Udhëtim me Nezi Alizotin për një varr të humbur 

0
321

"Ishte pesë vjeç kur i dënuan të atin me varje, Riza Fejzi Alizoti, inxhinier nafte. Nëpër mjegull kujton ndonjë tipar të të atit, ndonjë belbëzim që nuk do ta shqiptonte kurrë më, pas moshës pesë vjeçare: "baba!", apo përqafimet që u kanë munguar gjithë jetën, përqafime e përkëdhelje që dinë të japin veç etërit"

Nga Miranda HAXHIA

Në udhëtimet me Nezi dhe Sevim Alizotin mbeta e gozhduar qysh prej Korçe. Promovohej biografia e Fehim Bej Zavalanit, stërgjyshit të tyre, babait të publicistit dhe atdhetarit të shquar, Tajar Bej Zavalani. E vështroja Nezin dhe motrën e saj Sevimin gjatë ceremonisë së librit dhe pyesja veten: Po unë çfarë do t'u rrëfej nipërve dhe mbesave për të parët e mi? Kush e di sa krenare duhet të jenë këto dy zonja të urta, të thjeshta dhe të mençura për trungun nga kanë rrjedhur. Por kjo do të zgjaste shumë pak, pasi historia e jetës së tyre më bëri të mendoj pyetjen pasardhëse: Kushedi çfarë dhimbje ndjejnë këto dy zonja të urta, të thjeshta dhe të mençura kur qëndrojnë për një çast mbi trungun e prerë dhunshëm të familjes së tyre nga regjimi komunist!

***

Atë kohë ishte prill. Nezi Alizoti ishte vetëm tre vjeç. Nuk e kuptonte se një gjyq special, pikërisht në vitin 1945, do t'ia dënonte gjyshin me pushkatim.

Po kështu, më vonë, shumë më vonë, do të mësonte se gjyshin e saj nuk e kishin kapur plumbat e skuadrës së pushkatimit ashtu si gjashtëmbëdhjetë burrat e tjerë. Atë çast, ai kishte mundur të fliste: "Sipas ligjit ndërkombëtar më falet jeta…".

I kthehen duke i thënë: "Komunistët nuk njohin ligje…" dhe e gjuajnë me plumb pas koke.

Sa herë janë përsëritur këto fjalë: Komunistët nuk njohin ligje! Sa njerëz u zhdukën pas kësaj fjale!

Nezi, motra dhe vëllai i saj, nuk kujtojnë a i thirrën ndonjëherë "gjysh" atij burri të mençur që ishte shkolluar në Turqi.

Ishte pesë vjeç kur i dënuan të atin me varje, Riza Fejzi Alizoti, inxhinier nafte. Nëpër mjegull kujton ndonjë tipar të të atit, ndonjë belbëzim që nuk do ta shqiptonte kurrë më pas moshës pesë vjeçare: baba!, apo përqafimet që u kanë munguar gjithë jetën, përqafime e përkëdhelje që dinë të japin veç etërit.

Nëna e saj, Vera Alizoti (Ypi), u end nëpër internime, derisa dha shpirt në Kryevidh të Kavajës në vitin 1970, pa mundur të bëjë paraqitjen e radhës, të orës pesë në mëngjes e të orës pesë pasdreke te operativi. Rrojti shumë, ishte vetëm 46 vjeç kur u nda nga jeta prej një sëmundjeje të rëndë, pa mjekim dhe pa ndihmë.

Nezi është e motra e Fejzi Alizotit të ri, kaluar gjithë jetën në internim dhe në burgjet e Spaçit e Qafë-Barit.

Janë histori që nuk rrëfehen në udhëtimin e shkurtër nga Tirana në Kuçovë.

***

Rrugën e Kuçovës e kam bërë me dhjetëra herë, por nga rrugëtimi i fundit në atë cep qyteti, mësova se nuk kisha shkuar asnjëherë në jetën time. Ndokush mund të mendojë se kjo nuk është fort e qëlluar, por besoj se njeriu udhëton jo vetëm kur shpie diçka, por kur mbart me vete diçka nga qyteti në kthim. Atë rrugë e kam bërë me fëmijët e mi, por nuk kam patur histori të mëdha, të vërteta për t'u rrëfyer. Jeta ime, gjyshërit e mi, prindërit e mi nuk kanë ngjarje, nuk kanë të pathëna. Ata që nuk jetojnë më e kanë një varr dhe unë e di. Ata që jetojnë ende e kanë një strehë e pikëpjekja me ta është një thjeshtësi e thellë.

Kurse të udhëtosh me Nezi Alizotin do të thotë të vështrosh me sy fëmije e të kuptosh se toka ku ti ecën, bari ku ti shkel mund të gjëmojë nga rënkimet dhe eshtrat e të humburve, të vrarëve, të pushkatuarve, të varurve, të zhdukurve përgjatë diktaturës.

Në anë të rrugës, mes lulishtes, gati e padukshme, është një pllakë e thjeshtë mermeri. Nuk ka madhështinë e lapidarëve të luftës, as shtrenjtësinë e lapidarëve të aksidenteve rrugore. Është një kujdes njerëzor i Bashkisë së Kuçovës, e cila e nderoi inxhinierin që punoi në atë qytet.

