Alida Hisku tha të vërtetën…dhe të gjithë e dinë!

0
737

Kujto.al sjell shkrimin e studiueses australiane, të botuar në vitin 2015, i cili, përveç faktit që nuk na ndajnë më ditë, por vite nga denoncimi që Alida Hisku i bëri dhunës seksuale në diktaturë dhe që u mbulua më shumë me kundërakuza sesa përkrahje, mbetet plotësisht aktual. Sepse asgjë nuk ka ndryshuar. Ne ende sillemi dhe mendojmë njëlloj: kur ndodh një përdhunim, turpi i viktimës është më i madh se faji i fajtorit. Ndaj dhe shumica e rasteve mbeten jopublike. Viktimat bëhen më shumë dhe më të dobëta, ndërsa kriminelët më shumë dhe më të pushtetshëm

Shannon Woodcock

Shannon Woodcock, historiane e pavarur

Alida Hisku tha të vërtetën; gjatë regjimit komunist gratë ishin viktima të dhunës seksuale sistematike prej atyre që mbroheshin nga pushteti i Partisë: në fshatra, burgje dhe kryeqytet. Të gjitha gratë ishin vulnerabël ndaj dhunës seksuale dhe një numër i madh prej tyre u bënë viktima të dhunës partiake, që në mënyrë specifike i sulmoi ato si gra. Ekzistojnë të dhëna arkivore rreth kësaj çështjeje dhe vetë Enver Hoxha u vu në dijeni dhe iu përgjigj ankesave që gratë i drejtuan atij për përdhunime nga anëtarë të Partisë së të gjitha niveleve. Këto prova janë tashmë të publikuara.

Përtej të parit të këtyre të dhënave, unë e di këtë të vërtetë pasi shumë prej jush ma kanë rrëfyer mua. Po, ju! Njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë. Në rrjedhën e kërkimeve mbi një libër për jetën e përditshme në Shqipërinë Socialiste, intervistova qindra njerëz të zakonshëm për realitetin e thjeshtë të tyre në atë kohë. Në shumë prej qindra intervistave të regjistruara, burra dhe gra më treguan për dhunën seksuale në familje, në vendin e punës, në komunitet dhe në burgje. Si burrat, ashtu edhe gratë më treguan, pa u nxitur, mbi pafuqinë e tyre, kur viktimat femra u kërkuan ndihmë, por ata nuk mund t’i raportonin në Parti nga frika se edhe vetë mund të ndëshkoheshin për denoncimin e krimit.

Lejomëni të jem e qartë; si një historiane austaliane në kërkim të jetës së përditshme në kohën e monizmit, shumë njerëz më folën për dhunën seksuale të burrave kundër vajzave dhe grave. Gjatë intervistave, njerëzit mund të flisnin aq sa donin, shumë ose pak, rreth çdo aspekti të jetës. I gjithë projekti u drejtua nga një kod etike, i aprovuar nga komiteti i etikës në një universitet të Australisë. Shumë njerëz treguan histori të tmerrshme të abuzimit seksual dhe të gjitha gratë që folën me mua, kërkuan që emrat e tyre të mos përdoreshin kurrë, pasi ato kishin frikë. Janë të frikësuara se gazetarët mund të mos i besojnë ato dhe do t’u kërkojnë prova, sikur histori të tilla të mos ishin dëgjuar kurrë më parë; kanë frikë nga turpi që mund t’u shkaktojnë familjeve, kur një numër i madh njerëzish të zakonshëm të shkruajnë komente abuzuese në faqen e tyre të facebook-ut e ndonjëherë, janë të frikësuara se ata që i torturuan do të bëjnë të njëjtën gjë sërish.

Në rast se ju e keni harruar vërtet ose sinqerisht pretendoni se nuk e dini, lejomëni të përmbledh ç’ka unë kam mësuar për historinë shqiptare prej njerëzve që jetojnë atje.

Arkivat e publikuara tregojnë se burrat me pozicione drejtuese si mjekë apo zanatçinj, po aq sa supervizorë të thjeshtë të Partisë shpesh përdorën fuqinë e tyre për të kryer dhunë seksuale apo përdhunime kundër grave, veçanërisht kundër atyre me “biografi të kompromentuar”. Partia u sigurua që në kurrikulumet shkollore të mos kishte edukim seksual dhe shumë burra përfituan prej injorancës mjekësore dhe naivitetit emocional të vajzave të reja, për t’i tërhequr ato në marrëdhënie seksuale e më pas, për t’i braktisur ato. Këto fakte gjenden në arkiva.

Në intervistat për atë kohë në përgjithësi, burrat shpesh më treguan për ndjenjën e pafuqisë përballë dhunës seksuale që anëtarët e Partisë kryenin në vendet e punës apo në fshatra. Disa burra më treguan gjithashtu se gratë ishin përgjithësisht të varfra dhe për të siguruar ushqim të mjaftueshëm për familjet e tyre, ato mund të kenë këmbyer favore seksuale në vendin e punës. Unë intervistova një mjek, që kryente aborte ilegale për gratë në Tiranë apo meso-gra që treguan se vajza adoleshente-viktima të përdhunimit ishin lënë shtatzanë prej xhaxhallarëve apo familjarëve të tjerë.

