Tri kulla, 529 vjet burg

0
7

Kolë Verri, fëmija i familjes që strehoi Patër Anton Harapin, tregon përndjekjen që pësuan anëtarët e tri kullave në Plavra të Planit, që nuk u pajtuan me komunistët.  Nuk shpëtuan as gratë si nëna e Kolës, që sipas tij ishte e para grua e dënuar dhe as minorenët, siç qenë dy nga vëllezërit dhe motra e tij, që, pavarësisht moshës, u mbajtën në burg 18 muaj.

Nga Kolë Verri*

Kush ishin banuesit në Plavra? Prekë Ndue Kola dhe Kolë Ndue Kola. Ishin dy vëllezër fis me shtëpinë e Bajraktarit të Planit. Kola ishte vëllai i madh, i martuar me Lukën nga Thethi dhe kishin tre djem e dy vajza. Ndërsa Preka ishte i martuar me Dikën dhe nuk patën fëmijë. Dika ishte një grua që gjatë gjithë jetës i qëndroi në krah burrit të saj. Preka në kohën e rinisë së tij ishte dalluar për urti, burrëri dhe trimëri. Që në moshë të re është bërë prijës i fshatit duke e përfaqësuar në çdo kuvend që bëhej me paritë e maleve të Dukagjinit, duke dhënë mendime të vlefshme për pajtim sherresh dhe gjaqesh. Kishte simpatinë e të gjithë parisë së Dukagjinit. Ishte i pashkolluar, por shumë inteligjent dhe fjala e tij në kuvend ishte shumë frytdhënëse.

Gryka e Kirit në Plan

Në dimrin e vitit 1944-45, pjesëtarët e fshatit Plan, për të ndihmuar vëllezërit tanë në Plavë e Guci, kundër Çetnikëve, bashkuan bashkë të gjithë forcat e Dukagjinit.

Nën komandën e tij u bashkuan dhe djemtë e Merturit, pasi një lagje e Planit ishin të ardhur nga Merturi. Në Plavë e Guci janë pritur si vëllezër, që kishin shkuar për të zmbrapsur Çetnikët nga trojet shqiptare, që kishin mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë. Gjatë rrugës kanë vuajtur shumë, sepse dimri ishte i egër. Udhëtimi nëpër male, sidomos bjeshkët e Zeletinës kanë qenë shumë të vështira. Në kthim e sipër ka vdekur Dedë Leka, të cilin e kanë marrë me vete, e sollën në shtëpi dhe e nderuan si një Hero i mbetur në altarin e Atdheut. Komunistët e kanë cilësuar armik të regjimit dhe miqësisë shqiptaro-jugosllave.

Me ardhjen e komunistëve, Prekë Ndou vazhdoi të bënte punën e Këshillit të Bajrakut dhe për këtë kishte kontakte me çdo lëvizje të forcave ndëshkuese apo kontrollet që bënin forcat partizane në bajrakun e tij, sepse ai i shpërndante njerëzit për strehim, fjetje dhe ushqim. Atë ditë që është dorëzuar Patër Anton Harapi, Prek Ndoun e kanë arrestuar forcat komuniste në oborrin e kishës, se aty ishte vendosur qendra e forcave të ndjekjes, e lidhën dhe e dërguan në Degën e Punëve të Brendshme Kodër-Shëngjergj, bashkë me të arrestuarit e tjerë të Planit. Trajtimi i tyre ishte çnjerëzor. Gjykata e dënoi me vdekje, më vonë iu fal jeta.

Shytan Lulashi kishte një vëlla që ishte françeskan që quhej Patër Gegë Lumaj, i lindur në Plavra të Planit dhe i shkolluar për frat françeskan, që gjithë jetën shërbeu në famulli të ndryshme të veriut. Në kohët e fundit, ishte famullitar në Rajë të Mërturit dhe këtu e kanë arrestuar forcat e ndjekjes, para 28 nëntorit. Në fillim e përdorën si përkthyes, pastaj e nxorën në gjyq dhe e dënuan 101 vjet burg. Vuajti në burgun e Burrelit dhe nëpër kampet e punës së detyruar si në tharje kënetash të vendit, është trajtuar në mënyrë çnjerëzore nga administrata e burgjeve. Asnjëherë nuk është përkulur fizikisht as shpirtërisht duke pasur gjithmonë besimin në Zot, se një ditë do të vinin kohë të mira për këtë popull të vuajtur. Pasi bëri 21 vjet burg, e kanë dënuar për së dyti, për agjitacion e propagandë me 10 vjet burg.

