
Histori tragjike të burgosurish që ndërruan jetë në kushte çnjerëzore mes torturave dhe sëmundjeve infektive
Ishte viti ’61, dimër, dhe bënte shumë ftohtë. Në birucë, natyrisht nuk të linin të merrje tesha të trasha, as këpucë; përdornim vetëm nallane. Mbas nja dy javësh në birucë, në burg erdhi një komision mediko-legal ushtarak dhe kur hapën derën e birucës sonë, njëri prej tyre, kur më pa mua ashtu të dobët e të verdhë krejt, u shtang: “Uaa!! Po ky fëmijë, çfarë do këtu?!” “Është i burgosur,”- i përgjigjet njëri prej mjekëve. “Shpejt, çojeni atje!!”- urdhëroi ai”, është rrëfimi i Ndrek Bazhdarit, ish-i burgosur politik në kohën e diktaturës. Është një ndër historitë dramatike pasi bëhet fjalë për një minoren që dëshmon vuajtjen tragjike të fëmijëve nën torturat e burgjeve të diktaturës komuniste. Ishte dënuar si pjesë e një grupi të rinjsh që kishin shpërndarë trakte kundër diktaturës komuniste dhe ishte dënuar me 14 vjet burg. Herë pas here përfundonte në qelitë e torturave. Ai tregon viktimat në radhët e të burgosurve për shkak të sëmundjeve.
Ndreka kishte përfituar ulje dënimi për shkak të moshës, por edhe të anmistive që rrallë ndodhnin. "Shokët më thoshnin: “Ruhu se ti je i ri dhe vetëm 3 a 4 vjet të kanë mbetur me dalë.” Ç’është e vërteta, unë qëllova me shans sepse kur sapo u dënuam, u bë një amnisti. Pastaj dhe dy të tjera rresht. Pra, përfitova nga amnistia e vitit ’57, e vitit ’62 dhe e vitit ’64. Kështu që m’u reduktua dënimi: nga 14 vjet, u bë 8 vjet, dhe më mbeteshin pak vjet për të kryer dënimin. Rreth 3-4 vjet. Ata më porositnin të ruhesha sepse i konsideronin pak 3 a 4 vjet, e 8 vjetë që kam bërë unë, nuk ishte asgjë për ta. Të tjerët kishin të gjithë mbi 10 vjet. Ndejta në atë dhomë-karantinë, gati një muaj. Mbas një muaji, dola e nuk pashë më infeksion e as gjë prej gjëje. Doja vetëm të haja se isha gërryer që prej birucës.
Kanë qenë shumë periudha të tilla sprovash të vështira, që, kur ua tregoj fëmijëve të mi, nuk i besojnë. Që të presësh sot prej një të riu në moshën 17 vjeç të merret me përpilim trakti dhe ai trakt të ketë, si të thuash, një mesazh politik e jo dokrra që shkruhen sot nëpër mure, e sidomos të rrezikojë jetën për të-- duket absurditet. Pra, sot nuk i kanë këto ideale, këtë pjekuri dhe habiten edhe kur ua thua. Pra, ishim një brez tepër i formuar. E dyta, ata nuk arrijnë të besojnë se një trup njerëzor, e për më tepër një gjysmë trupi që isha unë, mund të rezistojë deri në 23 gradë nën zero, në një birucë, vetëm me një batanije të hollë dhe një rrip pizhamash që e mbanim të fshehur gjithë kohën me vete në rast se na fusnin në birucë, të cilin e përdornim për të lidhur këmbët, se në birucë nga ora 8 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit, duhej të rrije i shtrirë; po të të gjente roja që kishe lëvizur, ta mbushte birucën me ujë. Vije supin në atë rripin e batanijes të vendosur për së gjati edhe kokën mbi tasin e aluminit dhe nuk duhej të lëvizje. Kishe edhe një qyp për nevoja personale. Këto ishin të vetmet sende që kishe me vete në birucë, edhe në këto kushte, duhej të rrije një apo dy muaj. Nuk e beson njeri! Sot, me gjithë këto komoditete, ankohemi për hiçgjë dhe nuk arrijmë as ta imagjinojmë se sa i fortë mund të jetë njeriu në rrethana të caktuara. Janë të pabesueshme historitë e vuajtjeve tona!
Shenim: Intervista eshte marre nga libri "Zerat e Kujteses", botim i ISKK realizuar nga Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa