Si ndihet një ish-i burgosur politik përballë atyre që tregohen indiferentë për vuajtjet e padrejta në diktaturë? Çfarë do t’u thoshte atyre që mendojnë: "Eh, fundja ç'bëtë ju?... Vezën e kuqe?”, apo "Hë mo, se fundja nuk jeni heronj!”? Ky refleksion, që ish-i dënuari politik, Islam Spahia, e ka titulluar "Mediokriteti i artë", vjen si një përgjigje e vlefshme në çdo kohë për ata që zgjedhin të mos mbajnë asnjë qëndrim për krimet e diktaturës, apo deri edhe i mohojnë ato
Nga: Islam Spahia
Ne, ish-të përndjekurve politikë, na qëllon shpesh të ndeshemi me një apati të çuditshme në ambientin që na rrethon: apati që nganjëherë arrin gjer në urrejtje. Kjo gjë, duke na befasuar, na duket krejt e rastësishme dhe nuk i vëmë rëndësi. Këtu veç gabojmë: Kjo dukuri nuk është pa rrjedhojë e madje është e rrezikshme. Po t'i shtojmë vëmendjen e duhur, do të shohim që këtu kemi të bëjmë më një mentalitet që i ka rrënjët në të kaluarën e zezë; një pengesë kjo në rrugën tonë e cila duhet mposhtur pa hezitim dhe me vendosshmëri. Ne e kemi atë forcë që na duhet: atë e kemi fituar me sakrificat dhe vuajtjet tona të shenjta. Shpesh rasti na takon më një kategori shoqërore të cilën do ta quanim sipas shprehjes së njohur latine: Aurea Medioeritas (Mediokriteti i artë).
Ironia e kësaj shprehjeje i kushtohet atyre temperamenteve apo karaktereve njerëzore të cilat e kanë për natyrë të qëndrojnë “në mes” të çdo veprimi në jetë, d. m. th. as djathtas, as lart, as poshtë. Janë ata që në çdo ndryshim apo përmbysje mbeten në të njëjtin vend. Autori i shprehjes së cituar, poeti i madh latin Horaci, në të vërtetë ka dashur të thotë që "Një konditë mesatare garanton qetësinë dhe sigurinë dhe duhet preferuar nga të gjithë".
Po kujt vallë ia ofron këtë "lumturi" poeti i lashtë? Nuk ka dyshim që këta "të gjithë" janë vulgu, kategoria më e ulët e shoqërisë njerëzore. Ja se ç' thotë për ta Konica ynë: "Vulgu, dhe nga kjo fjalë unë marr vesh gjithë armiqtë e kulturës: pashallarë, bejlerë, agallarë, krenë, bujq, miljonarë, bakaj, salepçi, etj. Vulgu është armik i lerë i mendimtarëve. Instinkti i tij është i tërë kundër këtyre njerëzve, të cilët as s'mundet, as dëshiron t’i kuptojë".
Janë këta pra të cilët duke qenë të ndërgjegjshëm për inferioritetin e tyre, vjellin vrerin e zilisë ndaj çdo gjëje që ka vlerë morale e kështu edhe kundër vuajtjeve të ish-të përndjekurve politikë. Shokët tanë të vuajtjes sa herë kanë dëgjuar nga goja e tyre: "Eh, fundja ç'bëtë ju?... Vezën e kuqe?”. Ose: "Ndryshimin në mes nesh qëndron vetëm në faktin që ju shkelët “në vijat e bardha" e ratë në burg, kurse ne qemë më të kujdeshëm e shpëtuam”. Një tjetër: “Ju ratë brenda se nuk iu durua pa folur"! Ose: "Hë mo, se fundja nuk jeni heronj!” E më në fund ndonjë i mençur që në gjakënxehtësi e sipër shfryn: "Të gjithë ju që keni qenë në burg jeni budallenj!". E gjaknxehtësia është si alkoli: nxjerr atë që ka barku. Çfarë ftohtësie bie mbi ne, ç'indinjatë na pushton kur dëgjojmë këta cinikë! A nuk ka qenë indiferentizmi, servilizmi, hipokrizia e tyre që na ka ndrydhur më keq se telat me gjemba? A nuk qe ajo turmë enthusiaste që eksitoi sadizmin e tiranëve nëpër gjyqet tona ashtu si dikurë në cirqet romake? A nuk janë këta sot, të cilët pas shembjes së komunizmit mbështesin po me të njëjtën mënyrë neokomunizmin? Oh, po! Ata janë: në zyra, në dyqane, nëpër partira, shoqata, nëpër rrugë e kudo. Pa provo njëherë para këtyre snobeve që të kritikosh Qeverinë, rendin, gjyqet. Çdo kritikë quhet sharje. Tashmë nuk janë ata indiferentët e dikurshëm, të ndrojtur, të urtë, të disiplinuar dhe soditës passive të realitetit: ajo ish-përshtatja "ideale" ndaj një sitemi diktatorial.
