Pjesa e dytë e intervistës së Klauda Totos, e bija e Kristiana Beçës dhe e mbesa e Nikolla Beçës e Elena Noel-it. Ajo rrëfen për kujto.al, vuajtjet e familjes gjatë diktaturës. Vrasja e gjyshit në torturat e burgjeve komuniste, burgosja dhe internimi i gjyshes franceze Elena Noel. Rrëfen se si regjimi komunist e ndau familjen e saj dhe për pasojë, Klauda përfundoi në jetimore
Kujto.al, realizoi dokumentarin që i kushtohej kësaj historie dramatike të familjes Beça, mbështetur në rrëfimin e Klaudës. Kujto.al do të publikojë intervistën e Klauda Totos. Nis me pjesën e parë të historisë, burgjet dhe internimet, pasojat që lanë në familjen e Nikolla Beçës.
"Babai im vinte vazhdimisht tek unë. Kur mamaja ime iku në Francë, korrespondenca e mamës time dmth që në momentin që i ka hipur makinës së ambasadës franceze, dmth që i ka shoqëruar, se ka ikur me rrugë tokësore, në çdo vend që ndalonte i dërgonte kartolinë babës tim, por para se të ikte, siç më tregojnë shoqet e mamës, ajo po thoshte "po lë zemrën time, po lë shpirtin tim këtu", ato nuk e kuptonin pse po thotë këto fjalë se ajo s'kishte njeri këtu, për babën tim po s'e e dinin dashurinë e babës tim me atë dhe në fakt mama ime kaloi traumë të madhe sepse kishte lënë fëmijën këtu. Arritën në Francë, u stabilizuan, jeta atje... sepse ishte vendi i tyre, por ato kur u regjistruan nuk më regjistruan mua, mama ime ishte e re, ndoshta ndihej dhe në faj sepse ishte e vogël me një fëmijë, ndoshta edhe gjyshja ime para njerëzve të vet nuk ka treguar se nuk i di arsyet e saj, por është normale për mua, unë nuk i gjykoj. Baba ime vinte vazhdimisht, mama ime dërgonte cdo gjë, të gjitha veshjet edhe pse isha në një institucion, veshjet e mia kanë qenë gjithmonë, dallohesha nga të tjerët edhe trajtimin e kisha ndryshe sepse cdo gjë ishte nën kujdes të veçantë për mua. Pastaj aty kanë ardhur shumë veta, shokët e babës, baba im vinte gjithmonë, unë isha një fëmijë shumë melankolike kur isha e vogël dhe kjo shpjegohet sepse është nëna që të jep atë ngrohtësinë dhe sigurinë, por duke u rritur isha pak edhe më e fortë fizikisht sepse do e përballoja jetën, por pastaj u ktheva në shtëpi sepse më mori babi në shtëpi.
- Para se të shkoje në shtëpi mund të kthesh në vëmendje ato momente kur vinte babai të takonte, atëherë kur ti ishe rritur, pra e kuptove që ai ishte babai yt?
Po tregoj një fotografi që mama ime më sillte dhe lodra, kukulla, me krevate dhe këtu ma ka bërë baba im, këtu do kem qenë nja 4 vjeç. Të gjitha rrobat që m'i sillte mama, baba ime do m'i vishte dhe do t'i tregonte asaj mamës time. Këtu mund të kem qenë 2-3 vjeç, i bie ’59-ta, sepse unë këto fotografi i kam larë prapë dhe ato që kanë qenë me datat, i ka mama ime, origjinalet. Unë kam larë ato filmat që ka pasur. Kam shumë. Do të tregoj një fotografi që kam dalë me babën tim.
Në çdo ditëlindje, unë dilja fotografi dhe i kam të gjitha. Që kur ka ikur mama ime korrespondenca me babën tim nuk është ndërprerë asnjëherë.
- Mund të na lexosh një nga letrat që i dërgon mamaja jote babait?
