Torturat fizike dhe psikologjike, shpërbërja e familjes së sapondërtuar, heqja e lirisë, vuajtet e Spaçit, sëmundjet si rezultat... Të gjitha, me motivin e disa letrave kundër regjimit komunist dhe diktatorit, të cilat nuk i kishte shkruajtur ai. Historia e Medi Agos është një ilustrim sesi diktatura shkatërroi jetën e mijëra qytetarëve të zakonshëm, për të mbajtur gjallë luftën e klasave dhe pushtetin e saj
Asgjë nuk mund ta ndalte Sigurimin e Shtetit për të dënuar persona nga klasa e “armiqve” të partisë, ku bënin pjesë ish-pronarët, ish-funksionarët e regjimeve të mëparshme, intelektualët, të lidhurit me Perëndimin apo familjarët e tyre. Provat sajoheshin, dëshmitarët instruktoheshin dhe gjykatat jepnin dënimet e paracaktuara. Vuanin jo vetëm viktimat, por e gjithë familja provonte izolimin dhe mohimin e të drejtave.
Pedagogu i Universitetit "Fan S. Noli" të Korçës, Orjon Ago, në studimin e tij, nga është shkëputur pjesa më poshtë, ilustron, nëpërmjet historisë së persekutimit të një ish-të dënuari politik, sistemin e survejimit dhe kontrollit politik në diktaturë, si dhe mekanizmat e spiunimit dhe denoncimit. Me anë të këtyre mekanizmave, shpesh të mbështetura në akuza false, disa përfitonin dhe të tjerë, vuanin dënime të rënda. Dhe këta që dënoheshin, në pjesën më të madhe të tyre, ishin qytetarë që nuk luanin ndonjë rol politik, por që, me mijëra, mbushën burgjet e diktaturës, u torturuan, u shfrytëzuan dhe u përndoqën deri në fund të regjimit komunist.
Nga Orjon Ago
Në datën 10 nëntor 1978 dega e punëve të brendshme në Korçë njoftohet se në rrugët e Grabockës ishin gjetur tre fletushka me përmbajtje armiqësore, ndërmjet të cilave i bëhej thirrje popullit që mos votonte për kandidatët për deputetë, në zgjedhjet për Kuvendin Popullor që do të zhvilloheshin në 12 nëntor 1978 në Shqipëri.
Në dy ditët në vazhdim banorë të tjerë gjetën fletushka të hedhura në rrugë e pranë shtëpive të tyre. Fletushkat kishin përmbajtje kundër Partisë së Punës dhe udhëheqësit komunist Enver Hoxha, por dukej që ishin shkruar nga një njëri me nivel të ulët intelektual gati analfabet.
Nga ky moment nisi kalvari i vuajtjeve të Mediut. Është e dhimshme si ndërpritet jeta e një të riu, i sapomartuar nga disa copa letre të shkruara me një gjuhë gati të pakuptueshme. Kjo ngjarje, hedhja e fletushkave, nuk ishte e rastësishme. Ajo ishte parapërgatitur nga sigurimi i shtetit. Ishte llogaritur të ndodhte gjatë zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin Popullor, në mënyrë që kjo të kishte një jehonë sa më të madhe. Organet e sigurisë, policia dhe oficerët e hetuesisë në dijeni se kjo do të ndodhte, arritën në një kohë rekord. Gjithë banorët u grumbulluan në mënyrë të organizuar përpara oborrit të shkollës. Në këtë kohë, u lajmërua edhe Mediu, i cili porsa mbërriti në oborrin e shkollës u arrestua përpara gjithë banorëve në mënyrë demostrative. Buçitën menjëherë këngët për udhëheqësin dhe partinë. “Enver Hoxha e mprehu shpatën dhe njëherë për situatën”. Kjo ishte kënga që këndohej kur arrestoheshin armiqtë e partisë dhe të popullit.
