qëllim që të na kishin, sepse në fshat na bënte apel kryetari i këshillit, ndërsa atje ku na çuan, na e bënte apelin operativi i zonës, deri në ’54-ën. Në ’54-ën, na mblodhën atje. Babai ishte në burg, xhaxhai, ky që merrej me kontrabandë, ishte në Porto-Palermo.
Sa vjet u dënua babai?
Babai u dënua 4 vjet.
Për çfarë?
U dënua 10 vjet për agjitacion dhe propagandë, por për arsye se nuk kishte lidhje me asnjë, si mund të them, me asnjë grup diversantësh, nga 10 ia bënë 4. Bëri 4 vjet dhe ka dalë babai nga burgu, në ’53-shin. Ne ishim në Hekal të Mallakastrës, të internuar.
Si ishte jeta në Shtyllas, ku jetonit?
Në Shtyllas, kur vajtëm fillimisht, mblodhën pjesën tonë më të madhe. Ishin 100 e ca familje, që u mblodhën nga Mallakastra, nga Lushnja, nga kampet e Lushnjes. Ishim një pjesë që na mblodhën në një vend, gati 80 e ca familje brenda ish-kampit të të burgosurve. Iku kampi i të burgosurve, erdhën ata të Radostinës, një fshat i rrethit të Fierit. Ne na futën nëpër baraka. Ne, si familje, që ishim 18 pjesëtarë, na kanë futur në një kasolle që kishin vënë atë motorin e dritave, një motorist që ndizte dritat. Ajo ishte vetëm 4X4 m, edhe ç'binte jashtë, binte dhe brenda. Tëtëmbëdhjetë pjesëtarë familjeje, 4X4 dhoma. Fillimi ishte, si të them unë, skëterrë, sepse në fillim na trajtuan vetëm me 400g bukë, siç na e kishim dhënë që në Ballsh e në Hekal, prapë na trajtuan po me atë, kur erdhem në Shtyllaz. Atëherë, vjen kryetari i Degës së Punëve të Brendshme dhe na thotë kështu: “Tani do t'ju fus në punë të gjithëve. Të gjithë do të vini në punë, të gjithë do të jetoni, do të punoni, do të jetoni njëlloj si të gjithë të tjerët, pavarësisht se kur do të bëhen banesat. Kur të bëhen banesat, do të strehoheni nëpër banesa.” Atëherë filluam punë në bujqësi si gjithnjë. Një vit, dy, tre, 5 vjet. Një trajtim patëm ne, në atë dhomë, ndejtëm 4 vjet.
Në´58-ën janë bërë banesat që janë dhe sot, figurante. Pastaj na nxorën nga ajo kasolle, edhe kemi marrë një dhomë e kuzhinë, një shtëpi përdhese, njëkatëshe, por të paktën ishte një dhomë e kuzhinë. Deri në´68-ën. Në´68-ën u bënë dy pallate të rinj, edhe u ndamë. Na ndanë, veç familja e xhaxhait, veç familja e xhaxhait tjetër, edhe familja jonë më vete. Ne ndejtëm po në atë shtëpi që morëm fillimisht, në vitin´58, një dhomë e kuzhinë. Ndejtëm në atë shtëpi, deri në´90-ën derisa u bë ndryshimi.
A kishte martesa gjatë kohës që ishit atje?
Ne martesat i bënim kështu: jo në formë dashurie, por me shkuesi. O brenda për brenda ose i bënim me Lushnjën, me Savrën, me Gradishtën, me Grabianin, me Gjazën, me të gjitha këto ne kishim punë krushqie, sepse as na jepte e as na merrte kush njeri tjetër. Mbasi kaloi´65-a, unë jam martuar në´62-shin, ne kemi ndenjur në një dhomë ku flinin 4 motrat, babai me nënën e njëri vëlla ndërsa, në atë dhomën e vogël, u detyrova fjeta unë 3 vjet me gruan time. Me një ndërhyrje, u detyruam, ngritëm si i thonin myzeqarët, një kasolle me shtylla druri, mbërthyer me kallama, mbushur me baltë, mbuluar sipër me letër katrama. Në atë jetuam deri në vitin´90, kur u bë ndryshimi i sistemit. Kjo ishte banesa jonë.
Muhamer, gjatë kohës që punonit atje, a ka pasur tentativa nga organet e Sigurimit të Shtetit për të bërë bashkëpunëtorë?
Kam lumturinë më të madhe në vetevete sot, që kushedi se sa herë u bënë tentativa për të na korruptuar, edhe kam lumturinë më të madhe që deri sot nuk u futa në atë fazë që të bëhesha i keq ose të bëhesha, si ishte ajo shprehja “spiun” për babën, për nënën, për vëllanë apo për motrën. Kjo ishte poshtërsia më e madhe. Sepse është një gjë... shumë nga ne të persekutuarit e asaj kohe, një arsye e shtynte që të korruptohej. Jo vetëm unë, por edhe si fis, 3 vëllezër që mbetëm këtu, edhe një që ishte i Kanadasë 4, edhe si xhaxhallarë, shpëtuam... shyqyr Zotit që nuk u futëm kurrë në atë vorbull. Edhe jemi krenarë sot. Me këdo të takohem, e kam ballin të ngritur se nuk arrita në atë fazë.