Po kap një letër dosido. (Fillon lexon letrën këtu) Shpirti im Sulk, baba ime e ka pasur emrin Sulejman, kam marrë letrën tënde të datës 19, se çdo 2-3 ditë shkruanin letra, pavarësisht kohës, por korrespondenca ishte e vazhdueshme. Së bashku, me fotografitë që më pëlqyen shumë dhe të falënderoj jashtëzakonisht, ka 10 ditë që nuk të kam shkruar, kam qenë e sëmurë me grip, kollitesha mjaft, por kjo nuk më ka penguar të mendoj pa masë Sulën e Klaudën e vogël që dashuroj me shpirt. Ja koha kalon dhe çfarë kam bërë këto ditë, kam punuar si gjithmonë. Dhe në fund përshëndeten. Së shpejti do të jem me leje 4 ditë. Kjo do më bëjë të pushoj pak. Jam e detyruar të lë letrën, po të puth me mall, e jotja Kristjana.
- Kthehemi te momenti kur ti vjen në shtëpinë e babës, e mban mend atë moment?
Jo, nuk kisha ndonjë përshtypje sepse unë vija dhe më përpara kur isha dhe më e vogël deri sa u krijuan kushtet. Pastaj baba ime u martua me mësuesen time të klasës së parë, ajo ka qenë shumë e bukur dhe mua gjithmonë më tërhiqte e bukura dhe baba im, për të më bërë qejfin mua, u martua. Pastaj lindën dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, unë i doja shumë. Kështu nuk kisha asnjë lloj problemi, kisha një dashuri të jashtëzakonshme, isha më e vogla unë kur arrita në shtëpi, xhajat, hallat ishin jashtëzakonisht të mirë. Bile një nga xhajat i kishte thënë babës si ka mundësi që ti s'na ke treguar sepse i shihte ato këpucët e vogla që kishte, që ja tregonte baba im xhajës edhe shumë mirë, jashtëzakonisht mirë. Unë me njerëzit e babës, xhajat, hallat, me gjyshen, me gjyshin, me stërgjyshen, kisha dhe stërgjyshe nga ana e babës, familje e njohur në Tiranë, Kusi, familje tiranësish...
- Pra ata e dinin se ti ekzistoje dhe ata vinin?
Jo, ata nuk vinin aty, unë vija në shtëpi deri sa u krijuan kushtet dhe erdha përfundimisht në shtëpi dhe vazhdoi jeta shumë mirë.
- Cilat kanë qenë momentet që të kanë ngelur më shumë në mendje kur babai yt lexonte letrat e mamës?
Kjo korrespondenca që kishte mama ime me babën ishte ndërkohë kur unë isha e vogël, fëmijë dhe këtë korrespondencë baba ma ka lënë mua dhe unë e ruaj me fanatizëm, kjo ishte korrespondenca midis tyre. Pastaj kur unë fillova të shkruaja vetë, mbarova klasën e parë, arrita të shkruaj, baba më mësonte si duhet shkrujt dhe pastaj arrita të mësoja dhe shkruaja vetë. Por që korrespondenca me mamën time është: veç baba, veç unë.
- E mban mend letrën e parë që i ke dërguar mamasë?
Unë kam filluar kur kam filluar të shkruaj në klasë të parë. Ato letra i ka mamaja ime, nuk i kam unë. Që në klasën e parë, që kur kam filluar të shkruaj, ato fjalët e para i shkruaja mamës time sepse ajo donte të dinte dhe zhvillimin time, n'daç fizik, shëndetësor edhe intelektual.
- Kur mbërriti letra e parë nga mami?