Një pllakë përkujtimore për ditëlindje dhe ditëvdekje. I lindur dhe i varur në të njëjtën ditë, 36 vjet jetë midis.

Pikërisht aty, ku dikur lëshonte degët një rrap i vjetër, u var një njeri. Iu hodh litari i vdekjes një inxhinieri të zot nafte. Ishte viti 1947, koha kur pushteti i Hoxhës po u hidhte litarin të gjithë njerëzve të shquar shqiptarë, në të gjitha familjet e njohura, në të gjithë shtresën që në kohë të ndryshme, kush më shumë e kush më pak, kishin vënë nga një gur në themelet e shtetit shqiptar.

Rrapi, kjo pemë e vjetër, dëshmitare e pagojë nuk është më. E kanë prerë. Ndoshta nga frika se do të rrëfente çastet e fundit të jetës së inxhinierit. Ndoshta nga babëzia për të prerë, për të vrarë, për të shkulur… rrënjët e atdheut!

Një njeri kujton se ishte fare fëmijë atë vit të largët, ishte buzëmbrëmje, kur bashkë me dy-tre shokë vërtiteshin rreth rrapit për të marrë nga një govatë betoni ndonjë pije të freskët që ishte futur në akull. Panë që po varnin një njeri. Tregona, o dëshmitar! Oh, sikur ta dinit ju si ishin ato çaste të fundit për babain tuaj! Nuk mund të rrëfej, e kam të pamundur! Juve, vajzës së tij, jo, nuk është e drejtë!

Nezi përlotet. Ka mësuar fundin e gjyshit, dëshirën e vetë vdekjes për të mos e marrë. Plumbat këmbëngulës të komunistëve për ta vrarë. Ndërsa litari i të atit, vuajtja e tij, çastet e fundit… vetëm një perëndim dielli mund ta zbusë dhimbjen. Vetëm një agim mëngjesi mund ta kthjellojë arsyen deri në fund e të bëjë një kompromis me paqen dhe me jetën e gruas që u rrit pa gjysh, pa baba, më tej pa nënë dhe gjithmonë me frikën se po të rrëfente se cila ishte, do ta dënonin edhe atë, edhe motrën apo vëllain.

***

Rizai, kishte bërë një "krim" të madh për diktaturën, ishte shkolluar në Stamboll në "Robert College", vijoi studimet në Shkollën Teknike "Harry Fultz". Më tej, në vitin 1929 filloi studimet e larta në Angli, për inxhinieri miniere. Po kështu si Rizai, kishte edhe shqiptarë të tjerë që studiuan në Angli. Rizai u kthye në Shqipëri që të punonte në vendin e tij. U emërua me punë në puset vajgurore të Kuçovës. Ai u internua prej italianëve në Porto Romano, pasi bashkohet me punëtorët për të drejtat e tyre.

Riza Fejzi Alizoti me jetën mbërthyer në litarin komunist nuk e shëmtoi as rrapin e vjetër, as familjen e tij, as jetimët që la pas, as Shqipërinë. Ajo vdekje ashtu si dhjetëra e qindra të tjera përgjatë diktaturës, shëmtuan vetë sistemin që tashmë mbahet me ndonjë cep përroi ku eshtrat e të humburve nuk gjenden e askush nuk rrëfen kurrgjë; me ndonjë cep lakmie për të zhbërë, tjetërsuar e zhvlerësuar rolin e madh që pati jo vetëm jeta, shkollimi, puna e atyre njerëzve, por edhe vetë dënimi i tyre me të cilin mburreshin e lëvdoheshin paranojakët e sistemit, ajo vdekje është vetëm dinjitet.

Në fund të rrugëtimit, Nezi kujton çastet kur nëna e saj vuante dhe në përpjekje të mundimshme për ta kuruar, përgjigjja e funksionarëve të Ministrisë së Shëndetësisë në atë kohë në Spitalin Onkologjik e kujtoi: "Nuk është çerdhe e Alizotëve këtu".

***

Kurse sot, udhëtimet e Nezit janë udhëtime në kërkim të varreve. As gjyshi i saj, as babai i saj nuk e kanë një varr. Gjyshi, të paktën prehet bashkë me gjashtëmbëdhjetë martirë të tjerë. Rënkimet e tyre janë të njëhershme dhe dhimbja shpërdahet. Po babai i saj? Ku është përroi ku mendohet se e kanë varrosur? Edhe një pllakë tjetër në buzë të tij, në cep të Kuçovës nuk e mposht dot rënkimin e të zhdukurve.

Në ka një gjest që mund të mbulojë çdo mërmërimë mbi gjashtëdhjetëvjeçare që vjen prej eshtrave të të humburve është violina e Plarentit, djalit të Nezit, i cili ishte vetëm 14 vjeç kur mësoi se tingëllima e muzikës së tij përbënte rrezik për regjimin e Enver Hoxhës, pasi ishte nip i një gjyshi të varur në degën e një rrapi të vjetër në qytetin e vogël të Kuçovës.

S'KA KOMENTE