Lamtumirë Gjeto Vocaj, mësuesi fisnik që diktatura e dënoi me burg

0
122

Këto ditë të para të vitit 2025, u nda nga jeta ish-i dënuari politik Gjetë Dodë Vocaj, lindur në Gziq të Mirditës, me banim në Shkodër, me profesion arsimtar. Njihej si njeri i qetë e fisnik, Gjetoja kishte simpatinë e të gjithë atyre që e njohën. Në vitin 1975 Gjeta u transferua si mësues nga Shkodra në një fshat afër Vaut të Dejës. Këtu i kishte shprehur një dëshmitari pakënaqësinë e transferimit, se politika e kuadrit bëhej me miqësi, hatërllëqe, etj.

Ai u arrestua më 15.10.1979. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë. Midis të tjerash, në vendim thuhej: “Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes rezultoi se i pandehuri...nëpërmjet dëgjimit të emisioneve të huaja dhe i influencuar nga ideologjia borgjezo-revizioniste, në kohë dhe vende të ndryshme ka bërë agjitacion dhe propagandë kundër shtetit me qëllim për të dobësuar pushtetin popullor në Shqipëri”.

Po ashtu evidentoheshin dy arsimtarë të tjerë me të cilët kishte bërë biseda se sistemi kooperativist nuk ishte i drejtë, e për pasoja gjendja ishte e keqe, fshatarët vuanin, se zgjedhjet ishin formale, etj..

Gjykata kërkonte të mbahej parasysh “rrezikshmëria shoqërore” e të pandehurit, për këtë “krim të rëndë të kryer” në drejtim të “demokracisë sonë socialiste”.

U pyet nga hetuesi Shyqyri Çoku, në prani të ndihmësprokurorit Ismet Spahia. Nuk e pranoi “absolutisht akuzën”.

Gjykata e Rrethit Shkodër, e drejtuar nga Naun Pejo, me pjesëmarrjen e prokurorit Vladimir Kristo, me vendimin nr.63, datë 27.3.1980, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 7 vjet heqje lirie, heqjen e dekoratave që kish marrë si arsimtar dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet.

U lirua më 15.11.1982 me amnistinë e përgjithshme.

S'KA KOMENTE