E kaluara

0
23
"Sa më i paditur dhe i pandjeshëm të jetë njeriu, aq mospërfillës dhe mohues është ndaj së kaluarës...Po cilët janë vallë, ata që i tremben së kaluarës?". Një refleksion nga ish-i dënuari politik, Islam Spahia mbi kategoritë e njerëzve që i tremben kujtimit të së kaluarës në Shqipëri
Nga Islam Spahia
E kaluara gjithmonë ka qenë tema e shfrytëzuar nga mendimtarët: megjithatë mendojmë që asnjëherë nuk ka qenë kaq shqetësuese dhe kaq e mohuar se sa është në ditët tona dhe në vendin tonë. Duke pasur parasysh këtë të vërtetë të hidhur si dhe rrjedhojat, arrijmë në
përfundimin që, sa më i paditur dhe i pandjeshëm të jetë njeriu, aq mospërfillës dhe mohues është ndaj së kaluarës.
Janë pikërisht forcat e errëta ato që mundohen të asgjësojnë vlerat morale që sollën qytetërimin. Sa e kotë!
Po ç'është e kaluara? - “Ti vetë!”- ka thënë një i mençur. Nga kjo kuptohet se sa tragjikomike është të fshihesh prapa mohimit të vetvetes. Mund të flitet mjaft mbi këtë
çështje, por ne këtu nuk duam tjetër, veçse t'u përgjigjemi spekulluesve të politikës, të cilët kanë shpallur sloganin cinik: "Ne tashmë nuk do të merremi me të kaluarën!”
Janë të shumtë ata që i tremben së kaluarës, po cilët janë vallë?
Ne, të dënuarit e diktaturës më barbare që ka njohur historia, ne pra, e dimë fare mirë kush janë. Janë disa kategori njerëzish, po ndër ta do të përmendim:
Të parët, janë anëtarët e klanit të kuq, të cilët i kanë zhytur duart gjer në bërryla në gjak të pafajshëm; këtu përfshihen pushtetarët monistë dhe gjithë aparati i diktatures. Të dytët, janë të priviligjuarit e sistemit komunist, të cilëve nuk u intereson të kthejnë sytë
prapa, sepse ajo anë paraqet një akuzë për servilizmin e tyre. Këtu bëjnë pjesë të gjithë ata, që nga frika apo interesi u pajtuan me regjimin diktatorial.
Të tretët, janë ata që nga pozita shoqërore u ndodhën objekt i luftës famëkeqe të klasave dhe nga pafuqia u thyen. Me fjalën "u thyen" kuptojmë nënshtrimin dhe kthimin në
vegël të diktaturës, duke u bërë servilë dhe spiunë. Mjerisht këta bëjnë pjesë në radhët tona.
Pastaj vijnë apatikët (të pandjeshmit) ndaj vuajtjes: këtu hyjnë ata që janë dënuar për bindjet, që nuk i kanë patur, ata që janë dënuar kot. Këta as kanë pasur dhe as kanë ndonjë koncept ideologjik. Këta edhe, fatkeqësisht, bëjnë pjesë në radhët tona. Të gjithë këta bashkojnë zërat me një kor të vetëm; duke mohuar të kaluarën, ajo që duket e
çuditshme, është që një pjesë janë në pozitë, dhe pjesa tjetër në opozitë, ose bredhin me modelin e disidentit nëpër botë. Janë ata për të cilët R. Qosja ka thënë me shumë të
drejtë: "U errën bolshevikë dhe na u zgjuan demokratë".
Në rast se duam vërtet ta ndërtojmë jetën e re, të cilën sot është bërë zakon ta quajmë me dashuri "Demokraci", duhet të jemi të mençur, të urtë dhe të drejtë. E në qoftë se duam të nxjerrim mësime nga historia, le të vemi herë pas here në varreza, në atë botë të amshuar. Përmes heshtjes së përjetshme do të dëgjojmë zërin e përvojës. Kështu do të dimë të kthehemi prapa në të shkuarën për të parë të tashmen nga larg. Vetëm atëhere shikimi ynë do të përfshijë gjithë figurën në tërësi e pastaj, duke u afruar tek koha e jonë do ta kuptojmë atë në të gjitha hollësirat dhe më mirë se ata, të cilët nuk e kanë braktisur asnjëherë. E do të shkojmë përpara pasi të kemi njohur gjurmët mbi të cilat kaloi kalvari gjysëmshekullor i popullit shqiptar dhe pasi të njohim ato shtigje nëpër të cilat shoqëria
jonë mos të ketë as mundësi as të drejtë që të kalojë më.
Ky vend nuk ka nevojë më për karrieristë, por për Cincinate. E mbi të gjitha: kurrë mos të harrojmë!
Shënim: Marrë nga libri "Karuseli i totalitarizmit", i autorit Islam Spahia (Spahiu), botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë 2020. Në imazhin kryesor: Monumenti i dy poetëve të pushkatuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmi në Librazhd.

S'KA KOMENTE