Personat e internuar, edhe pasi mbushnin moshën për pension pleqërie, nuk ishin të sigurt se mund ta përfitonin atë. Drejtoria e Sigurimieve Shoqërore Shtetërore në Ministrinë e Financave, zhvillonte një korrespondencë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me sektorin që mbulonte internim-dëbimet, që në atë kohë ishte Dega e 8-të e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit. Praktika e shkresave ishte sekrete. Vetëm pas miratimit nga MPB-ja mund të jepej pensioni i plotë. Kjo ishte një formë tjetër diskriminimi që u bëhej personave të internuar.
Drejtoria e Sigurimieve Shoqërore Shtetërore, me shkresën nr.231/1 sekret, datë 15.8.1985 kërkonte që MPB të miratonte pesnionin për Genc Preng Pervizi, i cili ndodhej me masë internimi në Gradishtë të Lushnjës, të cilit i ishte caktuar një pension prej 407.90 lekësh në muaj, duke pasur vjetërsi pune 25 vjet.
Për këtë arsye, drejtoresha Haxhire Shehu, kërkonte të shihej se mos ishte internuar për shkaqe të parashikuar në shkronjën “b” të nenit 50/1 të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 “Mbi sigurimet shoqërore” për t’i dhënë minimalen e pensionit, apo duhej t’i jepnin pensionin e plotë.
Ministria e Punëve të Brendshme, me firmë të zëvendësministrit Zylyftar Ramizi, me shkresën nr.3224/5, datë 29.12.1985, kthen përgjigje, për rastin, por edhe për Sofie Xoxen (kërkuar më parë), se në bazë të ligjit të pikës “b” të nenit 50/a të ligjit të sipërcituar, të cilët “plotësonin kushtet për prekje pensioni”. Kësisoj atyre iu dha një pension më i vogël nga ai që u takonte.
Shënim: Në foton kryesore, një grup të internuarish, mes të cilëve edhe Genc Pervizi