Dha shpirt i varur për krahësh, fundi makabër i famullitarit të Mirditës

0
911

Një nga martirët e Kishës Katolike të shpallur të lumë në ceremoninë e 5 nëntorit në vitin 2016, është Mark Xhani. Famullitari 38-vjeçar, u torturua dhe u var për sqetullash në një tra derisa dha shpirt. Më pas, e tërhoqën nëpër një shpat mali dhe ua lanë qenve ta shqyenin, për të hedhur në përrua, ç’mbetej. Të gjitha këto i bënë në zonën ku ai kishte shërbyer që nga shugurimi si prift e ku të gjithë e donin për përkushtimin dhe zemërbutësinë

 

Mark Xhani apo Gjani është një nga martirët e Kishës Katolike, të lumnuar më 5 nëntor të vitit 2016. Prifti 38-vjeçar humbi jetën në tortura nga më çnjerëzoret dhe jo vetëm kaq, por kufoma iu trajtua në mënyrë barbar duke u hedhur në një shpat që ta copëtonin qentë e më pas u hodh në përrua.

Nuk mund ta thuash çfarë ka shenjuar më shumë kujtimet e mirditorëve të zonave që Marku zgjodhi t’ua kushtojë vitet e shërbimit: përkushtimi, butësia e dashuria e tij ndaj njerëzve të atij vendi, apo fundi i tij horror. Dhe në këtë fund nuk mund të thuash çfarë të bën më shumë përshtypje: forca shpirtërore e famullitarit që u rezistoi torturave, apo barbarizmi i papërmbajtur i persekutorëve.

Marku me origjinë nga Dukagjini, lindi më 10 korrik të vitit 1909 në Shën Gjergj të Malit të Zi. Në moshën e adoleshencës, hyri në Seminarin Papnor në Shkodër dhe më pas studioi dhe u diplomua në Gjenova të Italisë. U kthye në atdhe dhe zgjodhi të shërbente në abacinë e Oroshit, në një nga zonat më të thella të vendit. Aty shërbente njëkohësisht edhe si sekretar i ipeshkvit Frano Gjini, i cili më vonë largohet nga abacia e Oroshit për detyra të tjera kishtare.

Kur komunistët nisën raprezaljet ndaj klerit katolik, megjithë këshillat e besimtarëve, ai nuk pranoi ta linte detyrën e meshtarit. Ishte i vendosur të qëndronte dhe sado që dita-ditës bëhej më e vështirë, ai nuk lëkundej.

Kur në vitin 1945 arrestuan famullitarin e Kthellës, dom Nikollë Kimza, Mark Gjani nuk u struk, por shkoi të kujdesej edhe për besimtarët e asaj zone.

Në vitin 1946, u arrestua Frano Gjini, ish-abati i tij me të cilin kishte krijuar një marrëdhënie të fortë besnikërie. Ky arrestim ishte një shenjë më shumë që ora e tij po afrohej, por as këtë herë Mark Xhani, nuk u lëkund. Ndërsa kambanat e terrorit kumbonin në mbarë vendin, ai vazhdonte të kujdesej që kambanat e kishave të ftonin besimtarët për të dëgjuar lajmin e mirë.

Dhe kështu erdhi edhe arrestimi i tij. Arsye ishte veprimtaria kishtare. E arrestuan në Kalivare dhe e dërguan në burgun e Shën Palit, që njihet edhe si Shpal, ku nisën ta merrnin në pyetje dhe ta torturonin çnjerëzisht. I kërkonin të mohonte Krishtin, por ai përgjigjej: “Rrnoftë Krishti Mbret!”. Nga shkalla e dhunës së ushtruar, kuptohet që hetuesit ishin bërë zotër të jetës së tij, pa u shqetësuar shumë për proces gjyqësor dhe vendim gjykate.

Nikollë Përndoj i dënuar në të njëjtin burg me të, gjatë asaj kohe, ka treguar torturat që pësoi Marku gjatë hetuesisë. Për një javë rresht atë e goditën me shkopinj, ia dogjën këmbët me shufra hekuri të skuqur dhe ia shkulën mishin me darë, duke ia mbushur trupin me plagë. Fantazia ndoshta jo, por Shkrimet e Shenjta e kishin përgatitur edhe për vuajtje të tilla. Sigurisht, duke qenë njeri, ai mund të thyhej, por nuk e bëri. Për hetuesit ishte koha e kënaqësisë sadiste, ndërsa për Mark Gjanin, koha e së vërtetës.

Ashtu të rrahur e plagosur, e varën për sqetullash te një tra dhe e lanë të vdiste nën tortura.

Më pas e lidhën me një litar dhe e tërhoqën zvarrë në një shpat mali. Urdhëruan që të mos e varrosnin. U la aty që ta shqyenin qentë dhe çfarë mbeti nga trupi, e hodhën në përrua duke e lënë pa varr.

Megjithatë atij, siç ka shkruar Gjon Mark Ndoj: “I humbi varri, por jo kujtimi”. Po njëlloj është e vërtetë që humbën gjurmët, por jo krimi.

S'KA KOMENTE