Daut Elezi/Tre breza nën hijen e një pushkatimi

0
74

Pushkatimi për motive politike i Daut Elezit do të nxirrte në rrugë familjen e tij, ku më e rritura ishte bashkëshortja 25-vjeçare. Fëmijët do të rriteshin mes lotëve dhe frikës nga përndjekja. Një përndjekje që vazhdoi edhe me brezin e tretë të familjes.

 

Pjesën e parë të intervistës me të bijën e Daut Elezit, Suzana Elezi Dervishi, mund ta lexoni këtu.

 

Çfarë ndodhi me ju pas pushkatimit të babait?

Suzana Elezi Dervishi

Ne nuk jemi të internuar, por jemi të dëbuar. Na çuan në Dushk. Atje, vjen na merr njerka e nënës se dëgjoi që po bëheshin kampet në Tepelenë. Na çon në shtëpinë e saj. E thërrasin ata të Frontit a të lagjes dhe i thonë: “Ke marrë familjen e kriminelit, gruan e kriminelit”. I tha: “Unë e kam vajzën e burrit, ma ka lënë amanet burri. Unë s’e lë sikur të ma prisni mishin!”. Me fat ka qenë që i ka ecur fjala! “Meqenëse dhëndri ka kundërshtuar kunatin, - me demek “kunatin” për Enverin se nëna ime rrjedh nga Hoxhatët, është goca e Muharrem Hoxhës, është tamam në trungun e Enverit, janë një fis, kushërinj - unë s’e merrja po të ishte goca ime,- tha- por këtë e kam gocën e burrit dhe më tall hallku: “Nuk e merr se e ka gocën e burrit”, do thonë.” Na lanë me atë në Lushnjë. Nuk na luajtën.

Kur e arrestuan babanë tuaj, tentoi nëna t’i shkruante Enver Hoxhës duke qenë që ishin të një fisi?

Ka shkuar mamaja, është interesuar, se halla e mamasë, ishte kunata e Bedri Spahiut. Edhe gjë që s’bëhej ajo punë. Ishte shumë e vonuar. Kishte ndodhur çfarë kishte ndodhur. E kishin vrarë. U interesua me këdo që njihte. Ka takuar dhe motrën e Enverit se kanë qenë moshatare, por s’e ndihmoi njeri. Ai vrau kunetërit e tij, -se nuk vrau vetëm Bahriun, vrau dhe një me mbiemër Çipi në Berat-do ndihmonin nënën time, ato!

Në çfarë kushtesh jetoi familja juaj në Lushnjë?

Atje, te toka e dajës, te oborri, bënë shtëpi me kalimin e kohës. Njerëzit që kishte ndihmuar babai, që kishin fituar gjyqet, ata na kanë ndihmuar. Sepse babai ka pasur këtë, që nuk merrte përsipër gjyqe që ia merrte mendja që nuk fitoheshin dhe krijoi respekt te njerëzit se nuk mashtronte, nuk merrte kot gjëra që nuk i bënte dot. Edhe ata na kanë prurë kashtën nga Karavastaja, nga këneta, që është mbuluar ajo kasollja. Kanë sjellë ca trupa, edhe rrogoz. Kanë rrethuar shtëpinë, kanë bërë dy rreshta me kallama dhe i kanë mbushur brenda me baltë të përzier me kashtë.

Nuk kishte hapësirë mjaftueshëm shtëpia e gjyshit që ndërtuat banesë tjetër?

Na futi gjyshja atje ne, njerka e nënës, por, ata s’lanë polic pa futur me qira, se kishte bërë shtëpi të madhe gjyshi. Njëkatëshe ishte, por kishte shumë hyrje. Edhe prunë njerëz të ndryshëm dhe e hoqën familjen e “kriminelit”. Në oborrin e atyre, ndërtuam kasolle.

Edhe xhaxhai jetoi me ju?

