Mbi 100 vjet burg/ Ndëshkimi i familjes së Xhemal Asllanit

0
7

Organizatori i revoltës së Zhapokikës, Xhemal Asllani, nuk ra asnjëherë në duart e regjimit, por diktatura u hakmor ndaj njerëzve me të cilët kishte të bënte ai. Duke nisur nga familja. Jeta e tyre u mbush me skamje, internime, arrestime dhe burgosje. Ndërsa marrëdhënia me Xhemalin përmblidhej në disa takime të fshehta dhe letra malli.

 

Nga Xhezo Cana

Familja e Xhemal Asllanit vuajti mbi 100 vite burg. Pasi Xhemil Asllani [i vëllai] u arrestua dhe Xhemal Brahim Asllani u arratis, familjes i sekuestruan pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme. Më datën 20.09.1948, e internuan për disa muaj familjen në qytetin e Tepelenës, te fusha ku ishin sjellë të gjithë të internuarit, kryesisht nga Veriu, që iu ishin arratisur pjesëtarët e familjes. Të internuarit ishin:

Bejo Xhemal Asllani, i biri, i datëlindjes 07.02.1944

Kushull Xhemil Asllani, e mbesa, e datëlindjes 04.02.1943

Sabaudin Xhemil Asllani, i nipi, i datëlindjes 1948

Sambrete Sheme Asllani, e shoqja, e datëlindjes 06.04.1925

Tajane Saço Asllani, e ëma, e datëlindjes 05.07.1892

Zini Xhemal Asllani, i biri, i datëlindjes 1948

Gjatë internimit vdiq Sabaudin Xhemil Asllani, për mungesë ushqimi. Pastaj familjen e internuan përsëri në Luftinjë, por duke qenë se u kishin sekuestruar pasurinë, jetonin në kushte tejet të vështira ekonomike. Por nuk u mjaftuan me kaq.

Xhemal Brahim Asllani

Në datën 05.03.1952 ndaluan në polici Tajane Saço Asllanin, nënën e Xhemalit dhe Sambrete Asllanin, gruan e tij. Shkaku i arrestimit ishte se ato ishin takuar me Xhemalin që vinte në Shqipëri dhe shkonte në zonën e Luftinjës dhe Zhapokikës. Në të njëjtin datë, internuan dy fëmijët, Bejo Xhemal Asllanin dhe Zini Xhemal Asllanin. (Vajzën e Xhemilit, Kushullën, e kishin marrë dajat në Progonat), Tajanën dhe Sambreten i mbajtën në arrest për 8 muaj e 27 ditë, i liruan më 30. 11. 1952. Në këtë datë, i lirojnë nga internimi të dy djemtë e Xhemalit, por historia e persekutimit vazhdoi.

Xhemal Brahimi vinte në Luftinjë dhe në mënyra të ndryshme direkt ose indirekt me të tjerë komunikonte me familjen. Kjo ishte arsyeja që më datën 01. 01. 1953 u internua përsëri familja: Tajana, Sambretja, Bejo dhe Zini Asllani. I kthyen për një kohë të shkurtër në Luftinjë, por më 1957 i internuan familjarisht në Savër të Lushnjës. Në datën 06. 02.1960 iu shtuan dhe pesë vjet internim, për shkak se dyshohej që ishin takuar me Xhemal Brahimin.

Më datën 29. 09. 1965, u arrestua djali i Xhemal Asllanit, Bejua, për tentativë arratisjeje dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. U lirua më 12 tetor 1979 me plotësim kohe. Pasi u lirua nga burgu, e dërguan sërish në internim në Savër të Lushnjës. Në dhjetor 1983 e arrestuan përsëri, me akuzën "për largim nga vendi i internimit", e dënuan me 2 vjet heqie lirie, ndërsa familja e internuar. Ditën e daljes nga burgu, më 05. 01. 1985, e internuan përsëri, 5 vjet.

Një koleksion më vete janë letrat që familjarët këmbenin me Xhemal Brahimin. Aty gjendet një histori dhimbjeje dhe malli ndërmjet tyre, letrat midis fëmijëve dhe babait, Xhemalit me nënën, me gruan, si dhe letërkëmbim midis vëllezërve.

Në një letër që Zini Asllani i dërgon babait, Xhemalit, e datës 18. 11. 1960, midis të tjerash thotë: "Ti mbase nuk i di vuajtjet tona, na rriti gjyshja, por mos e quaj se nuk të duam se ne të kemi në zemër dhe të kemi baba për tërë jetën tonë." Letra vazhdon: "Po munde më dërgo një silolapës se vajta në klasën e gjashtë." Në fund të asaj letre, një shënim i nënës së Xhemali, Tajanës: "Po më dhemb zemra për ty...dërgomë letër se nuk jam e vdekur".

Më 1962, Xhemilin, vëllai i Xhemalit, e arrestuan përsëri për motive politike dhe e dënuan me 10 vjet burg. Kur doli nga burgu u vendos në Luftinjë, bashkë me nënë Tajanën. Jetoi në një kasolle, në kushte të mjerueshme, vdiq më 1971.

Shënim: Marrë nga libri “Revolta në Zhapokikë, 1948”, i autorit Xhezo Cana, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë 2020. Fotot janë marrë po aty.

S'KA KOMENTE