A u thirre ndonjëherë në organet e Sigurimit?
Në´64-ën, një vëlla i yni, i dyti, që është dhe sot akoma në Amerikë, bënë apelin dhe i thotë përgjegjësit të apelit “Unë do të iki tani, do të shkoj në Durrës, sepse i treti nga ne vëllezërit, do të shkojë në Durrës për një arsye”. E mori lejen, ia firmosën. Do të shkonte në Degën e Brendshme, t'i vinte një vulë, se kështu ishte rregulli, me qëllim që nëse unë do të kapesha në Durrës ose në Tiranë, bujrum se unë jam me leje, nuk më ndalon kush të vete. Edhe iku nga andej, u nis në orën 4 mbasdite nga Shtyllasi e nesër para orës 12, është parë atje në Bilisht, edhe në krye në tri ditëve, kaloi e shkoi në Greqi. Unë nuk e dija, sepse vëllai u nis vërtet për të ardhur në Durrës, por ai kishte një tjetër mendje që do të ikte e do shkonte në Greqi, ashtu edhe si bëri. Në krye të 6 ditëve, më thërrasin mua në Levan, më thërret operativi, e kishte vendosur edhe automatikun mbi tavolinë. Hyra unë. Sa hyra më tha: “Ti je vëllai i Avniut?” e unë i thashë: “Po.” Më tha: “Sa vëllezër jeni?”, 4, “Ku jeni?” Thashë unë: 3 jemi këtu, një ndoshta për arsyet e tija, ose për arsye tjetër, sot është në Kanada. Është arratisur në ´49-ën e sot është në Kanada. Më tha mua: “E sheh këtë automatikun?”. Po, e shoh, - i thashë unë. “Koka e Avniut tënd do të shkojë këtu në këtë grykën e automatikut që është këtu, ndryshe nuk ka ku të vejë tjetër”. I thashë unë në qoftë se ai ka bërë aq krim sa koka e tij të shkojë atje, le të shkojë. Po nuk pat' bërë asgjë, do të dalë e vërteta nesër. “Dëgjo, - më tha,- ti do na japësh një mendim, do të punosh apo të mos punosh”. Mirëpo, shumë a pak, më parë ne i kishim rënë hilesë, se unë kisha vajtur 26 vite, nuk isha më kalama. “Po unë po punoj, zoti operativ”, i thashë unë, toger, ishte me gradë ai, “Shoku toger, unë po punoj”. “Jo, jo, që po punon, atë e di unë, po do punosh apo jo?”. I thashë unë: “Jo që kam punuar, por do të punoj deri në momentin e fundit, se do të jetoj.” “Jo re jo, unë nuk dua që të punosh atje ku punon ti me bel, dhe me lopatë, edhe me kazëm, nuk dua punë të tillë unë, unë dua punë që ti të punosh për ne.” “Mund të më thuash, si mund te shprehem... por në këtë vorbull që mund të më futni, unë nuk futem dot. Në radhë të parë, jam pa shkollë, kam vetëm 4 klasë shkollë, në radhë të dytë unë jam familjar, unë do të shikoj punën. Të punoj, të ushqej familjen ashtu si mua më ka lezet”, i thashë unë. “Unë dua të punoj e të jetoj, duke mos i rënë në qafë asnjërit, të shikoj drejtimin tim. Të punoj gjithë ditën, në darkë, të vete tek shtëpia, të paraqitem atje ku më thërrasin, për apel apo ku paraqitem, e punë tjetër unë nuk di të bëj.” “Po s’dite të bësh punë kështu si po të them unë, të pret dikush tjetër”, - më tha mua.
“Unë vetëm këtë s'e bëj dot, n'daç më mbaj këtu, n'daç më thuaj llaf tjetër, ça do të më thuash, se unë vetëm këtë s'e pranoj, se nuk jam i aftë që ta bëj njëherë. Në radhë të parë, s’kam shkollë, se duhet të kesh shkollë, pastaj të fillosh një punë. Unë aq shkollë kam bërë, sa të bëj këtë punë që bëj.” Edhe u mbyll me kaq.
“Atëherë, -më thotë mua, do të ikësh në shtëpi e kur të thërrasim ne, të jesh gati këtu”. Më tha dhe këtë tjetrën: “Po sikur të ketë ikur jashtë shtetit vëllai yt, Avniu, a e pranon atë si vëlla?”. I thashë unë: Shoku toger, jo të ketë ikur jashtë shtetit, por edhe sikur të ketë bërë krimet jo të Republikës, por krimet e gjithë botës, ai është vëllai im edhe unë jam vëllai i tij, s'bëhet kush vëlla tjetër më.” Më tha kështu: “Mirë, ik në shtëpi, edhe mos trego se ku ishe, se kush të thirri, se çfarë të tha e çfarë i the, se përndryshe të pret Bulqiza”. Unë thashë “Ishallah jo” e ika e shkova në shtëpi.