Xhaxhai ka jetuar me ne. Mbasi jam martuar unë, është ndarë xhaxhai. U martua dhe vëllai im, i madhi. Janë martuar të mëdhenj në moshë se halla thoshte: “Të rriten kalamajtë e Dautit, se janë shumë të vegjël. Të rriten çikë, ta marrin veten”. Me një sedër të jashtëzakonshme ata burra! Të dy pa mbaruar shkollën e mesme. Xhaxhai ka qenë biles një vit më i vogël se Mustafai (vëllai nga babai). Po kanë punuar, i vunë shpatullat shtëpisë. Kanë qenë njerëz të nderuar të dy.

Në këmbë nga e majta: Mustafa Elezi, djali i madh i Daut Elezit nga martesa e parë dhe Sulejman Elezi, vëllai i Dautit. Poshtë: Bashkëshortja e dytë e Daut Elezit, Kadrie Hoxha Elezi, me djalin e tyre të madh në prehër, Shpëtimin dhe krah saj, Daut Elezi

Ata kishin qenë partizanë. Si u trajtuan?

Xhaxhai nuk e ka marrë njëmijëlekëshin e luftës. Vëllait ia kanë dhënë. Ashtu ua dha truri: atij ia dhanë, xhaxhait s’ia dhanë. Xhaxhait padrejtësisht i kanë sekuestruar dhe shtëpinë. S’ishte e babait tim gjithë shtëpia në Peqin. Ishte trashëgimi e familjes. Ajo e Elbasanit ishte e babait tim.

Dhe si ia arsyetuan mosdhënien e shpërblimit?

“Nuk i plotëson kushtet”. I kanë dhënë vetëm punë të rënda, pastaj. Një njeri me Normalen e Elbasanit, inteligjent, i zgjuar! Mirë njëmijëlekëshin e luftës që nuk ia dhanë, por e lanë në punë të rënda, sa u sëmur. Nga ajo vdiq.

Ju jeni trajtuar gjithmonë njëlloj, apo pati në ndonjë moment të caktuar një farë lehtësimi?

Pas vrasjes së Hamit Matjanit, nëna u thirr në Komitet të Partisë. -“Se pse është vrarë burri, e di partia dhe shteti, por ju do shikoheni me sy tjetër”,- i thanë. Asnjë gjë s’u pa! Sidoqoftë, nuk na çuan në internim. Qe e mira më e madhe, që na lanë aty.

Kur e kapën Hamitin, i kanë thënë: Ç’marrëdhënie ke pasur me Daut Elezin? -E paskeni vrarë?-tha.- E paskeni marrë më qafë kot. Dauti ka qenë njeri intelektual, ka qenë nëpunës, administrator, nuk ka qenë i plumbit. Më liro mua ti, ta tregoj unë se kush jam unë”. Se ata i hëngrën në besë, që erdhi. Se gjoja i prisnin këtu edhe i prisnin këta të Sigurimit. E kapën, se s’kapej ai gjallë. Ishte shumë i shkathët.

Unë e kam në kujtesë varjen e Hamit Matjanit, se të tërë fëmijët e shkollës na çuan atje. Një terror i tmerrshëm! Te fusha e sportit të Lushnjës. Gjimnazi i Lushnjës ka qenë si podium, një anë e fushës së sportit, ishte gjimnazi, edhe poshtë ishte fillore, lart ishte gjimnaz, se ishte trekatëshe ndërtesa. Na kanë çuar të organizuar me klasa për ta parë që ishte i varur. E do rrije më shumë se 10 minuta, që ta fiksoje mirë në kokë dhe të kishe terror e tmerr. Ja ashtu na kanë lënë ne!

Çfarë ju thoshin për babanë kur ishit të vegjël?

Një herë mbaj mend, një komshi yni ishte polic, por goca e tij ishte në një klasë me mua. Klasë e tretë fillore mund të kem qenë, klasë e katërt, nuk e mbaj mend. Edhe asaj gocës i kishte ardhur e gjyshja, nëna e nënës. Ndoshta më pa një çikë si më të rregullt mua ajo plaka dhe e pyeti të bijën: "Moj qenkan familje e mirë,- tha,- kush është kjo?".