Njëra prej grave të intervistuara rikujtoi tronditjen e saj kur si mësuese e re, u dërgua në një qytet verior dhe shpejt mësoi se shumica e kolegeve të saj kishin lidhje jashtëmartesore. Ekzistojnë gjithashtu shumë histori të grave që u detyruan të martohen me njerëz që i kishin përdhunuar më parë apo që u mashtruan nga një burrë e më pas mbetën peng i dhunës së tij fizike, sikur kjo të ishte thjesht fati i tyre. Kërkesat për divorc me motiv dhunën u pranuan dhe u gjykuan nga komiteti i Partisë; qëllimi thelbësor i të cilëve qe të kthenin gratë në shtëpinë e burrave të tyre, duke mbajtur familjen brenda shtetit. Dhuna seksuale e burrave ndaj grave u përhap në të gjitha aspektet e shoqërisë socialiste shqiptare. Unë i ruaj këto intervista në arkivën dixhitale dhe mbroj anonimitetin e informatorëve të mi-ju e shihni ç’i ndodh një gruaje që flet për të vërtetën e pastër publikisht në Shqipëri.

Lejomëni t’ju jap më shumë fakte në lidhje me mungesën specifike të njohurive rreth komenteve të Alida Hiskut. Njerëzit kërkuan drejtësi dhe ekspozuan përdhunuesit e tyre edhe më parë, pa arritur ndonjë rezultat. Arkivat përmbajnë letra të baballarëve të brengosur dhe të nënave të vajzave të përdhunuara. Ankesat u trajtuan zakonisht duke transferuar përdhunuesit në fshatra apo qytete të tjera dhe gjithashtu me largimin e vajzave të pamartuara shtatzëna, në vende ku nuk i njihte askush.

Kjo gjoja do të kursente familjen nga turpi, por e rrënjosi lidhjen e kulturës së turpit me viktimën dhe jo me dhunuesin. Largimi i grave nga vendet e punës apo nga familjet për të lindur fëmijët ishte një çështje “përça e sundo” për Partinë, e cila përdorte turpin tradicional mbi viktimën për të ruajtur kontrollin mbi shoqërinë.

Gratë që u arrestuan për motive politike nuk u ruajtën nga gardiane gra. Ato u morën në pyetje, u torturuan, u rrahën, u kërcënuan me përdhunim e madje u përdhunuan-iu nënshtruan injeksioneve me substanca të panjohura dhe me efekte të shumëfishta mjekësore dhe më vonë, u ruajtën në burgje nga burra. Alida Hisku ishte absolutisht korrekte kur e pyeti gazetaren se si e bënte për kaq gjatë atë punë dhe nuk dinte apo besonte gjërat që ajo thoshte-faktet janë të publikuara, të arritshme dhe merren lehtë. Nëse një historiane australiane mundet të dijë se ato gjëra kanë ndodhur, duhet të mundej edhe një gazetare shqiptare.

Gra që e lexoni këtë shkrim-ju e dini sa e vështirë është të kapërcesh stereotipin gjinor dhe diskriminimin seksist për të pasur sukses në çdo sferë të shoqërisë shqiptare, jashtë dyerve të shtëpisë. Siç po vijon me gratë që u burgosën si armike politike në kohën e Hoxhës, të cilat u torturuan atëherë dhe detyrohen të heshtin sot-kur atyre u jepet vëmendje në shtyp etiketohen si skandaloze-njësoj siç e pamë javën e kaluar. Lejomëni të listoj mënyrat se si ish-gratë e persekutuara janë ndëshkuar për të folurën hapur, njësoj si Alida Hisku.

Gratë u akuzuan se ishin ndëshkuar me të drejtë-ose gënjenin, ose nuk kishin prova të dokumentuara, ose ishin histerike dhe mendërisht të sëmura. Pavarësisht se shumë gra (edhe burra) i kanë përjetuar këto gjëra: injeksionet, burgun, torturat. Së dyti, njerëzit komentojnë “por ju duhet t’i denonconi njerëzit që e bënë këtë. Na trego emrat”! Kjo kërkesë është qartësisht e pamundur, jo vetëm pse vendos nën presion individë tashmë të traumatizuar. Sa prej jush, njerëz të zakonshëm të Shqipërisë mundeni thjesht të ndiqni penalisht dikë, në një vend që ju sulmon apo lëndon ju? Hamendësoj se askush.

Së treti, këto organizata që përfaqësojnë ish-të përndjekurit politikë duket se vuajnë nga të njëjtat përvoja të heshtjes për gratë, sa edhe zyrtarët e qeverisë apo e gjithë shoqëria shqiptare. Kam eksperiencë personale në bisedat me specialistët e supozuar të historisë së të burgosurve politikë në Shqipërisë, të cilët nuk e dinë ku ka qenë burgu i grave të akuzuara për krime politike. Po ju e dini?

