Raporti për vigjilencën në ruajtjen e kufirit ku dalloheshin, për devotshmëri, pionierët dhe kuadrot e partisë, ndërsa fshatarët ishin indiferentë
Një ndër format e rritjes së vigjilencës së ruajtjes së kufirit ishte edhe ajo e improvizimit të shkelësve në kufi. Domethënë e një njeriu të quajtur “imitues” të dërguar nga vetë regjimi i cili bëhej si “shkelës” kufiri për të testuar nivelin e vigjilencës së ruajtjes së kufirit dhe nga populli i zonës apo batalioni i kufirit i ngarkuar për të ruajtur kufirin. Kjo teknikë pak e njohur është përmendur pjesërisht në një nga romanet e Ismail Kadaresë (“Vdekja e Lul Mazrekut”, Tiranë 2002), por kurrë e reklamuar në akte zyrtare. Mënyra e improvizimit ishte shumë efikase sepse ngjallte frikë te kufitarët dhe te populli sepse asnjëherë ata nuk e dinin në kishin të bënin me shkelës apo imitues. Ky i fundit mund t’i denonconte për ulje të vigjilencën apo për kompromis me “shkelësin” (imituesin).
Dega e Punëve të Brendshme Kukës, me shkresën e datës 21.2.1989, njoftonte Komitetin e PPSH-së Kukës mbi rezultatet e imituesve në kufi, bazuar edhe në detyrat e Byrosë Politike të dala në mbledhjen e datës 17.1.1989. Nga imituesi kishin dalë këto probleme, sipas fshatrave:
-Pogaj. Imituesi nuk u pyet nga asnjë banor se ku do shkonte. Madje një nxënës i tregoi rrugën.
-Kishaj. Imituesi u kap nga barinjtë.
-Cahan. Imituesi u kap nga një punëtor.
-Vlahen. Imituesi u kap nga bariu i fshatit. Punonjësit e minierave nuk e ngacmuan.
-Nikoliq, Golaj. Imituesi u pa nga shumë banorë, por askush nuk e pyeti dhe nuk e ndaloi.
-Qarr. Imituesi nuk u pyet, por dy banorë i treguan rrugën.
-Kolesjan. Imituesi u kap nga kryetari i këshillit popullor të kooperativës. Po kështu edhe në Bele u ndalua nga sekretari i partisë.
-Pobreg. Imituesi u kap nga dy banorë që i kontrolluan edhe dokumentet.
-Bardhoc. Imituesi kaloi pranë, por nuk u pyet nga asnjë banor.
-Morinë. Imituesi u kap nga dy pionierë, të cilët e dorëzuan në postën kufitare.
-Orgjoz, Borje. Imituesi u kap nga një arsimtar e një shitës të cilët e dorëzuan në postën kufitare. Në Zapod u kap nga farmacisti i fshatit.
-Shishtavec. Imituesi lëvizi disa herë e nuk e pyeti askush. Madje bleu në klub. Një adoleshent i tregoi rrugën.
-Oreshkë. Imituesi u kap nga sekretari i partisë së kooperativës. Në Carnalevë nuk u pyet nga asnjë.
Në përfundim të raportit, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Kukës, Petrit Zeneli, ngrinte shqetësimin se vigjilentë ishin treguar pionierët e kuadrot, ndërsa masa e fshatarëve fare pak. Theksonte faktin se në zonat ku punohej, fshatarët ishin edhe më indiferentë.