“Kur mora vesh se e pushkatuan babain, isha 6 vjeç dhe nuk e njihja fjalën ekzekutim...E pashë babain kur e shtynë dhe e plasën brenda asaj makine, pastaj u nisën me shpejtësi. Qëndrova për disa minuta deri sa makina u zhduk nëpër errësirë. Ndenja aty duke qarë dhe kur nuk pashë njeri në rrugë, u ktheva. Nënën e gjeta aty në prag të derës, e përkulur dhe e mbytur në lot... .
Nga Luljeta Progni
Mesnatën e 20 shkurtit të vitit 1951, në oborrin e shtëpisë së Kacelëve, kishte zbarkuar Sigurimi i Shtetit. Mes britmash e kërcënimesh, shqyen portat e shtëpisë sepse kërkonin Jonuz Kacelin, tregtarin e famshëm të Tiranës, të cilin e kishin caktuar si një ndër fajtorët për bombën në ambasadën sovjetike, që kishte plasur pak ditë më herët.
Mirvjeni, i biri i Jonuzit ishte asokohe vetëm gjashtë vjeç. Po flinte në dhomë bashkë me vëllain e motrat. Ishte zgjuar nga thirrjet e frikshme të oficerëve të Sigurimit të Shtetit. “Ashtu siç isha në përgjumje, dëgjova trokitje të forta në portën e jashtme. Kishte dhe shumë zëra para portës. Doli babai dhe hapi portën. Disa zëra e pyetën kush është Jonuz Kaceli? Ishin dy oficer sigurimi dhe dy përfaqësues të lagjes që ngrinin supet. Unë jam, u përgjigj babai. Ata e shtyn mënjanë dhe filluan kontrollin. Unë isha te cepi i shkallës, i tmerruar shihja ata të huaj që bastisnin shtëpinë e kishin mbërthyer babain pas hekurave... Nëna ime, Merjemja rrinte si e hutuar dhe vetëm qante...”. Janë përjetimet e një fëmijë 6-vjeçar tek sheh babanë e tij të lidhej dhunshëm nga disa njerëz të panjohur... pa kuptuar se ç’faj kishte bërë... E kishte pyetur e ëma, Merjemja: çfarë ke bërë Jonuz?! “Asgjë s'kam bërë, mos u mërzit” i ishte përgjigjur Jonuzi.
Pasi kishin bastisur shtëpinë përmes ulurimash kafshërore para 7 fëmijëve, oficerët e sigurimit e kishin marrë Jonuz Kacelin, të lidhur me pranga për t'u larguar nëpër natë nga rrugica e Kacelëve drejt rrugës “Tefta Tashko”.
Amaneti
“E pashë kur e shtynë dhe e plasën brenda asaj makine, pastaj u nis me shpejtësi. Qëndrova për disa minuta deri sa makina u zhduk nëpër errësirë. Ndenja aty duke qarë dhe kur nuk pashë njeri në rrugë, u ktheva. Nënën e gjeta aty në prag të derës, e përkulur dhe e mbytur në lot... Ishte nata e fundit që e shihja babanë”.
Mirvjeni nuk e kuptonte mirë se çfarë po ndodhte në Shqipërinë komuniste sepse ishte shumë i vogël, por nuk i hiqet kurrë nga kujtesa ajo natë e frikshme, lotët papushim deri në mëngjes, sepse nuk do ta shihte kurrë më të atin.
“Kështu e gdhimë me lot deri në mëngjes, ku na gjetën komshinjtë, ishim të gjithë bashkë në atë dhomë me nënën, motrat e vëllain tim Osmanin. Komshi kishim një njeriun tonë që ishte martuar me një italiane. Ata morën nënën duke i dhënë kurajo që të mund të përballonte situatën për hir të fëmijëve. Na u gjendën shumë afër, sepse e mbaj mend mirë se na jepnin kurajo gjatë gjithë kohës. Ishin kohë të vështira”.
Pushkatimi
Mirvjeni nuk e kishte dëgjuar kurrë fjalën ekzekutim. Nuk e dinte çfarë do të thoshte. E dëgjoi për herë të parë mesnatën e 27 shkurtit, ku dy oficerë të sigurimit kishin mbetur në derën e shtëpisë për të dhënë lajmin se Jonuz Kaceli ishte ekzekutuar. Këtë fjalë nuk e kishte kuptuar as e ëma, Merjemja.
“Ju lutem mund të më thoni çfarë do të thotë ekzekutim, pyeti nëna oficerët, por ata nuk u përgjigjën dhe u larguan me shpejtësi nga dera. Ekzekutim! Na u duk si një fjalë e huaj shumë e pakuptueshme. Nëna shkoi menjëherë tek familja e Hamdiut që ishim komshinj, edhe ne fëmijët e ndoqëm pas. Sa na pa në oborr Hamdiu, na doli para. Hë Merjeme, si është puna?!, e pyeti nënën i shqetësuar. Nëna i tha që më thanë e kanë ekzekutuar, por se di çdo të thotë kjo fjalë. Ai uli kokën. Ndenji si i hutuar. Për disa çaste nuk foli. Ne e shikonim në dritë të syve. Përgjigja e tij do na jepte forcë nëse do ishte pozitive. Eh tha ai, dmth e kanë pushkatuar... Ne shtangëm. Nëna lëshoi bërtima e tmerruar”, rrëfen Mirvjen Kaceli.
Çfar drejtësie kur kurrē nuk u gjykuan ata kriminel komunistë kur dihen edhe emrat e tyre Shqipëria ka ende ne pozita te larta ish komunista ndaj dhe ështê kështu si është me dhemb shpirti kur i lexoj këto vuajtje ju siguroj ,qe as regjimi serb më gjakatar nuk ishte ndaj nesh. Në Kosovë kur arrestohej dikush kurr familja nuk prekej as nuk prejashtohej nga puna ,sa ma dhimbsen ato femra aq intelektuale Musine Kokalari Sabiha Kasimati Marie Tuci e qindra tjera .Zot i madh kaq i fuqishēm është njeriu kaq shumë dhimbje munď të durojë😪😥😥