Abdulla Rami, i diplomuari në Montpellier që regjimi e kalbi në burgun e Burrelit për 18 vite

0
369

16 dhjetor i vitit 1944.

Në çdo rrugë e shesh të Tiranës dukeshin ende gjurmët e luftës së posambaruar. Ishte “kohë fitimtarësh”, ndërsa Shqipëria jetonte në të vërtetë një nga momentet më të vështira e më tragjike të historisë së saj: vendosjen e diktaturës komuniste. Të atij regjimi që mbasi mori pushtetin, do ta mbante atë rreth një gjysmë shekulli e do të prodhonte një dhunë të pashembullt duke vrarë, burgosur, arrestuar e internuar, personalitetet më të shquara të kulturës dhe figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare; nënshkrues të Aktit të Pavarësisë të Shqipërisë, ish-ministra, kryeministra, juristë, profesorë, shkrimtarë, mjekë, intelektualë të të gjithë spektrit, të diplomuar kryesisht në Europën Perëndimore, të akuzuar dhe të vënë në kryq si kundërshtarë politikë të këtij regjimi dhe të cilësuar sipas formës më makabre “Armiq të Popullit”.

Ishte pikërisht koha kur lufta e popullit shqiptar për liri, u shndërrua për qindra e mijëra shqiptarë, në një dramë, shpesh në një tragjedi, aktet e së cilës përfshinë në vorbullën e tyre një popull të tërë, duke shkatërruar aspiratat e tij për liri e duke mbytur ëndrrën e tij në frikë dhe zhgënjime pafund.

Abdulla Rami jetonte atëherë në Lagjen “Sulejman Pasha” tek rruga e “Pishës” në kryeqytet. Të gjitha portat e intelektualëve me emër, ishin shënuar atëherë në listat e zeza… Gjithkund pritej trokitja e “një sqarimi në komandë” dhe  kur trokiti dera e Ramajve, nënë Alimeja, një zonjë fisnike e rënduar nga vitet, u ngrit ashtu ngadalë, me gjymtyrët e mpira e duart që i dridheshin dhe saora e humbi zërin:

-Eh, erdhën ta marrin djalin! - ofshau ajo së thelli.

Dhe fjalët që dolën nga shpirti i saj thellësisht besimtar kishin ditë e netë që ia kish pushtuar krejtësisht qenien e lodhur. Kurrë psherëtima e asaj nëne s’kishte qenë më e thellë dhe më e trishtë; kurrë vitet e jetës mbi shpinë nuk ia kishin rënduar ndonjëherë më shumë trupin e zemrën, sa ai çast kobzi atë natë.

Nusja e re e Abdullait shtrëngonte vajzën e vogël në krahë, ndërsa dy të tjerat tkurreshin të tmerruara pas kurmit të saj. Ndërsa ajo... ajo po e humbte ekuilibrin në agoninë e asaj nate të ftohtë dhjetori. Tek shihte djalin ashtu më këmbë, nënë Alimeja nuk gjeti dot as fjalën e duhur, as arsyen e mundshme të shpjegonte aktin e asaj skene tragjike që po ndodhte përpara syve të saj.

Tek porta e shtëpisë qëndronin si statuja të egra katër civilë të armatosur.

-Jemi shokët e partisë. - thanë ata - Kërkojmë Abdulla Ramin për një sqarim në komandë.

Në dukje i qetë e duke e fshehur dhimbjen, Rami veshi pallton e rëndë, kthjelltësisht i bindur që s’do të kthehej për një kohë të gjatë. Me qetësinë e tij tipike ai vështroi gruan, tri vajzat dhe iu drejtua nënës:

Në më do mua, nuk dua të vish atje ku do më çojnë dhe mbi të gjitha nuk dua të qash!

E mjera nënë! Mbas asaj dite ajo do të lutej çdo mëngjes e çdo mbrëmje që ta shihte përsëri djalin. Do të lutej në mos tjetër, së paku të mos ia vrisnin e ta kish të gjallë… Por për fat të keq, prej asaj dite, ajo nuk e pa kurrë më atë… Prej asaj dite, për Abdulla Ramin, ish-liceistin e liceut të Korçës, avokatin e të Drejtës Ndërkombëtare të diplomuar në Montpellier, për atdhetarin dhe idealistin e Shqipërisë Etnike, nisi prangosja dhe burgjet.

Plot tetëmbëdhjetë vite, më të mirat e jetës së tij, intelektuali i formuar në perëndim, do t’i kalonte në birucat te Burgu i Burrelit, në vendin e tmerreve dhe të historive ende të pashkruara.

Nga libri "Përtej harrimit -Abdulla Rami" i autores Ermira Xhomaqi Godo

S'KA KOMENTE