Atëherë në ’62-shin, një xhaxhanë tonë, e thërret në Korçë, Dega e Brendshme e Korçës e i thonë: “Do të lirojmë fëmijët, komplet familjen, do t’ju lirojmë, do ju sjellim prapë në fshat, do hapim procesverbalet, si u bënë procesverbalet që ju internuan, edhe të vini këtu në fshat. Por ti, i thotë xhaxhait tonë, që merresh me peshkim, tani duhet të punosh. “Po unë po punoj, jam atje”. “Po si po punon?” “Po punoj çfarë pune të dalë, në bujqësi po punoj.” “Jo, jo, të punosh për ne.” Ai i thotë “Unë nuk mund ta bëj dot këtë punë, sepse kam një grua, kam edhe dy djem, ata presin vetëm nga mua, kështu që unë po të filloj një punë të dytë, si kjo që po më propozoni ju, gruaja ime dhe fëmijët e mi mbeten pa bukë”.
I japin ultimatum... një ditë, dy ditë, tri ditë. Edhe atij i kishin bërë tortura, që edhe kurrizin ia kishin djegur me shufrën e hekurit. I kishin vënë shufrën e hekurit në kurriz, që ai të pranonte që të bëhej agjent i Sigurimit. Edhe nuk e pranoi. Atëherë u detyrua edhe iku e shkoi në Greqi. Ndejti dy vjet në Greqi, nga Greqia e detyruan, si ishin ato kampet e grekut, që të hidhej në Shqipëri, u hodh një herë e një herë dy, s'u mor me asnjë lloj diversioni, vetëm se të vesh të na zbulosh për shembull, se çfarë armatimesh ka në Zvezdë, çfarë ka në Cangoj, çfarë ka në Zëmblak, ku janë më tepër forcat ushtarake, ku janë të dislokuara. Më në fund, kur hyri herën e tretë u kap, edhe u pushkatua pa gjyq, s'e nxorën në gjyq. Po atje në Bilisht ku e pushkatuan, në´94-ën kur e kemi zbulur ne, ishte i mbushur me gozhdë trari që nga legeni deri te kavilja e këmbës, sepse e quajtën kriminel... "ka bërë krimet e dynjasë". Kur e zbuluam ne, na bëri përshtypje, na habiti vetëm një fakt: Mirë që u pushkatua, po me gozhdë trari pse është mbushur?! Atëherë, një vëllai im, më i madhi, pasi foli nja dy llafe, se tha një nga këta të shoqatës: “Kush mund të thotë nja dy llafe për viktimën?” I tha vëllai im, këtu-këtu rrjedh puna... Ka gruan, ka dy fëmijë, ka punuar kaq e ka punuar këtu, ka qenë diversant. Një profesor i gjimnazit të Bilishtit, plak, thotë: “Po të më lejojnë familjarët e asaj viktimës, do të them unë dy gjëra.” Vëllai im i tha që mund të fliste. “Gozhdët e trarit që i janë ngulur Nazifit, i kam ngulur unë me nxënësit e mi. Më detyroi Sigurimi i Shtetit. Vajtëm në dyqanin e lëndëve të ndërtimit, i morëm gozhdët, edhe ia ngulën gozhdët nxënësit. Me detyrim, jo nga qejfi, se dihet ajo që t’i ngulje gozhdët një njeriu, të dhimbset.
Deri në çfarë viti qëndruat në Shtyllas?
Ne, në Shtyllas, vajtëm në 54-ën, edhe kemi ikur në´94-ën, me vendimin e qeverisë Meksi, që kampi i Shtyllasit të shpërbëhej edhe familjet, pavarësisht origjinës, nga Korça, nga Pogradeci, nga Saranda, nga Durrësi, nga Shkodra, të venë ku të duan vetë. Të bëhen listat. Do të bëhen pallatet direkt për të persekutuarit, edhe të venë ku të duan, pavarësisht origjinës.
Ju ishit në Shtyllas kur u shemb sistemi i diktaturës dhe u vendos sistemi pluralist. Më thuaj si e ke përjetuar, si kanë qenë momentet?
E kemi pritur, si mund të them, me një entuziazëm të paparë. Na u hoq vula nga kurrizi, nuk më dallonte njeri e të më thoshte për shembull: “Muhameri është i internuar, ka të vëllanë të arratisur, ka babanë në burg, ka xhaxhanë në internim, ka xhaxhanë tjetër të pushkatuar”. Nuk më thoshte dot asgjë, askush. Sepse në rast se unë do të nisesha nga Shtyllazi, të dilja në Levan, edhe të hipja në makinë për të shkuar në Fier, që është nja 9 kilometra larg, shoferi sikur ta dinte që unë jam i internuar në Shtyllas, mua më zbriste nga makina./kujto.al