-"E kësaj së shkretës, i kanë vrarë babanë, e kanë varur, e kanë lidhur me litar dhe e ka tërhequr një makinë vërdallë nëpër qytet, të vdekur", - i tregonte gruaja e policit, nënës së saj. Unë isha prezente. Tronditja ime atëherë! Kam ikur. S’kam shkuar më tek ajo shtëpi. Edhe i them mamasë: kështu, kështu. “Jo,- thotë mamaja,- ç’janë ato fjalë?! I thonë nga inati, se na kanë inat”. U mërzit mamaja e shkretë shumë. Kishte hallin tonë, se mos kalojmë ne ndonjë traumë.

Daut Elezi me bashkëshorten, Kadrie Hoxha Elezi

Po vetë nëna çfarë ju thoshte për babanë?

Nuk e zinte me gojë fare. Vetëm kur vinte halla se vinte shumë shpesh. Nuk ka pasur as makina atëherë. Me karroca, nga Kavaja në Lushnjë. Na ka ndenjur shumë afër motra e babait. E mbaj mend njëherë: erdhi në shtëpi, po ngjitej te shkallët, me napë në kokë se napën e ka shenjë zie Shqipëria e mesme. Ajo u vesh me të zeza  30-32 vjeçe, kur i vdiq vëllai dhe s’u zbardh më. Dhe kur e shikon mamaja, sa s’i ra të fikët: “Behije, sikur m’u ngjall Dauti!”. E kam parasysh atë skenën. Nuk bënin muhabet asnjëherë. As emrin nuk ia zinin me gojë, “ai merhuni” thoshin.

Letër që Daut Elezi i dërgonte motrës së tij, Behijes

Si e mësuat të vërtetën?

Po mësohej me kalimin e kohës, se fillon e rritesh. -“Ku është babai”? -“Ka vdekur" -"Ka vdekur në burg”. Do ta thoshin ata. Në një farë mënyre, e merr vesh. Më kujtohet halla që kur vdisnin të tjerët, thoshte: “Nuk e qaj. Ka vdek në krevat, kur ka dashur ujë, kur ka dashur aspirinë…vëllanë tim s’e dimë. S’e pa njeri më me sy. E morën edhe…S’e dimë a vdiq a e vranë, a vdiq në tortura, a e kanë var, a e vranë”. Tani vonë morëm vesh ne që e kanë pushkatuar.

E ndienit si fëmijë që i përkisnit një familjeje të përndjekur?

Ne, po, po. Shkollën “Kongresi i Lushnjës”, edhe Policinë një mur i ndante. Që të niseshe nga shtëpia ime e të shkoje në shkollë, do kaloje një herë nga dera e policisë, pastaj ishte dera e shkollës. Unë kisha frikë të kaloja atje. I vija vërdallë. Do kaloja nga mapoja, andej rrotull. Fëmijë, shi, erë, ftohtë, unë s’mund të kaloja. Kisha një tmerr. Edhe tani i kam policët tmerr.

Në shkollë si silleshin me ju? Kujtoni ndonjë episod të veçantë?

Për këto gjëra nuk kam folur kurrë, por se çfarë ndodhi një situatë para pak kohësh në shtëpi që e tregova, se s’kisha për ta treguar. Kam qenë viti i dytë gjimnaz. Komiteti i Rinisë ndërronte ndërtesën, edhe marrin gjimnazistët që të mbajnë librat, karriget, orenditë. Edhe e kurdisin sikur unë kisha marrë një fjalor rusisht. Ne kishim frikë nga hija jonë, s’na kishin lënë gjë pa marrë, ç'më duhej fjalori rusisht mua! Një gjë e kurdisur për të më ulur, për të kaluar një stres të jashtëzakonshëm. Kam dalë para byrosë së rinisë së rrethit, ai sekretari i parë i rinisë së rrethit, ishin nja 5-6 veta që më gjykonin mua, më kanë diskretituar. –“Po nuk e di!”- u thosha. Të sajuar në një farë feje, një fëmije! Gruaja e sekretarit të parë, një vajzë e re shumë ajo, më mëshiroi se kush e di si jam bërë. Një fëmijë para gjithë atyre të rriturve. “Ku do më çojnë tani? Do më internojnë? A do më fusin në burg a”? Se s’ishte krejt kot ajo që më thirrën aty mua. -Do ta marr unë në patronazh,- tha,- ta rikuperoj. I erdhi keq. Dhe u mbyll me aq.