Fletushkat e grumbulluara nga hetuesia përbënin material të mjaftueshëm dhe hetuesi vendosi për nisjen e hetimit. Dosja e hetimit mban nr 220 dhe akuzën për krimin “Agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor”, neni 55/I. Ditën e nesërme hetuesi i shton akuzës edhe pikën 13 të nenit 55. Pika 13 e nenit 55 që theksonte togfjalëshin “Agjitacion Figurativ”. Kjo pikë parashikonte dënimin nga 10 vjet burgim deri në dënimin me vdekje.
Akuzat ishin të rënda dhe materialet që hetuesit kishin në dorë u ngjallnin frikë edhe vetë atyre. Në relacionin e përpunuar nga kryetari i degës së punëve të brendshme, Marash Kola një emër i njohur i hetuesisë komuniste nuk përmendet asnjeherë emri i diktatorit Enver Hoxha, edhe pse ai e kishte emrin në çdo fletushkë. Provat që hetuesit kishin mbledhur, së bashku me dëshmitë që ata i kishin siguruar më parë i bindën hetuesit se i pandehuri do të pranonte fajësinë. Hetuesi kërkoi një muaj kohë për të vërtetuar akuzat.
Sigurimi i shtetit më parë kishte përpunuar bashkëshorten e Mediut e cila ishte autore e materialeve të shkruara e të hedhura. Djallëzia e organeve të sigurimit vazhdoi në procesin hetimor kur akuza i paraqiti si dëshmitare bashkëshorten e tij. Ajo pranoi të vazhdonte bashkëpunimin me hetuesinë dhe dëshmoi në mënyrë se kishte qenë Mediu, ai që kishte nxitur për të shkruar dhe hedhur parrullat, gjë që u mohua kategorikisht nga Mediu edhe pse dhuna dhe presioni psikologjik nuk ndaloi asnjë çast. Gjatë hetimit ajo pranoi se ishte ajo autorja, por se ishte shtyrë për ta bërë këtë nga bashkëshorti i cili kishte diktuar tekstin ndërsa ajo e kishte shkruar, pasi sipas saj Mediu kishte frikë se do të zbulohej po t’i shkruante ai.
Duhet theksuar se të gjitha fletushkat kishin shënimin: Ka thënë Medi Ago. Kjo sipas hetuesisë ishte një manovër e të pandehurit për të ngatërruar organet e hetuesisë.
Gjatë procesit hetimor i pandehuri nuk i pranoi akuzat e ngritura, megjithë përpjekjen e gjatë të hetuesit. Hetuesi kërkoi disa herë shtyrjen e hetimit në pamundësi “për të bindur” të pandehurin që të pranonte akuzat. Në këtë kohë, kujton Mediu, filloi dhuna dhe tortura për të detyruar pranimin e akuzave të sajuara. Në mënyrë periodike në dhomën e hetuesisë, hetuesi Petrit Lilaj, ushtroi dhunë kafshërore. “Kujtoj se në dhomën e hetuesisë ishte një karrige me këmbë hekuri të betonuara pas së cilës më lidhte me pranga një nga policët e turnit. Prangat ishin të rënda dhe duart lidheshin në pjesën e pasme në pamundësi për të lëvizur ose për t’u mbrojtur. Hetuesi zakonisht i dehur, fillonte dhunën në orët e mbrëmjes për të vazhduar gjatë gjithë natës”.
Duke parë së Mediu nuk po pranonte akuzat, hetuesia përgatiti një tjetër strategji. Hetuesia filloi të gjurmonte në aktivitetin politik të familjes. U analizuan karakteristikat moralo-politike të familjes së Medi Agos. Është i njohur fakti se organet e sigurimit në praktikë, survejonin çdo aspekt të jetës së qytetarëve shqiptarë si të kaluarën e familjes, shkollimin deri te komunikimet private.
