1947/Ligji për ekzekutimet me vdekje

0
410

Deri në vitin 1947 për ekzekutimet me vdekje me vendim gjykate të formës së prerë, nuk ekzistonin rregulla të shkruara. Aty-këtu mund të jetë mbajtur shënim vullneti i fundit i të dënuarit me vdekje, por kjo pa një rregull të caktuar.

Për herë të parë, kjo u rregullua me ligjin nr.390, datë 10.1.1947 “Mbi ekzekutimet e dënimeve”, në të cilin u vendos që Ministria e Punëve të Brendshme të mbante evidencën mbi ekzekutimet në të gjithë vendin, evidencë e cila nuk pati vijimësi në ruajtjen e arkivin e saj. Në vitet e tjera nuk pati më ligje ku të përcaktohej kjo gjë, por kjo u rregullua me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme. Në ligj, e drejta e kontrollit mbi këto ekzekutime i jepej prokurorit të çështjes.

Në kapitullin e dytë, përcaktohej se dënimi me vdekje nga gjykata mund të jepej me pushkatim ose me varje. Ekzekutimi shtyhej në rast se ishte paraqitur kërkesë për ekzekutimin, pikë kjo krejt e pazbatueshme në realitet. Në nenin 7 të ligjit përcaktohej se dënimi me vdekje ekzekutohej nga MPB-ja në një lokal ose vend të mbyllur ku nuk mund të hynte publiku. Sipas kësaj pike, ekzekutimet mund të bëheshin në dhoma të mbyllura. I dënuari lajmërohej një ditë më parë se do ekzekutohej.

Të pranishëm në vendin e ekzekutimit, përveç ekzekutorëve, ishin:

-Prokurori i çështjes

-I deleguari i Punëve të Brendshme

-Mjeku

-Sekretari

Një kopje e procesverbalit të ekzekutimit i bashkohej akteve gjyqësore, gjë që nuk është bërë për të gjitha rastet.

Sipas nenit 9, kufoma e të ekzekutuarit mund t’i dorëzohej familjes, ndërsa në rast refuzimi, varrosej nga shtetit “me shpenzimet e tij”. Vendosej fjala “mund” për ta lënë tërësisht në dorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila nuk ia jepte kurrë familjarëve kufomën e të dënuarit.

S'KA KOMENTE