Lidhur me situatën e Alida Hiskut, e cila ka tërhequr komentet e saj: unë nuk e di se çfarë gazetarja i tregoi asaj para publikimit dhe çfarë jo. Të mbijetuarve ndaj përvojave traumatike, nëse nuk u tregon draftin final apo nuk kërkon lejen e tyre përpara publikimit, rrezikon t’u shtosh traumën për hir të një historie “skandaloze”. Unë e kuptoj se Alida Hisku, pas përpjekjeve shumëvjeçare për të rindërtuar jetën e saj, duhet të jetë ndjerë e shkatërruar teksa papritur sheh eksperiencën e saj të dhimbshme të debatohet si të qe një çështje e saj personale dhe jo një problem i dhunës seksuale të burrave, e sanksionuar nga shteti shqiptar. Përdhunimi dhe torturat janë traumatike; kujtesa traumatike mund t’u përshtjellojë ju edhe dekada më vonë-e prapë një deklaratë e tillë e qartë duket se nuk është kuptuar nga kaq shumë njerëz që shpërthyen kundër viktimës në forumet publike. Lejomëni t’ju pyes atëherë: çfarë fitoni duke sulmuar viktimën?

Kur shkruan komentin tënd të vogël për t’i treguar dikujt që ka përjetuar dhunë seksuale se ajo nuk ka ndodhur-je duke i dërguar një mesazh të gjitha grave. Ky mesazh është: “nëse je një viktimë e dhunës seksuale mos fol-e nëse flet, unë do të sulmoj derisa të heshtësh sërish”. Je duke mbrojtur të shkuarën, të tashmën dhe të ardhmen e përdhunuesit duke i dërguar atij mesazhin: “mos u bëj merak shoku, unë do të sulmoj çdo viktimë që flet, për të mbrojtur të gjithë burrat dhunues të Shqipërisë”.

Kjo forcon normën shoqërore të fajësimit të viktimës së dhunës seksuale në Shqipërinë e sotme-nxënëse shkolle që prostituon në hotele (zuskë!), grua e re e vrarë në makinë të shpejtë me burrë të fuqishëm (zuskë!), gra që bëjnë seks me shefat për të mbajtur punën (zuskë!).

Ju ndoshta nuk e dini pasi nuk doni të dëgjoni, por gratë që u hetuan dhe torturuan nga regjimi në atë kohë ishin gjithashtu të akuzuara si zuska. Akuzat tuaja nuk janë të reja-ato nuk kanë ndryshuar prej kohëve të socializmit apo para tyre-ju jeni duke fajësuar gratë dhe mbrojtur burrat që i lënduan ato. Dhuna seksuale nuk ka të bëjë me seksin; ka lidhje me pushtetin. Edhe pse ju nuk keni kryer ndonjë përdhunim, kur shkruani komente pas dëshmisë së një gruaje duke e akuzuar si gënjeshtare apo të çmendur, apo se është një kurvë, ju jeni duke përjetësuar kulturën e sanksionuar të dhunës seksuale.

Pse e bëjnë burrat këtë? Sepse duke i mbajtur gratë nën heshtje dhe frikë është një sistem prej të cilit ata përfitojnë. E pse duhet që një historiane australiane të shkruajë këtu për dhunën seksuale kundër grave në Shqipëri? Unë e di që ka mijëra prej jush atje që e dinë se dhuna seksuale kundër grave ka ndodhur dhe sërish ndodh në shkallë të gjerë. Unë e di këtë sepse ato vetë ma kanë thënë.

Ju u ulët me mua të frikësuara se unë nuk do t’ju besoja dhe guxuat të më tregonit se çfarë kishit parë dhe përjetuar. E di, sepse çdo herë që publikoja ndonjë artikull, njerëzit më dërgonin e-maile duke më treguar më shumë dhunë. E di, sepse miqtë e mi në Shqipëri dhe familjet e tyre më treguan për çdo skandal ku një grua u lëndua dhe nuk u bë drejtësi ndaj autorit të krimit dhe konkluzioni zakonisht është: më mirë të heshtësh, ose viktima do të turpërohet më tej. Unë njoh gra që janë ende të frikësuara dhe të lënduara.

E di gjithashtu që shumë prej jush heshtin, pasi nuk kanë ku të flasin. Shumë prej jush kanë frikë me të drejtë; të jesh shoqërisht e pranuar si një grua në Shqipëri mbështetet në shumë akte të vogla të heshtjes. Po flas këtu për t’u thënë se kjo heshtje nuk mund të zgjasë.

Shkrimi i publikuar në reporter.al, mbyllet me thirrjen e autores për t'i dërguar dëshmitë e dhunës në adresën e saj shannonwoodcock1@gmail.com dhe me premtimin që ato nuk do të publikohen kundër dëshirës së viktimave.

 

 

S'KA KOMENTE