Nuk e di, unë gjithmonë kam pasur letra nga mami. Jo nuk e kam fiksuar sepse isha mësuar me letra, gjithë kohën e rritjes sime isha mësuar me pakto me letra, qoftë edhe ushqime, nuk më bënte përshtypje dmth nuk e di kur ka qenë hera e parë, ka qenë vazhdimësi sepse nëpërmjet korrespondencës me babin ishte dhe me mua. Kështu që nuk e kam të fiksuar, por mund të them kur kam arritur ta lexoj letrën e parë, kur fillova të lexoj avash-avash ndoshta kam mbaruar klasën e parë, ndoshta kam qenë në klasë të dytë kur je më e pjekur. Kur fillon të lidhësh fjalitë, që mund t'i lexosh vetë letrat e mamës.
- Ishte një dashuri me korespondencë?
Jo, nuk ishte dashuri me korrespondencë, ka qenë dashuri e ndjerë, unë e dija që mama ime ekzistonte sepse më kishte thënë baba dhe fëmijët e tjerë dhe kur isha e vogël, më thoshin "o franceze, o franceze", diçka që unë nervozohesha, nuk e kuptoja, isha fëmijë, si në formë sharje siç e kanë kalamajtë, por që kjo është korrespondenca me mamën gjithmonë ka qenë në vazhdimësi pa ndërprerje.
- Si ia tregoje mamasë jetën tënde këtu?
Ia tregoja çdo gjë, e para nëpërmjet fotografive, nëpërmjet shkrimit... U rrita, kuptoja, shkruaja më gjatë dhe i tregoja çdo gjë. Kur ika pastaj në shkollë në mjeshtëri, të gjithë jetën time unë ia përshkruaja në letër asaj edhe ajo më kthente përgjigje, kjo ka qenë korrespondenca.
Unë kam qenë shumë mirë në krahasim me të gjithë fëmijët e tjerë edhe me moshatarët e mi, dalloja, dalloja nga veshja. Kur erdha në shtëpi, në fillim fare, ata fëmijët e lagjes ndoshta s'më kishim parë, luaja shumë me gocat, megjithëse kam qenë si tip çuni, por luaja me gocat shumë edhe kisha ndonjë ngacmim nga çunat e lagjes, kam qenë shumë tolerante dhe kisha dhe atë kontrastin siç të thashë kur isha e vogël, isha shumë melankolike, pastaj u bëra dhe pak agresive edhe i paralajmëroja, sidomos me djemtë, sa arrija t'i rrihja. Kisha dhe kushërirën time, sot është në Greqi ajo, u bëmë terrori i djemve të lagjes, mirëpo pastaj shkova në shkollë, mbarova shkollën, isha nxënëse shumë e mirë.
- Kur thirre ti për herë të parë mama?
Unë mamë për herë të parë nuk mund të thosha kur s'e kisha nënën time, unë mamë thosha vetëm në letër, mama nuk mund t'i thosha asnjeriu këtu, unë kisha vetëm një baba që e thërrisja baba, por mama s'kam thënë asnjëherë. Mama kam thënë vetëm kur e kam parë mamën time fizikisht, por nëpërmjet letrave shkruaja mama, kështu që edhe nusen që e mori babi im, ish-mësuesen time të klasës së parë, asaj i thosha teta, po mami jo.
- Me siguri ti ke dashur shumë ta thuash këtë fjalë, çfarë do të thotë për një fëmijë që nuk e shqipton dot fjalën nënë?
Duke parë fotot e mamës që i ka dërguar babës kur isha e vogël që nuk arrija të kuptoja edhe ka shumë veta dhe sot e kësaj ditë që thonë shiko sa i ngjan kjo dhe unë mundohesha që një grua që shihja që i përngjante nëpërmjet fotografive të mamës sime e shikoja me një endje, pavarësisht se unë e dija që mama ime nuk ishte në Shqipëri. Unë them sot që kam arsyen dhe që jam e rritur me mungonte dhe doja ta shihja diku, një fantazi. Është e vështirë të rritesh pa nënë, por këtë dashuri ma ka plotësuar babai im dhe njerëzit e mi të familjes, e vështirë është të rritesh pa nënë, aq më tepër që unë jam nënë vetë sot, gjyshe dhe nuk e mendoj dot si fëmija im të rritet pa nënë.