Në karakteristikën politiko-moralo të familjes së Mediut mund të gjendeshin elementë që të fajësonin të pandehurin. Sipas udhëzimeve të diktatorit Enver Hoxha, në fshat, ekzistonte një armik i vendosur dhe i egër i kooperativave bujqësore, fshatari i mesëm ose i pasur. (Xhaferraj, 2001, p. 270) Pikërisht nga kjo shtresë vinte edhe Mediu dhe këtë fakt ai nuk mund ta mohonte. Menjëherë u udhëzuan organet e partisë që të hartonin karakteristikën familjare të Mediut. Rrethanat familjare, së bashku me manipulimin e fakteve sipas logjikës së sistemit komunist, rëndonin më tej pozitën e Mediut përballë hetuesve.
Karakteristika mohonte kontributin e familjes gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Në fakt, shtëpia e Mediut kishte qenë bazë e luftës dhe spital partizan i djegur nga gjermanët gjatë operacionit të qershorit 1944. (Ago, 2025, p. 44) Dëshmi për këtë ishin muret e djegura të shtëpisë që ekzistonte akoma. Karakteristika mohonte gjithashtu edhe kontributin e familjes në krijimin e kooperativës bujqësore “Familja jonë shprehet Mediu ishte e begatë nga ana ekonomike. Në zotëronin dhjetëra ha tokë bujqësore, dhjetëra ha kullota dhe pyje, shumë bagëti, madje kishim në pronësi edhe një mulli me ujë. Të gjitha këto u konfiskuan pa asnjë shpërblim”.
Të gjitha këto fakte nuk përmendeshin nga hartuesit e karakteristikës. Nga ana tjetër në karakteristikë u përmendën të gjithë ata që mund të konsideroheshin kundërshtarë të regjimit dhe që kishin lidhje gjaku me Mediun. “Pasi nuk më bindën dot dhe nuk më thyen duke më kundërvënë bashkëshorten, hetuesit më përmendën të shkuarën e të afërmve të mi”, kujton ai.
Daja i babait dhe 2 fëmijët e tij, ishin pushkatuar nga partizanët, por në fakt ata ishin krenaria e familjes sonë. Pavarësisht fajësimit që ata i bënin, unë e dija që ai kishte qenë njeri i rëndësishëm në zonën e Korçës e të Kolonjës, që nga lufta për pavarësi e deri në 1944, kur, i rrethuar me pabesi, u vra nga komunistët, sepse nuk pranoi të bashkëpunonte me ta. Kur ia kujtonin babit, dajon ai në mënyrë figurative përgjigjej: Kur përplasen dy vezë njëra do thyet”. File Backa për të cilin bëhet fjalë, përmendet nga dokumentet ushtarake italiane si një njeri që kishte ngritur një nga çetat e para të rajonit të Korçës dhe i kishte pritur me luftë italianët. (Dezhgiu, 2015, pp. 276- 277). Edhe daja im, një ish-partizan, por i arratisur në fund të luftës ishte pjesë e ritualit të pyetjeve të tyre. Duke mos ditur asgjë për fatin e tij ata sajonin lloj-lloj akuzash. Pas rënies së komunizmit familja jonë mësoi se ai kishte vdekur në vitin 1953, vit në të cilin unë linda.
Nuk harruan të më përmendin as xhaxhain e babait. “Nuk e di nga kishin sajuar një legjendë sipas së cilës ai ishte i rekrutuar nga banda e Hamit Matjanit. Xhaxhai vdiq në vitin 1953, unë nuk e njoha, por ai ishte njeriu më i ditur dhe më në zë i krahinës. Ai kishte qenë mësuesi i parë i zones sonë, një njeri që dinte disa gjuhë të huaja, anglisht, turqisht e greqisht. Ai kishte qenë për shumë vite emigrant në ShBA dhe kishte kontribuar në shoqatën Vatra të shqiptarëve të Amerikës. Deri në momentin kur ndodhi arrestimi im, në shtëpi gjendeshin akoma librat e tij të cilët ne fëmijët I lexonim”.
