Dr Sazani, mjeku që shëroi plagët e partizanëve, u vra me urdhër të Enver Hoxhës

0
451

Kush ishte dr Enver Sazani mjeku që studioi në Francë dhe iu bashkua lëvizjes Nacional-çlirimtare me idealin patriotik. Lindi në Gjirokastër dhe studio në Liceun e Korçës, bashkë me diktatorin Enver Hoxha. U ekzekutua pas vendimit në procesin e njohur si “Gjyqi i Deputetëve”. Bashkëshortja franceze e dr Sazanit gjen varrin e tij, por fadromat e hedhin kufomën në lumin Lanë.  

 

Atdhetar, intelektual e madje me bindje komuniste idealiste, por kur e kuptoi diktaturën e egër që po vendoste Enver Hoxha, ai reagoi, dhe si kundërpërgjigje e pushkatuan në të ashtëquajturën “Gjyqin e Deputetëve”. Diktatori e njihte mirë dr Enver Sazanin, pasi ishin gati të së njëjtës moshë dhe kishin studiuar në Liceun e Korçës. Formimi intelektual i Sazanit ra në sy nga rezultatet e shkëlqyera, duke fituar bursë për studime në Francë. Kryen studimet e larta për mjekësi të përgjithshme, dy vjet në Monpelie, ndërsa pjesën tjeter në Lion. Specializohet dy vjet të tjera për pathologji- radiologji.

Kthehet në vendlindje dhe bëhet pjesë e Çetës Krujë-Ishëm dhe i Çetes së Pezës. Gjatë kohës së luftës, qindara të plagosur partizanë jetën e patën pikërisht nga ndërhyrjet e dr Enver Sazanit. Më vonë Sazani emërohet Drejtor i Spitalit Ushtarak në Tiranë, por një post që nuk do e gëzonte gjatë. Emri i tij ishte në rreth të kuq dhe kush tjetër do e “vizonte”, përveç Enver Hoxhës, që në këtë mënyrë do ta zhdukte, duke e vrarë bashkëqytetarin e tij dhe njëkohësisht shokun e dikurshëm të shkollës. Me preteksin se kishin krijuar një organizatë tradhtare, dr Enver Sazani arrestohet ndërsa ishte zgjedhur deputet në vitin 1945.

Gjyqi i ngjante një skene teatri, ku luhej tragjedia e “shkruar” nga dy emrat më të tmerrshëm të kohës, Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe.  Procesi i njohur  si “Gjyqi i Deputeteve” u zhvillua në 27 shtator 1947 në sallën e kinemasë “17 Nëntori”. Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i përbërë nga Major Niko Ceta -Kryetar, Kapiteni i I Nexhat Hyseni anëtar dhe Kapiteni i II-Mustafa Iljazi anëtar, shpallën vendimin e dënimit të grupit të deputetëve të Legjislacionit të Parë të zgjedhur në vitin 1945. Pas disa sencash të shpejta gjyqësore dr Enver Sazani dënohet me vdekje, pushkatim. Ekzekutohet më 10 tetor 1947. Drama nuk kishte përfunduar për familjen Sazani.

Bashkëshortja e mjekut të njohur ishte franceze dhe pas pushkatimit bëri çmos që të paktën të gjente eshtrat e tij. Ka dëshmi se bashkëshortja e dr Sazanit, bashkë me bashkëshorten e Irfan Majunit, (e bija e Tefik Deliallisit), e gjetën vendin e pushkatimit në breg të lumit (afër Uzinës Dinamo në Tiranë) dhe gërmuan natën, deri sa hasën e rrobat e burrave të vrarë nga regjimi. Vendosën nga një letër me emrat e secilit të vulosur në një shishe, që ta kishin si shenjë nëse do bëhej zhvarrimi në të ardhmen, por vetëm pak ditë më pas fadromat gërmuan vendin dhe dyshohet se trupat e tyre u zhdukën në lumin Lanë. Me ndërhyrjen e shtetit francëz, bashkëshortja e dr Enver Sazanit dhe djali i tyre arrijnë gjashtë muaj më vonë që të largohen për në Francë. Jetuan me kokën pas pikërisht nga krimet e komunizmit që në këtë rast nuk vranë vetëm një intelektual të njohur, por edhe mjekun human që kishte shpëtuar qindra jetë gjatë dhe pas luftës.

S'KA KOMENTE