“E mbaj mend si sot… e di vendin ku është varrosur, në atë shpat kodre në Turan...”
Ishte fëmijë kur u internua bashkë me gjithë familjen në Berat, e më pas, në Tepelenë. Asije Habili e rrëfen me detaje jetën e tmerrshme në kampet e internimit. Nis në vitin 1945, me internimin në Berat, ku qëndruan katër vite, për të shkuar më pas në Tepelenë, në vitin 1949. Asija i mban mend të gjitha vuajtjet, por veçon një prej tyre. Kurrë nuk i shlyhet nga shpirti dhimbja për motrën, që mbeti në një shpat mali në Turan. Desi ishte tetë vjeçe kur u sëmur në kamp, ku humbën jetën shumë fëmijë të familjeve të internuara. Kemi shkëputur një pjesë nga rrëfimi i Asije Habilit, për të motrën Desin dhe ditët e fundit në kampin e frikshëm të Turanit, atje ku dha frymën e fundit e vogla, Desi.
Na lanë 8 ditë rresh pa bukë dhe asnjë mundësi për t’u ushqyer. Njerëzit filluan të vdesin nga uria. Ndërkohë, drurët e shkurret rrotull kampit, u “pastruan” nga gjethet, që filluam t’i mbledhim e t’i ziejmë në formë lakrash, me një dorë oriz, sa për të shuar urinë. Filloi dizanteria në masë dhe kufiri që dallonte njeriun nga shtaza, ishte shumë afër. Njerëzit u bënë si të çmendur e flisnin me vete. Në këto kushte, ne duhej të mendonim edhe për sëmundjen e Desit të vogël, 8 vjeçe. Ajo ishte e uritur dhe nuk kishim asgjë ç‘t’i jepnim. Mbaj mend që i thoshte Nanë Dijes (Dije Hoxha, nga Luzi i Madh, e internuar me dy vajzat, Bakushen dhe Dritën), – “Pse, nanë Dija, kto laknat tueja zijnë mô shpejt?!...”
– “Ashtu!? Hajt Desi, se të jap nana ty lakna, tashi, menjiherë!” I jepte nga pjesa e vajzave të veta, të sëmurës Desi. Ne ishim gjashtë fëmijë, “laknat”, një përzierje gjethesh rrushi të egër, ferrash e barishtesh, i vinim në sasi më të madhe, çka kërkonte më shumë kohë të zienin, por Desi nuk priste dot.
Njëherë, e shoh Desin që hëngri një racion tepër, dhe si më e madhe, i them: –Pse e hëngre edhe racionin tim? Ajo më sheh e trembur dhe si e habitur, ndërsa ndërhyn Nanë Vathja që thotë: –S’ka gjë, se unë nuk dua, le ta hajë Desi copën time!
Deri sa të vdes nuk me harrohen ato pamje, kur ne s’kishim si ta ushqenim apo kuronim motrën tonë të vogël, e cila vdiq më shumë nga uria, sesa nga sëmundja. Kushtet higjenike ishin të tmerrshme. Na jepnin mundësi vetëm një herë në javë të lanim rrobat në përrua, thjesht me ujë mali, pa sapun, detergjente, etj.. Na shoqëronin e ruanin me policë, të cilët ishin ca ish–partizanë, që s’kishin asgjë të përbashkët me njeriun.
Të internuarit i ndanë në 2 grupe, të aftët për punë dhe të pamundshmit, për shkak të moshës, etj.. Neve që quheshim të rinj, unë dhe Ragipi, na dërguan në Memaliaj, ku punonim me kazmë për hapjen e rrugës automobilistike. Jetonim në çadra të ushtrisë.
Një mëngjes, vjen një roje dhe më njofton se më kërkonte vëllai. Dal te rrethimi dhe takoj tim vëlla, Ragipin, i cili më thotë të bëhem gati e të shkoj në kamp, sepse kishte ardhur Dajë Hekri (Hekuran Saraçi, daja, shën. ynë) që kishte porosi nga Bab Rama të mos kthehej pa i parë të gjithë fëmijët. Unë e kundërshtoj dhe i them: “Po ti, pse nuk vjen?!” Ai më shpjegon se nuk e linin të ikte nga puna.
Intervista e realizuar nga Neritan Kolgjini