Mediu kujton se gjatë hetuesisë, hetuesi përdori të gjitha mënyrat për ta thyer. Sipas rrëfimit të Mediut, ai vetëm tri herë nuk i humbi ndjenjat nga dhuna. Herën e parë ishte kur në seancën e pyetjeve mori pjesë prokurorja e së drejtës shoqërore Flora Halili dhe dy herë të tjera kur gjatë seancës së pyetjeve mori pjesë prokurori Fatos Cefa. Gjatë 3 muaj e gjysmë të procesit të stisur gjyqësor, diskutimi zgjatej pa fund rreth një argumenti. Të pranohej akuza, të pranonte se ai ishte autori i letrave me shkrime armiqësore kundër partisë dhe pushtetit popullor. Dhuna fizike e psikologjike ishte e përnatshme. Duke hasur në rezistenës e tij, për të mos pranuar akuzat, organet e hetuesisë për të vërtetuar veprimtarinë armiqësore të Medi Agos, sollën para trupit gjykues dëshmitarë të tjerë.
Për të treguar se veprimtaria e Mediut kundër pushtetit popullor ishte më e hershme, u përpunuan dhe u sollën përpara trupit gjykues dëshmitarët e rremë, E.N dhe I.D. Kjo ishte një metodë që përdorej rëndom nga hetuesia komuniste. Ata dhanë dëshminë përpara hetuesisë. Nga leximi I dëshmisë së tyre rezulton në mënyrë të qartë se dëshmia është e konceptuar nga e njëjta mendje dhe e shkruar nga e njëjta dorë.
Dëshmia e E.N.: E njoh të akuzuarin, nuk kam patur mosmarrëveshje, por më ka shprehur pakënaqësi ndaj sistemi. Në maj të 1978 duke biseduar me Medi Agon me thotë se: “kam kërkuar televizor dhe këta të pushtetit nuk më kanë dhënë, por bota është me rrota. Sot e kanë këta pushtetin, nesër do ta kem unë e do ta sjell televizorin nga ana e anës…
Hetuesit dhe prokurorët duket që i kanë instrukturuar dëshmitarët. Ata dëshmuan se ai kërkonte përmbysjen e pushtetit. Tradhtia ndaj Atdheut ishte krimi më i rëndë që mund të kryente shtetasi i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Tradhti ndaj Atdheut quhej çdo vepër e kryer për të përmbysur shtetin e diktaturës së proletariatit. ( Kodi penal i R.P.S.SH. Neni 47 ) ... në muajin tetor të viti 1977 duke biseduar me Mediun më thotë që nuk është dakort me tufëzimin... Sipas dëshmisë, Mediu kishte shkuar shumë larg. Ai nuk ishte dakord me urdhrin e udhëheqësit komunist. Ja si ishte shprehur udhëheqësi për tufëzimin: “Tufëzimi i bagëtive të oborrit kooperativist një pasuri e madhe në shkallë republike dhe kanë rëndësi politike dhe ekonomike për gjithë vendin. Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe të këtij problemi, Byroja Politike e Komitetit Qëndror në kohën e duhur mori një vendim shumë të drejtë dhe të përshtatshëm. Organet e pushtetit të marrin masa që të zbatohet si duhet ky vendim. Tufëzimi i bagëtive të oborrit kooperativist, në radhë të parë, të bëhet vullnetarisht, pra me bindje”. (Hoxha, 1989)...gjithashtu para dy vjetësh më ka thënë që e hap radion tek Italia, më pëlqejnë këngët italiane se janë shumë të mira e të japin gjallëri......Më ka pëlqyer festivali i 11 i këngës në radio televizion se ishin këngë shumë të mira”. Përmendja e këtij fakti ishte e stisur nga hetuesit për të përkeqësuar situatën e të pandehurit Medi Ago. Në Shqipërinë komuniste ishte e ndaluar dëgjimi dhe këndimi i këngeve të huaja. Filmat dhe çdo shfaqje që jepej ishte nën e censurën e organeve të sigurimit dhe të Partisë. Festivali i Këngës në RTSH ishte një nga ngjarjet e pakta që artdashësi shqiptar dhe publiku e priste me padurim. Festivali i 11-të shënoi një nga të paktat raste të shprehjes së lirisë artistike gjatë regjimit komunist. Kjo hasi në kundërshtimin e diktatorit Enver Hoxha. Ai e quajti atë Fesivali i Zi. Shumica e pjesëmarrësve të këtij festivali u internuan ose u burgosën, ndërkohë që shumë të tjerë u pushuan nga puna. Vetë diktatori Enver Hoxha mbajti një fjalim ku theksoi se shfaqjet e huaja, liberale, borgjeze kishin përfshirë çdo shtëpi komunisti dhe duheshin marrë masa që kjo të ndalohej.
