80 vjet nga ekzekutimi i ish-regjentëve Atë Anton Harapi e Lef Nosi dhe ish-kryeministrit Maliq Bushati

0
135

Gjyqi kundër ish-regjentëve Lef Nosi e Padër Anton Harapi dhe ish-kryeministrit, Maliq Bushati u zhvillua në Tiranë në kinema “Kosova” nga data 1 shkurt e deri më 12 shkurt 1946. Ky proces ishte pjesë e proceseve të “mëdha” që kishin si qëllim kryesor shkatërrimin e përgjithshëm të klasës së atëhershme politike. Mbi bazë të këtij shkatërrimi shikohej dhe forcimi i klasës së re politike, e cila nuk ishte gjë tjetër veçse përfaqësuese e denjë e agjenturës sllave. Të lartpërmendurit u akuzuan për cilësitë e detyrave shtetërore që mbanin dhe akuza krejtësisht të paqena.

-Maliq Bushati u arrestua më 3.12.1945, pabesisht në një shtëpi në Shkodër. Gjatë hetuesisë u pyet nga major Tonin Jakova. Një pjesë të hetuesisë nuk ka pranuar ta firmosi. U mbrojt në gjyq nga avokat Vasil Xhai.

-Lef Nosi u arrestua më 4.8.1945, pabesisht në Tiranë. Nuk del qartë se cili e zhvilloi hetuesinë ndaj tij. U mbrojt në gjyq nga avokat Zoi Xoxa. Avokat Xoxa nuk u lejua të lexojë mbrojtjen e tij.

-Atë Anton Harapi u arrestua më 4.6.1945 në Plan të Dukagjinit ku qëndronte nga kompania e 1-rë e Batalionit të 1-rë të Brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit. Një ushtar i Brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit kish parë protezat e dhëmbëve dhe kish dyshuar. Pastaj u dorëzua vetë më 4.6.1945, për të mos implikuar familjarët. U pyet më 25.6.1945 nga komisioni hetimor për zbulimin e krimeve e të kriminelëve të luftës dhe armiqve të popullit për Qarkun e Tiranës, i kryesuar nga Mynir Tirana. U mbrojt në gjyq nga avokat Spiro Stringa.

Të tre u akuzuan në bazë të neneve 14, 15 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945. Gjykata nuk provoi krime të kryera prej të pandehurve, por u mor vetëm me pozicionet shtetërore që ata kishin pasur. Lef Nosi u akuzua për vrasje e plagosje të 50 mijë vetave. Ndërsa Maliq Bushatit i doli në mbrojtje deputeti i zgjedhur në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, i cili në vitin 1943 kish qenë komandant i përgjithshëm i Xhandarmërisë, Hysni Peja. Ai tha: “Në këtë kohë xhandarmëria ka qenë mbrojtja e prapavijave të luftën nacionalçlirimtare”. Deklarata e tij u prit me zemërim nga gjykata dhe opinioni. Shumë shpejt iu hoq mandati i deputetit.

Trupi gjykues. Nga e majta në të djathtë Tonin Jakova, Irakli Bozo, Gjon Banushi

Gjykata Ushtarake Tiranë, e drejtuar nga major Irakli Bozo, me pjesëmarrjen e prokurorit major Misto Treska, me vendimin nr.24, datë 12.2.1946, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi me vdekje dhe konfiskim të pasurisë dhe humbjen e të drejtave qytetare e politike. U la në fuqi me vendimin nr.9, datë 14.2.1946 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

Ekzekutimi u bë më 14.2.1946  ora 18.00. Kjo del nga akti i vetëm i vdekjes i mbajtur, i Atë Anton Harapit. U pushkatuan te Kodra e Priftit në Tiranë.

Në foton kryesore: Pamje nga gjyqi. Lart: Lef Nosi, Tonin Harapi, Maliq Bushati

S'KA KOMENTE