E arrestuan 72 vjeç. E dënuan me 7 vite burg. E lanë të masakrohej nga të sëmurët në spitalin psikiatrik, ku u nda nga jeta më 5 nëntor 1951. Në të njëjtën datë, pas 65 vitesh, Jul Bonati u shpall Martir i Kishës Katolike
Jul Bonati është një nga ata klerikë të martirizuar nga regjimi komunist në Shqipëri, që ka lënë gjurmë jo vetëm në rrugën e fesë, por edhe atë të studimeve. Intelektuali i diplomuar në Vjenë dhe i doktoruar në Padova, iu kushtua studimit të letërsisë dhe është përkthyes i “Lahutës së Malësisë” në italisht. Megjithatë, pavarësisht vlerave dhe veprave të tij, me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, ai u shpall armik. U arrestua dhe u dënua në moshë të thyer bashkë me Vinçenc Prenushin. Prenushin e dënuan me 20 vjet burg, ndërsa Bonatin me 7 vjet duke e akuzuar si “Agjent i Vatikanit”. Më vonë e mbyllën në spitalin psikiatrik të Durrësit, ku u torturua pa mëshirë, siç ai vetë do i tregonte së mbesës në një takim: “Kam provue tortura tё pandigjueme e tё palexueme. Masakra, me knaqё shpirtin e tyne, pa asnjё arsye…”. Jul Bonatin e lanë në duart e të sëmurëve të spitalit, ku edhe ndërroi jetë i masakruar, pasi kishte kryer pesë vjet burg dhe kur shpresonte të lirohej, për të dhënë mesha për besimtarët.
Kush ishte Jul Bonati
Jul Bonati u lind në Shkodër më 24 maj 1874 nga martesa e Aleksandёr Bonatit dhe Roza Malgushit. Gjyshi i tij, Nikollë Bonati ishte një nga themeluesit e Shoqërisë së Shkronjave të Stambollit. Jul Bonati studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër. U diplomua në Vjenë, Austri dhe më pas kreu studimet e doktoraturës për Letërsi dhe Filozofi në Padova, Itali. Më 1912 dorëzohet prift dioqezan dhe vendoset në Stamboll për të shërbyer në detyrën e famulltarit të katolikëve shqiptarë që ndodheshin atje. Shërben 16 vjet në Stamboll, ku merr pjesë aktive në lëvizjen kombëtare. Nga viti 1920 deri më 1924 ishte anëtar i Klubit “Pragu shqiptar” që kryesohej nga Jonuz Bej Kolonja dhe Anastas Frashëri. Prej viteve 1942 -1946 ka jetuar në Itali ku ka vazhduar punën shkencore e letrare deri në fund të vitit 1945 kur kthehet në Shqipëri dhe ku e arrestojnë, një vit më pas.
“Në hetuesi Imzot Prof. Jul Bonati pohon se “në vitin 1945 jemi mbledhë në Romë në takim me Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë anglezët me avion në Shqipni.” Më 1946, në moshën 72 vjeç arrestohet dhe me vendimin nr. 429 datë 31.10.1947 të Gjykatës Ushtarake është deklaruar fajtor për krimin: Agjent i Vatikanit, dënohet me 7 vjet heqje lirie. Vdes i masakruar në spitalin e burgut më 5 nëntor 1951. Sipas Prof. Dr. Ajet Shahu, “Imzot Jul Bonati u gjet në një dhomë copa-copa, i shkryem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”. Kështu barbarisht e mbylli jetën filozofi, humanisti, studiuesi, përkthyesi e prifti Jul Bonati”, shkruan Pirro Dollani në gazetën "Dielli", pak kohë para ceremonisë së lumnimit të 38 martirëve shqiptarë të kishës katolike, më 5 nëntor 2016.
Dollani sjell përmes kujtimeve të të afërmve, dëshmi për vuajtjet e Jul Bonatit në burgjet komuniste dhe fundin e tij të llahatarshëm.
