Janaq Spiro Liço, lindur në vitin 1910 në Koro të Greqisë (në dokumente ia shkruanin vendlindjen vazhdimisht me gabime), banues në Korçë, nëpunës teknik, ka një histori të jashtëzakonshme: qëndrimin e gjatë në spitalin e burgut në Tiranë.
Janaqi u arrestua më 22.9.1962. U akuzua në bazë të neneve 10, 64, 76, 67, 69, 139/a të Kodit Penal, për pjesëmarrje në “organizatë kriminale” që synonte të rrëzonte pushtetin me ndihmën e shteteve të huaja, me njësi të armatosura brenda vendit; rekrutim dhe vënie në shërbim të zbulimit grek, etj.. U përfshi në një proces me shtetasit: Vasil Jica, Ilia Kapurani, Theodhoraq Fara, Dhimitër Jica.
Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i drejtuar nga Irakli Bozo, me pjesëmarrjen e prokurorit Sybi Dedej, me vendimin n.2, datë 18.11.1963, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. Me vdekje u dënuan të gjithë. Iu fal jeta dhe dënimi iu kthye me 25 vjet heqje lirie, me dekretin nr.3768, datë 17.12.1963 të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Vuajtjen e dënimit po e kryente në Repartin nr.303 Spaç. Në periudhën 23.9.1967 deri më 7.3.1973, ai qëndroi në spitalin burgut, në sanatorium (vend ku ishte një dhomë e posaçme për të dënuarit). Pavarësisht se ishte në prag të vdekjes, nuk pranuan ta lirojnë. Më 16.3.1971, ora 1.30, tentoi të vrasë veten i shtruar në sanatoriumin prej 4 vjetësh. Këtë tentim e bëri me rripin e pizhameve. Pasi nuk mundi, e përsëriti veprimin duke përplasur kokën në kalorifer, por nuk mundi. Pas lirimit nuk qëndroi më shumë se një muaj në Repartin nr.303 Spaç.
U shtrua sërish në sanatorium më 5.4.1973. Ky ishte shtrimi i fundit. Këtu vdiq më 18.7.1973. Vuante nga tuberkulozi, ftohja, etj..