Mbaj mend njëherë tjetër ishte Kongresi i Partisë. Vëllai ishte viti i katërt gjimnaz, unë isha në vit të parë gjimnaz. Ishte para asaj që më thirrën në gjyq.

Vëllezërit kanë qenë asa në shkollë, në matematikë njësha kanë qenë. Dikush i thotë Lulit (Kamberit), për ta ngacmuar: Këndo. I ka thënë Luli: Filloje ti, ta mbaj unë. Nuk dinte mbase të këndonte. Nuk kemi zë ne. Le që na është nxirë jeta, pa lindur ala! S’kemi kënduar me thënë të drejtën. Ka qenë një mësues letërsie aty, edhe thotë: Nga klasa e parë gjimnaz e deri në vit të katërt kthehuni në shkollë! Se përpara ishin 7-vjeçarja, fillorja dhe të mëdhenjtë ishin pas. Te shkallët e shkollës, fillon ai duke ulëritur. Luli kishte ikur. Unë s’e dija çfarë kishte ndodhur. Ta kisha ditur, as unë nuk kisha shkuar, isha kthyer në rrugë e kisha shkuar në shtëpi. Tronditje e madhe të dëgjosh për vëllanë. E kritikonin që s’kishte kënduar. Me emër: Kamber Elezi. Buçiste shkolla.

Po të drejtë studimi ju dhanë?

Vëllezërit kanë qenë shumë të mirë. Kanë marrë degët më të vështira. Vëllai i madh, Shpëtimi ka mbaruar Politeknikumin, këtu në Tiranë. Mbasi filloi dhe punë, ishte elektriçist, u hap filiali i Inxhinierisë së Naftës, natën, në Qytet Stalin. Edhe nxorën edhe ligjin që ata që mbarojnë Institutin e Naftës në Qytet Stalin, nuk bëjnë ushtri. Vëllai im e bëri atëherë shkollën, doli shumë mirë. Vinte nga Lushnja në Qytet Stalin, të premten dhe të shtunën. Sa e mbaroi, e morën ushtar.

Si ka mundësi që ia dhanë të drejtën e studimeve të larta?

Në atë degë nuk vinte njeri dhe e bënë në Qytet Stalin. Nuk kishte kërkesa.

E ushtroi profesionin?

Nuk e ka ushtruar, se kur nuk dilte naftë, “kanë sabotuar” thoshin ata. Edhe nuk vajti, se e dinte ai që e kishte pas veshit. Ka punuar në NSHN, rregullonte makina.

Po vëllai tjetër?

Kamberi ka qenë në Karavasta mësues. Ai studioi për Matematikë-Fizikë. Atëherë kishin shumë nevojë për mësues se mbarova unë pas tre vitesh, por nuk më futën mësuese. Ka pasur fat atë vit. Mbaroi dyvjeçarin dhe pastaj, filloi universitetin nga e para, katërvjeçarin, me korrespondencë. Në atë kohë, në 15 gusht, dilte kuadri edhe gjithmonë rrinim me ethe. Nëna ime ishte me kokë të lidhur, se “del në kuadër sivjet, nuk del”. Edhe ku shkonte? Te zonat më të vështira. Ky vëlla, Kamber Elezi, ka qenë prefekt i Beratit në vitet ’90, deri në ’97-ën, kur u largua për në Kanada.

