1982/“E vramë se presim të intensifikohet veprimtaria armiqësore në Spaç”

0
52

Rexhep Ukë Goçi, që ishte dënuar për agjitacion e propagandë dhe po vuante periudhën e fundit të dënimit, u vra nga ushtarët e vendrojeve aty ku nuk kishte asnjë rrezik për arratisje

 

Më 16.11.1982, ora 8.50, u vra në Repartin nr.303 Spaç, i dënuari Rexhep Ukë Goçi, i vitlindjes 1937, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë. Ai ishte arrestuar më 14.2.1975, pra kish vuajtur shumicën e dënimit dhe ishte në prag të lirimit, duke marrë parasysh amnistinë dhe ditët e fituara me punë. Ai u qëllua nga dy vendrojet, nr.14 dhe nr.15, kur ishte duke marrë trupa betoni për galerinë. Pavarësisht se nuk përbënte asnjë rrezik për arratisje pasi nuk e kish kapërcyer rrethimin e lartë të telave dhe as kishte mundësi ta bënte këtë, vrasja ndodhi. Mundësia e arratisjes së Rexhepit ishte zero. Ajo mund të ndodhte vetëm nëse fluturonte me shpejtësi. Ushtar Bahri Koçi e qëlloi fillimisht nga vendroja nr.14 me dy breshëri nga 4 fishekë. Vijon ushtar Sami Dyrmishi nga vendroja nr.15 me dy predha të tjera. Po nga vendroja nr.14 qëllon edhe ushtar Hysen Uka (përgjegjës i ndërresës) me një breshëri. I plagosur nga tri gryka zjarri, i dënuar iRexhep plagoset rëndë. U dërgua në spitalin e Rrëshenit ku edhe ndërroi jetë.

Ky veprim u mor si shembull pozitiv nga komanda e Repartit nr.303 Spaç sepse: “Presim nga të dënuarit që të intensifikohet veprimtaria armiqësore e tyre”, duke u lidhur me forcimin e vigjilencës. Grupi operativ, i përbërë nga prokurori i rrethit, hetuesi dhe specialisti kriminalist, u dhanë të drejtë ushtarëve me veprimin që kryen. Tre ushtarëve iu dhanë fletëlavdërimi nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme.

Siç edhe e shpjegojnë edhe vetë në raportin nr.436, datë 16.11.1982, kjo vrasje shërbente për të shtuar frikën te të dënuarit si dhe për të rritur moralin te ushtarët që mos të toleronin as veprimin më të vogël në raste të ngjashme.

S'KA KOMENTE