Korçë, Janar ’48: Të burgosurit në punë 24 orë, pa u ndërruar

0
385

Dokumenti informativ i 22 janarit 1948, ku dega e Zbatimit të Dënimeve në Ministrinë e Brendshme, informonte Komitetin Qëndror për gjendjen e të burgosurve të Korçës

Një relacion i gjatë për ndodhitë më të imëta në burgjet e regjimit komunist, në fund të janarit 1948, na zbulon një tablo të qartë të jetës në burgje dhe se si i ndiqte sy e veshë kupola më e lartë e regjimit ngjarjet që raportoheshin prej andej. Çfarë mendonin intelektualët për gjendjen në vend, për reformat e regjimit të Hoxhës, për ngjarjet ndërkombëtare dhe veçanërisht, për analizat që bënin intelektualët në burgje rreth zhvillimeve në botë. Relacioni i gjatë i 24 janarit 1948, përfshin informacione mbi të gjithë burgjet e Shqipërisë nga Korça, Tirana, Vlora, Berati, Peshkopia, Burreli, Kukësi, Durrësi, Gjirokastra, Shkodra, etj.

Kujto.al do i sjellë në vijim informacionet e përcjella nga të gjithë këto burgje, për Komitetin Qëndror të PKSH-së, më 24 janar 1948. Informacioni i parë i përcjellë është nga Korça. Për të burgosurit që ishin izoluar në Korçë, jepen shumë të dhëna për bisedat dhe mendimet që shkëmbenin mes tyre të burgosurit, të gjitha të marra përmes përgjimeve.
Por nga gjithë informacionet e përcjella nga Korça, me vlerë të veçantë ky, mbi punën e detyruar të të burgosurve.
Ndër të tjera, shkruhet për motin e keq që i kishte detyruar drejtuesit e burgjeve të mos i nxirrnin në punën të burgosurit. Por siç thuhet, me përmirësimin e kushteve atmosferike, do ta rikuperonin kohën e humbur duke i shfrytëzuar maksimalisht të burgosurit, duke i detyruar të punojnë gjtihë ditën e gjithë natën, pa u ndalur. “Këto ditë nuk kemi pasur të burgosur në punë, me përjashtim të 4-5 teknikëve, por me përmirësimin e konditave atmosferike, do të nxjerrim të burgosurit në punë, forcat që do të sigurojnë të burgosurit në punë, do të rrinë gjithë ditën në detyrë, pa u ndërruar fare, në mënyrë që u takon shërbim dhe natën, kështu që nuk do të kenë pushim...”

Më poshtë, e sjellim të plotë informacionin që dega e Zbatimit të Dënimeve në Ministrinë e Brendshme, përcillte për të burgosurit e Korçës:

DEGA PËR ZBATIMIN E DËNIMEVE

D. 24.I.48

RELACION INFORMATIV MBI BURGJET

KORÇA: Pandeli Nova thotë se tani diçka do të kemi me formimin e qeverisë greke. Thotë se shtetet e Ballkanit do ta ndihmojnë qeverinë provizore kështu që vet-vetiu do të niset një luftë, por neve paskemi qenë budallenj që blinim tokë dhe nuk bënim paratë florinj që t’i kishim pa të na mbanin në burg sa të donin. Unë kam hequr kohëra më të kritikshme dhe nuk jam bërë merak, dhe jo këtu. Po kështu dhe i burgosuri Nesim Nazarko kur erdhi një i burgosur nga ana e tij dhe e pyeti “Ç’kemi?”, ai i tha: “Ç’pyet ç’kemi, policia kontroll të njëpasnjëshëm po bën për armë dhe bereqet; ushtria është afruar afër kufirit afër tri-urave”. Në këto thënie të Baki Bektashit ka qenë dhe i burgosuri Xhevat Agolli dhe iu tha këtyre që neve po na mundojnë shumë, Nesim Nazarkoja tha: “Le të na mundojnë sa të duan por emrat tanë do të vijë një ditë që do të shkruhen me shkronja t’arta”. Po kështu thonë dhe gjithë tregtarët që janë burgosur për mos pagimin e tatim-fitimit të jashtëzakonshëm. Këta të gjithë kanë para por thonë: “A paguhen të shkretat s’janë pak, janë florinj, a nxirret i shkreti; pa dhe sikur t’i paguash a të lënë rehat këta, gjene në burg të fusin”. Kulakët që dhe këta presin se mos bëhet ndonjë ndryshim thonë: “Gjithë ky kazan që zien diçka do të nxjerrë, atje ku ka rrjedhur do të pikojë. Vili Eqimi me profesion profesor ka thënë me shumë kufizim ndër elementët e kategorisë së tij, se paqja botërore nuk ka për t’u bërë, se Konferenca e Paqes u shkatërrua dhe se nuk do të mblidhen më Ministrat e Jashtëm. Xhevit Sina ka thënë se pritet për së shpejti që vendi ynë do të shkelet nga grekët dhe nga anglo-amerikanët. Vasil Kondi me rastin e faljes të një pjese të burgosurish, ka thënë se këta po lirojnë gjithmonë të vobektit dhe fshatarët dhe për ne qytetarët është shumë zor lirimi. Pandeli Nova me rastin e lirimit të një pjese të burgosurish ka thënë: “Këta i marrin dhe i futin të pafajshëm në burg, dhe rrinë 5-6 muaj dhe i falin, për të fituar simpati nga të burgosurit dhe në popull”. Kristaq Faberi ka thënë që “mua s’më vjen keq se më kanë marrë në qoftë se kisha faj, por më kanë marrë të pafajshëm dhe nuk e gjykojnë fare çështjen”. Ibrahim Vashtemija tha se “kur nuk u liruam këtë radhë, kurrë për të liruar nuk kemi, por ç’do të na bëjnë, mish nuk do të na hanë, do të na vijë edhe neve dita”.

Kur mbante fjalën Gjeneral-Lejtnant Koçi Xoxe dhe kur zuri në gojë për tregtarët, bejlerët, hajdutët, Misto Lakoja tha se “keni të drejtë se po të mos kishim fituar neve që na i muart do t’ju shihnim”.

Këto ditë nuk kemi pasur të burgosur në punë, me përjashtim të 4-5 teknikëve, por me përmirësimin e konditave atmosferike do të nxjerrim të burgosurit në punë, forcat që do të sigurojnë të burgosurit në punë do të rrinë gjithë ditën në detyrë pa u ndërruar fare në mënyrë që u takon shërbim dhe natën, kështu që nuk do të kenë pushim. Prandaj meqë kërkesat nga entet e ndërmarrjeve të punës janë të shumta për të marrë të burgosur në punë, del i nevojshëm shtimi i forcave të rojeve për t’i plotësuar të gjitha nevojat e enteve.

Konferenca edukative e politike nuk janë zhvilluar, kurset kundra analfabetizmit nuk funksionojnë, gazeta e murit nuk ka dalë. Biblioteka e formuar rishtas frekuentohet nga një pjesë e mirë të burgosurish.

Lokalet e burgjeve nga ana e sigurimit janë në gjendje të mirë.

Personali i rojeve si të jashtmit dhe të brendshmit dhe të shoqërimit në punë, shërbimin e kryejnë me zell./kujto.al

S'KA KOMENTE