Dëshmia e I.D.: E njoh të akuzuarin, nuk kam patur mosmarrëveshje, por më ka ka shprehur
pakënaqësi ndaj regjimit. “Kam kërkuar televizor i pari dhe këta të pushtetit nuk më kanë dhënë, por bota është me rrota. Sot e kanë këta pushtetin nesër do ta kem unë e do ta sjell televizorin nga ana e anës….më ka folur se festivali i 11 i këngës në radio televizion ishte shumë i mirë dhe këngët ishin shumë të mira...... më pëlqejnë këngët italiane se janë shumë të mira e të japin gjallëri...... në muajin shtator 1978 duke biseduar me Mediun më thotë që nuk është dakort me tufëzimin....” Dy dëshmitë e dhëna janë të njëjta për të mos thënë identike, janë zhvendosur vetëm fjalitë.
Tentativa për të thyer rezistencën e Mediut përfshinte edhe një formë të presionit psikologjik të njohur si ballafaqim i heshtur me anëtarë të familjes. Ky mekanizëm përdorej nga hetuesia për të krijuar tension emocional dhe për të detyruar të pandehurit të pranonin akuzat. Gjatë këtij procesi, familjarët dëshmonin pa dijeninë e të pandehurit, i cili mund t’i shihte dhe dëgjonte ata gjatë seancës, ndërsa familjari nuk e dinte se ai po i shikonte. Në rastin konkret, nëna e Mediut u thirr në hetuesi dhe iu bë presion për të dëshmuar kundër të birit, duke i thënë se ai kishte pranuar akuzat dhe do të përballej me ekzekutimin. Megjithatë, ajo refuzoi dhe kërkoi një ballafaqim të drejtpërdrejtë me të birin, i cili nuk iu mundësua.
Pavarësisht presionit psikologjik dhe dhunës së ushtruar nga hetuesia, Mediu nuk pranoi akuzat e ngritura kundër tij. Dosja hetimore evidenton që, përkundër përpjekjeve intensive të hetuesisë dhe prokurorisë, ai nuk u thye, një rezistencë që konsiderohej e rrallë në mesin e të burgosurve politikë gjatë periudhës së sundimit komunist. Gjykata, megjithatë, e dënoi me 10 vite burg dhe heqje të së drejtës elektorale për pesë vjet.
Pas përfundimit të dënimit, vuajtjet e Mediut nuk përfunduan. Gjatë kohës që bashkëshortja e tij ishte në burg, i lind djali, të cilin ai mundi ta takonte vetëm pas daljes nga burgu, kur fëmija kishte arritur moshën shtatë vjeçare. Familjarët u izoluan dhe ishin nën një survjim të rreptë, ndërkohë që iu mohua çdo e drejtë elementare. Atyre iu mohua shkollimi dhe kryenin punët më të vështira. Ky rast ilustron ndikimin e thellë emocional dhe social që përjetuan të burgosurit politikë dhe familjet e tyre, duke reflektuar mekanizmat e sofistikuar të represionit dhe pasojat afatgjata të tij.
Pjesa është shkëputur nga studimi i Dr.Orjon Agos “Arma e sigurimit të shtetit në funksion të luftës së klasave në Shqipërinë komuniste”. Autori ka shfrytëzuar për këtë punim, disa dosje të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit shqiptar (AIDSSH), burime arkivore dhe një intervistë të realizuar me Medi Agon, në tetor 2024.
Fotoja e Medi Agos i përket kohës para arrestimit, qershor 1978.