Po ju?

Unë u martova, 18 vjeçe-19 vjeçe. Jo, s’bëhej fjalë për të drejtë studimi.

Çfarë pune bëtë?

Normiste në fshatin Adriatik te të internuarit. Ka qenë nja 30 km larg Mamurrasit. Shkoja me autobus, me karroca, në këmbë. Më fusnin në punë, më hiqnin.

Bashkëshorti kishte probleme me biografinë?

Ai kishte studiuar në Poloni për gjeodezi. Ishte kryeinxhinier ujërash për zonën e Krujës. Drejtorinë e kishin në Mamurras.

Pati pasoja nga kjo martesë?

Ai e pësoi prej meje. Bëri një herë një studim në Godëll, që ndodhet midis Fushë-Kuqes dhe Adriatikut. Ajo ka qenë tokë e kripur, ai devijoi lumin e Ishmit edhe lumin e Drojës dhe përftoi 850 ha tokë bujqësore, pa asnjë shpenzim nga buxheti i shtetit. Por dikur, nga vitet ’80, u mbyt dynjaja me ujë se ra një shi i jashtëzakonshëm. Ata e quajtën sabotazh. I sollën një kontroll. I thanë: "Ti do vish në zyrë, kur të hyjmë ne. Çelësi është yni. Do na japësh ato dokumente që do të kërkojmë ne". Fati i tij që i kishte letrat e lejeve për studimin: nga seksioni i Bujqësisë dhe nga Ministria e Mbrojtjes se ishin dhe bunkerët aty. Edhe shpëtoi, por u trondit. U shtrua me barrelë, atëherë. Edhe pastaj iu krijuan dy sëmundje të rënda që i pati deri në fund të jetës. Ai ka vuajtur për shkakun tim! Jam e vetëdijshme dhe e kam deklaruar që ishte një burrë i veçantë. Nuk u nevrikos një herë, nuk e përmendi një herë që çfarë bëri që më mori për grua. Foton e babait tim e vinte në mur. Unë e hiqja, ai e vinte.  “O Shyqyri, do na ngatërrosh”, i thosha, se ishin të tërë të partisë ata që kishim rreth e përqark. S’kthente përgjigje.

Një herë erdhi i mërzitur edhe më tha: “Shiko, mund të ndodhë gjithçka. Je me tri goca. Më vjen keq se je e re. Duhet të përgatitesh shpirtërisht”. E kishin thirrur në hetuesi që ta bënin bashkëpunëtor. Ai nuk kishte pranuar. Edhe e gjetëm tani që është në një listë me emra dhe krahas emrit të tij shkruhet: “S’ka pranuar bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit”.

...

Në këtë intervistë, Suzanën e shoqëruan dy vajzat e saj të vogla, Teuta dhe Klodiana, të cilat jetojnë jashtë Shqipërisë, ashtu si dhe e madhja, Lura. Pavarësisht që i përkasin brezit të tretë të familjes që nga pushkatimi i Daut Elezit, ato kanë jetuar pjesën e tyre të dramës në diktaturë. Nga një anë ishte dhimbja dhe trauma që kishte lënë pushkatimi i gjyshit te anëtarët e familjes: gjyshja gjithmonë e veshur me të zeza, mamaja që shpesh e gjenin duke qarë, ankthi i patregueshëm kur iu vinte ndonjë letër me postë. Nga ana tjetër, ishte lufta e klasave që i preku edhe ato, duke mësuar që kishin biografi të keqe që në atë moshë kur nuk e kuptonin dhe as e shqiptonin dot saktë fjalën “biografi”. Do shihnin t’u hiqeshin fotografitë nga tabela e nderit të klasës. “Motrës së madhe Lurës, ia ka hequr fotografinë dhe ia ka shkelur me këmbë sekretarja e partisë së shkollës. “Ke vënë kulakët atje”, i tha mësueses. Edhe vjen Lura duke qarë, në shtëpi. Por mësuesja e klasës, Marinda Loku, e ngriti fotografinë, e vuri mbi zemër dhe i tha: “Mësuesja të do, do ta mbajë mësuesja fotografinë”, edhe e vendosi në një libër”, tregon Teuta. Ndërsa vetë asaj, një mësues i ka marrë kurorën me lule nga dora, gjatë ceremonisë së përkujtimit të dëshmorëve në 5 Maj. Edhe më e vogla Klodiana, kujton sesa keq i ka përjetuar rastet kur edhe pse fitoi konkursin e recitimit në rrethin e Krujës, nuk e çuan në konkursin kombëtar, apo kur mësuesit i vendosnin emrin mes nxënësve më të mirë që do të merrnin dhurata për Vit të Ri dhe në mbledhjen e partisë, ia hiqnin emrin.