“Aleksandër Bonati, nipi i Imzot Jul Bonatit e që trashëgon emrin e babait të Jul Bonatit, tregon: “Nana jonë ishte shumë e guximshme dhe na merrte ne fëmijëve për të parë axhën në burg. Babai gjithnjë i thoshte të mos shkonte se do të na ndodhte ndonjë gjë e keqe. Por nana i përgjigjej: ‘Mos u shqetëso mor Jerom, se marrim bekimin e Julit.’ Në shtëpi prindërit flisnin për Imzot Jul Bonatin, por me rezerva, se rrethanat ishin shumë të këqija dhe frika ishte se ne fëmijët padashje mund të flisnim jashtë dhe pasojat do të ishin drastike. Për herë të parë kam folur jashtë shtëpisë për të, shumë vite më vonë, kur punoja mësues. Një koleg, më i vjetër se unë, Prof. Burhan Hoti, më merr një ditë veçan larg njerëzve dhe mureve të shkollës, e në një cep të oborrit më thotë: ‘Dua të them diçka. Duhet të dish se nga të dy prindërit tuaj jeni një familje shumë atdhetare. Axha i babait tuaj, Jul Bonati, ka qenë një personalitet e patriot i madh, pavarësisht nga disfatat e jetës. Ai ishte ndihmësi i zotit Luigj Bumçi, kryetarit të delegacionit në Konferencën e Paqes e i ngarkuar nga dërgata e shqiptarëve të Stambollit shkon në Paris së bashku me 50 mijë firma, ku kërkohej që Korça dhe Gjirokastra të mos i jepeshin Greqisë.’ Kjo ka qenë hera e parë në jetën time ku më është folur hapur për figurën e Imzot Jul Bonatit. Po kështu, nipi tjetër zoti Anton Bonati kujton: Mbaj mend që nëna, Esther Bonati, na mori, ne fëmijët për të shkuar në spitalin e burgut për t’u takuar me Imzot Jul Bonatin, se siç na tha, të nesërmen do ta nxirrnin. Sa e takuam, i tha nanës: Mirë që më kanë fut në burg padrejtësisht, po pse m’i kanë dërrmu gjunjët duke më qëllue me objekte hekuri? Jam shumë i preokupum se nuk do të jem në gjendje me qindrue në kamb’ për me zhvillue meshën kur të dal nga burgu. Mbaj mend nanën që i tha: Mos u shqetso Jul, me bastun ta japësh meshën, me bastun! Ai heshti një çast, fytyra i çeli dhe tha: “Ah, s’më kishte shkue n’mend.” Kishte ruajtur racionin e marmalatës që i jepnin për mëngjes dhe na i dha ne fëmijëve. Të nesërmen pritëm që të dilte nga burgu, por na njoftuan se kishte vdekur. Një vdekje e papritur. Nga prindërit dëgjuam se disa “të sëmurë” të tjerë e kishin rrahur, copëtuar”.
Autori i shkrimit të publikuar nga gazeta "Dielli" në SHBA, sjell fakte edhe rreth përkthimeve dhe veprimtarisë studimore të Jul Bonatit.
“Aleksandër Bonati tregon sesi një kushëri i tij dhe i Imzot Jul Bonatit, zoti Mario Kolenda, me banim në Brazil, kishte marrë një letër nga Imzot Bonati ku ishkruante se gjatë 16 vjetëve të qëndrimit të tij në Stamboll kishte kërku në arshivat e atjeshme dhe kishte mbledh shumë materiale me vlerë për vendin tonë. Po kështu, gjatë periudhës që kishte qenë i sëmurë në Firencë, kishte mbaruar përkthimin në italisht të “Lahutës së Malcis” dhe sapo kishte nisur punën me përkthy “Kanunin” e Lekë Dukagjinit.
Papa Piu X i pati thënë Imzot Serreqit: “Jeni të lum që keni . . .martir si Imzot Bonati që ka përthye Lahutën e Malcis” n’italisht.”
Po këtë pohim e bën edhe Prof. Arshi Pipa. “Një ditë sollën në qelinë tonë, Imzot Jul Bonatin, famullitarin e Vlorës. E sillshin për ta strehue në azilin e të çmendunve në Durrës. E kisha njoftë që kur kisha kenë student në Firenze. Ai përpiqej asokohe, me shtypë përkthimin e vet të “Lahutës. . .” Kjo anë e krijimtarisë së Imzot Bonatit pati të njëjtin fat tragjik që pati edhe një pjesë e madhe e krijimtarisë së Serembes. Nga tërë përkthimi i “Lahutës së Malcis” na ka mbetur vetëm Kënga e Pestë, ndërsa nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit” nuk dimë asgjë. Sipas zotit Aleksandër Bonati, një kushëri i tij dhe i Imzot Jul Bonati, zoti Mario Kolenda, që gjatë vitit 1945 ka pas banuar në Bari, e ka ndihmuar Imzot Jul Bonatin duke çuar vetë tre kuti plot me studime e shkrime të Imzot Bonatit te Misioni Shqiptar i UNRRA-s në Bari, me qëllim që t’i dërgonin në Durrës. Zoti Mario Kolenda kishte edhe një letër që Imzot Bonati ia adresonte personalisht znj. Penington, përgjegjëse e këtij Misioni. Mbasi janë bërë gjithë veprimet përkatëse, Znj. Penington ia kthen letrën z. Kolenda, i cili para se të vdesë ia dërgon kushëririt të tij Aleksandër Bonatit: “I lutem UNRRA-s, misionit shqiptar në Bari, në rrugën Dante Aligeri, që dashamirësisht të dërgojnë në UNRRA-ne Durrësit, tre pako të përmbledhura brenda një kutie të vetme, duke njoftuar znj.Ruth V.Penington të UNRRA-s, misioni shqiptar CMF Durrës, që kutia e sipërpërmendur i përket të nëshkruarit Imzot Jul Bonati. Një mijë Falenderime, Prof. Jul Bonati Bonatti”. Këto materiale u transportuan dhe arritën në Durrës, por Imzot Jul Bonati mbas kthimit në Shqipëri përfundoi në burg dhe kjo pjesë e krijimtarisë së tij s’dihet se ku ndodhet apo kush i ka përvetësur”.
Eshtrat e Jul Bonatit, prehen në varrin e familjes Bonatinë Spitall, në varrezat e vjetra të Durrësit, së bashku me nipin, Jerom Bonatin dhe zonjën e tij Estherin, gruan e guximshme që i shkonte në burg si edhe me nënën e Jerom Bonatit, Evgjenin.