Sot ka një "stil" tjetër: sot ka "liri", prandaj janë bërë agresivë. "Demokraci" çirren me arrogancë, që për ta kjo fjalë do të thotë: "Lejohet çdo gjë..", e kështu, të strehuar nën sloganin "Me ne fitojnë të gjithë", të shohin vëngër dhe, duke buzëqeshur me qesëndi, të thonë: "E shikon?... Kot e ke! Si dje, ashtu dhe sot, ne jemi në të njëjtin pozicion e jemi të fituar. Ju qetë kryengritës, ashtu jeni edhe sot, por nuk po fitoni gjë. Kush është më i zgjuar?"... Por fakeqësia nuk ndalon këtu; ka një kulm tjetër: Me ta janë bashkuar edhe disa bashkëvuajtës tanë. Kjo porse nuk është për t'u çuditur: ne e dimë se nëpër burgje ka patur vulg sa të duash.
…Po a është e nevojshme t'u përgjigjemi pretendimeve të "mediokrëve të artë"? Unë mendoj se po. "Shpesh duhet përsëritur e vërteta sepse shpesh përsëritet edhe gënjeshtra" (Shekspiri). Atëherë: Për sa i përket "vezës së kuqe" do t'u thoja këtyre: Atë kërkojeni nga të tjerë. Tek ne do të shihnit vetëm kurorën me gjemba, por nuk e keni atë mundësi sepse shkëlqimi i saj ju verbon…..
Ndërsa "vijat e bardha" të diktaturës munden t'i shkelin vetëm guximtarët dhe ne qemë ata. Ju nuk e bëtë dot këtë gje se, - siç thoni vetë, patët frikë. Epo guximi është virtyti më i lartë i natyrës njerëzore, kurse për frikën Balzaku thotë: "është një kollos që pjellë poshtërsinë!'.
Ne nuk mburremi që jemi heronj. Ashtu ju duket juve sepse vetë dyshoni për një gjë të tillë, dhe kjo është shumë kuptimplotë... Po, ne mburremi që nga radhët tona kanë dalë heronj, kurse ju dridheni nga ky pohim.
E, më në fund, dëgjoni more të mjerë: Po të kishit qenë dhe ju ashtu si ne, diktatura komuniste nuk do të ishte vendosur kurrë në vendin tonë. Mirëpo ju ishit ai vulgu që përbën terrenin e përshtatshëm për t'u mbështetur ajo. Ju jeni ajo “e mesme e artë”, shpirtrat "asnjanës” të cilët filozofia e Dantes gjenial i pat vendosur në kufirin në mes Qiellit (parajsës) [dhe Ferrit], apo siç thotë populli "as në qiell as në tokë”. Ndonëse ju nuk e ndjeni torturën (sepse jeni apatikë), nuk mund ta duroni ndërgjegjen e inferioritetit tuaj dhe aq ngushtë e shihni veten se keni zili gjer edhe vuajtjet tona; prandaj i mohoni ato. Por ju jeni të dënuar nga Providenca që, siç thuhet në Komedinë Hyjnore: "Qielli nuk i pranon se ia prishin bukurinë/ Mëkatarët e ferrit nuk i duan se ua shtojnë merzitjen".
Para së të përfundojmë duhet të evitojmë një keqkuptim: Skeptikët keqdashës mund të na akuzojnë që duke demaskuar mediokrit, ne ankohemi kundër gjithë shoqërisë. Aspak! Shumica kanë respekt për vuajtjet tona e pikërisht për këtë na duan dhe na respektojnë; edhe ne kemi të njëjtën ndjenjë dhe mendim për ta. Janë vëllezërit dhe motrat tona me të cilët kemi një ideal të përbashkët që është shprehur shumë bukur me fjalët: "Atdheu mbi të gjitha" (Zogu I). Kurse me mosmirënjohësit meskinë, parazitët imoralë të vuajtjeve tona, me ata nuk na ka lidhur dhe nuk na lidh gjë...
Shënim: Marrë nga libri “Karuseli i totalitarizmit”, i autorit Islam Spahia, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë 2020.