U arrestua pas meshës së mbrëmjes së Krishtlindjes dhe aty nisi rruga e gjatë e mundimeve për Ernest Simoni Troshanin, i cili u burgos për 18 vjet dhe u detyrua të bënte punë nga më të rëndat. E megjithatë drita e asaj nate të shenjtë e mundi errësirën e diktaturës në jetën e tij. Ai veshi sërish veladonin e priftit, mbajti mesha dhe sot është Kardinal Nderi
Ndërsa zemrat e besimtarëve të Barbullushit ishin ende të ngrohura nga flakëza që kishte ndezur Mesha e Vigjiljes së Krishtlindjes drejtuar nga Dom Ernesti, katër oficerë të Sigurimit ndaluan para meshtarit, i komunikuan arrestimin dhe pushkatimin dhe i lidhën duart me hekura, pas shpine. E zbritën me përdhunë nga qiejt ku ishte ngjitur gjatë predikimit për foshnjën e shenjtë dhe e përplasën në dhomën e izolimit. Për tre muaj me radhë u mor në pyetje dhe u torturua, por nuk u dorëzua. Më në fund, i shpëtoi pushkatimit pasi Zoti deshi të mbetej gjallë dhe u dënua me 18 vite burg. I kreu në kampe të ndryshme, përfshirë Spaçin, ku kreu punë nga më të rëndat, por nuk hoqi kurrë dorë nga besimi dhe as nga praktikat fetare duke vazhduar fshehtas të thoshte meshë, të rrëfente e të kungonte. Ajo që nuk dinin persekutorët e tij, ishte se Krishti, lindjen e të cilit kishte predikuar pak para arrestimit ishte gjithmonë me të, edhe aty ku dielli nuk hynte.
Më 19 nëntor 2016, në moshën 88-vjeçare, Dom Ernest Simoni që ndryshe njihet edhe me emrin e vendlindjes së tij si Ernest Troshani, u shpall Kardinal nga Papa Françesku. Sigurisht, kreu i Vatikanit nuk e kishte harruar kurrsesi jetën e Ernest Simonit, që kleriku shqiptar e rrëfeu gjatë fjalës që mbajti para Papës në vizitën e tij në Tiranë në vitin 2014. Zëri i tij i rrëfimit është i butë, siç është zëri i shpirtrave që falin, por krimet e diktaturës, gjithsesi, bërtasin me një egërsi të pashoqe.
Dëshmia e Ernest Simoni (Troshanit) para Papa Françeskut
Unë i quajturi Dom Ernest Simoni (Troshani), si bari shpirtëror jam lidhur me Kishën Shenjte para 70 viteve. Në dhjetorin e vitit 1944 erdhi në fuqi shtetërore partia komuniste ateiste, e cila në parim kishte eliminimin e fesë, duke synuar kështu të zhdukte Klerin. Në zbatim të këtij program menjëherë filloi arrestimi, torturimi e pushkatimi i qindra meshtarëve dhe civilëve, për shtatë vite radhazi, duke rrjedhur gjaku i pafajshëm i besimtarëve, ku disa prej tyre, para pushkatimit, brohoritnin “Rrnoftë Krishti Mbret”. Në vitin 1952 qeveria komuniste, për konjukturat politike të saja, me urdhër të Moskës, Stalinit, kërkoi mbledhjen e meshtarëve që kishin mbetur gjallë për ta lejuar ushtrimin e lirë të fesë, por me kusht që Kisha të shkëputej nga Papa e Vatikani. Këtë qëllim të qeverisë kleri nuk e pranoi kurrë. Unë kam vazhduar studimet në kolegjin françeskan për dhjetë vite: 1938–1948. Eprorët tanë u pushkatuan nga komunistët, dhe për këtë arsye u detyrova t’i vazhdoj fshehtas studimet teologjike që më kishin mbetur. Pas katër vitesh më morën në ushtri, me qëllim që kështu të gjenin rast të më zhduknin. Bëra dy vite aty, vite që ishin më të tmerrshme se në burg. Por Zoti më shpëtoi dhe më 7 prill 1956 u shugurova meshtar. Të nesërmen, ditën e Mëshirës Hyjnore, Dominica in Albis, kremtova Meshën e Parë. Tetë vite e gjysmë vazhdova shërbimin fetar. Por komunistët vendosin për të më zhdukur. E prandaj, më datë 24 dhjetor 1963, sapo mbarova kremtimin e Meshës së Vigjiljes së Krishtlindjeve në fshatin Barbullush të Shkodrës, me vijnë katër oficerë të Sigurimit e më paraqesin dekretin e arrestimit dhe të pushkatimit. Më vunë hekurat duke m’i lidhur krahët pas shpinës dhe, duke më goditur me shkelma, me futën në makinën e tyre. Nga kisha më çuan në dhomat e izolimit, ku më lanë për tre muaj në kushte çnjerëzore jetese. Ashtu të lidhur më çuan në hetuesi. Kryehetuesi më tha: “Ty do të të varim në litar si armik, sepse i ke thënë popullit që të vdesim të gjithë për Krishtin po qe nevoja”. M’i shtrënguan hekurat aq fort në duar saqë gati me penguan sistolacionin e zemrës e gati pata vdekur. Donin të më bënin të flisja kundër fesë dhe kundër hierarkisë kishtare. Unë nuk pranova asgjë. Nga torturat rashë gati i vdekur. Kur e panë këtë, hetuesit më liruan. Zoti deshi që të vazhdoja të jetoja. Një ndër akuzat ishte edhe kremtimi i tri meshave për shpirtin e Presidentit amerikan Xhon Kenedit të vrarë një muaj para arrestimit tim, Meshë të cilat i kremtova sipas urdhrit të Papës Pali VI të dhënë të gjithë meshtarëve të botës. Unë isha i abonuar në revistën kryesore sovjetike “L’union Sovietique”, në frëngjisht. Kjo ndërkohë që Shqipëria i kishte shkëputur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Revistën, në të cilën gjendej fotoja e presidentit amerikan, e paraqiten në gjyq si provë materiale. Një rrethanë e provanisë hyjnore, bëri që dënimi im me vdekje të mos ekzekutohej: Në dhomat e izolimit më sollën edhe një të burgosur tjetër, i cili ishte edhe miku im më i dashur, por që në këtë rast kishte qenë spiun. Ai filloi të fliste kundër partisë në pushtet, por unë i përgjigjesha gjithnjë se Krishti na ka mësuar t’i duam armiqtë tanë dhe t’i falim ato e të punojmë për të mirën e për begatinë e popullit. Këto fjalë shkuan në vesh edhe të diktatorit, i cili pas pesë ditësh ma hoqi dënimin me vdekje. Por këtë dënim ma shndërruan në 18 vite burg në minierat e Spaçit. Pasi përfundova burgun, më dënuan sërish me punë të detyruar: për dhjetë vite (pra deri në rëniet e komunizmit), kam punuar nëpër kanalet e ujërave të zeza. Gjatë kohës kur isha në burg, kam thënë Meshën përmendësh në latinisht, si edhe kam rrëfyer e kunguar fshehtas. Me ardhjen e lirisë fetare më ka ndihmuar Zoti që të shërbej në 110 fshatra dhe kam pajtuar shumë gjaqe me Kryqin e Krishtit, duke larguar urrejtjen dhe djallin nga zemrat e njerëzve.