Në kohën kur Klodiana do të niste studimet e larta, regjimi komunist kishte rënë dhe ajo mundi të studionte jashtë, por motrat e mëdha e patën shumë të vështirë. Lurës i dhanë mundësi studimi vetëm me korrespondencë, ndërsa Teutës, pavarësisht që ishte një nxënëse ekselente, me të gjitha notat 10-a si në tetëvjeçare dhe në shkollë të mesme, fillimisht nuk i nxorën fare të drejtë studimi. E ndërsa priste pas dyerve të institucioneve, kujton sesi shefja e seksionit të arsimit iu drejtua, në sy të saj, të atit që e shoqëronte: “Çfarë kërkon ti Shyqyri Dervishi? Vjehrri juaj është i pushkatuar".

Bëhej fjalë për Daut Elezin, gjyshin që ato e kishin njohur përmes fotografive, edhe ato gjysmë të fshehta. Gjyshin të cilin e njohin pak e nga pak çdo ditë. “Sa herë që kërkojmë, dalin gjithë këto gjëra të reja, shumë interesante dhe shumë domethënëse dhe themi: Uau kush paska qenë gjyshi ynë! Dhe pyesim: Cili është qëllimi që është mohuar, edhe që është vrarë, edhe që është zhdukur në këtë formë? Absurditet!”, thotë Teuta.

Për Klodianën, psikiatre, ky trajtim ka qenë i qëllimshëm për ta dënuar me harresë njeriun që vritej, duke e shkëputur sa më shumë të ishte e mundur nga familjarët, të afërmit, të njohurit dhe pasardhësit, të cilët nuk do të kishin as ku t'i çonin një tufë me lule. “Kanë pasur një qëllim shumë malinj prapa atyre veprimeve që kanë bërë: për ta harruar personin. Duke lexuar punimin e Jonelit,-ka thënë Klodiana gjatë konferencës kushtuar figurës së Daut Elezit, të organizuar nga muzeu "Shtëpia me gjethe", në shtator 2024, ku u prezantua studimi i Jonel Hibos - që përkon me atë që kam dëgjuar nga mami dhe të tjerët, ishte përcaktuar me direktiva që këta që ishin caktuar për t’u vrarë, mos të takonin as familjen. I kanë vrarë dhe ne nuk e dimë kur, ku, si; as kockat nuk e dimë ku i ka… ”.

Por ato, pavarësisht se kanë ecur përpara, nuk duan të harrojnë. Presin një mirënjohje nga institucionet e Shqipërisë si ajo që ndodhi në Kosovë për figurën e Daut Elezit dhe gjetjen e eshtrave të tij. “Problemi është që ata e dinë dhe nuk e tregojnë-thotë Klodiana.- Nuk kanë shanse që të jenë pushkatuar ata njerëz dhe të mos e di asnjë, të humbë një e vërtetë kaq e madhe”! /kujto.al

Shënim: Në foton kryesore, Daut Elezi, bashkëshortja Kadrie Hoxha Elezi, vajza e madhe e Dautit nga martesa e parë, Lutfia dhe dy djemtë e vegjël, Shpëtimi dhe Kamberi.

S'KA KOMENTE