Pas daljes nga burgu, ka qëndruar tek një kushërirë në Shkodër. Fëmijët e saj u kujdesën shumë për të. Së fundi e morën nipat e tij në Plan (djemtë e Shytan Lulashit). Aty ka vdekur. Shpenzimet e vdekjes u përballuan nga nipat e tij. U përcoll në banesen e fundit nga e gjithë krahina me nderime dhe respekt.

Shytan Lulashi ishte i martuar me Lenën, kishte tre djem dhe një vajzë. Për familjen tonë ka bërë të pamundurën, na ka ndihmuar shumë. Gjatë periudhës që nana ime dhe vllau Prekë ishin në burg, mua më ka mbajtur në shtëpinë e tij, duke më trajtuar si fëmijën e tij dhe më siguroi çdo gjë. Po kështu u kujdesua edhe për vëllezërit e motrën, që i liruan pas tetëmbëdhjetë muajsh hetuesi. Më vendosi në konvikt për të vazhduar shkollën në Pult.

Shytani ka pasur dhe dy kushërinj që kanë jetuar së bashku, Mark Kolë Plavrin dhe Zefin, i cili ishte ushtar në kohën e arrestimeve.

Mark Kolë Plavra (Lulashi) ishte i martuar me Katerinën dhe kishte një djalë. Markun e arrestuan dhe e dënuan 101 vjet burg. Ka qenë burrë i bukës dhe i besës. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit është dalluar për një qëndrim të veçantë nga të burgosurit e tjerë të veriut, si nga qëndrimi shoqëror, i sinqertë në komunikim me të tjerët. Ishte shembull. Kur i liruan nga burgu Prekë Ndoun dhe Mark Kolën i gjithë fshati ka dalë t'i presë në mënyrë madhështore, megjithëqë njerëzit e pushtetit nuk e shihnin me sy të mirë këtë pritje. Prekë Marash Verri megjithë moshën e re (lindur me 15 prill 1925) u ka qëndruar torturave çnjerëzore gjatë hetuesisë në Kodër Shëngjergj ashtu edhe në Shkodër. Ka bërë një qëndresë burrërore, i ka përballuar të gjitha torturat të bëra nga xhelatët e hetuesisë. Në gjyq bashkë me të tjerët është dënuar me burgim të përjetshëm, 101 vjet. E nxorën nga burgu dhe e morën ushtar. Në provokacionet e vitit 1949 u plagos. Të plagosur e kanë riarrestuar për agjitacion e propagandë, duke e torturuar. E lanë pa i mjekuar plagën që kishte në krah (që u plagos në luftë), kështu mbeti sakat për të gjithë jetën dhe si i quajtur "armik i popullit" nuk i dhanë raport mjekësor.

Pashka Zef Verri (e ëma e Kolë Verrit-shënim i kujto.al). Është martuar në moshë të re me Marash Gjeloshin dhe kishte lindur gjashtë djem dhe një vajzë, këto i jetuan (ndërsa dy djem i kanë vdekur të vegjël).

Jetën e pat të vështirë, se burri i saj vdiq në vitin 1942, mbeti e vetme me shtatë fëmijët e saj, të cilët i rriti me virtytet e njeriut të bukës, të besës, sipas zakonit të Dukagjinit.

E arrestuan bashkë me strehuesit e Padër Anton Harapit dhe e dënuan 30 vjet burg. Është e para grua e Dukagjinit e dënuar nga regjimi komunist dhe është e para femër që dënohet në Shqipëri. Qëndrimi i saj në hetuesi dhe në burg ka qenë frymëzues për femrat e tjera që janë arrestuar më vonë. Gjon Marash Verri, Prelë Marash Verri dhe Lula Marash Verri- i arrestuan edhe pse ishin fëmijë (minorenë), janë mbajtur në Degën e Punëve të Brendshme në Kodër Shëngjergj, që ishte qendër administrative e Kom. Ekz. Të Nënprefekturës Dukagjin e cila më vonë, si Nikaj-Merturi kaluan në rrethin Tropojë. Pastaj i dërguan në Shkodër (në DPB). Pas 18 muajsh burgim i kanë lënë të lirë. Dalja e tyre ishte plot vuajtje, se nuk kishin strehë ku të futnin kokën dhe asnjë mjet jetese, sepse çdo gjë jetese iu ishte grabitur. Në këtë periudhë i ndihmoi Shytan Lulashi duke i strehuar në shtëpinë e tij, në familjen e tij dhe i ndihmoi të ndërtonin një dhomë, që ishte përdorur për bagëtitë që e kthyen në dhomë jetese. I ndihmuan bashkëfshatarët, deri sa u lirua vëllai Leka nga ushtria. Me lirimin e Prekës, Pashkës e Gjonit u riparua çatia e kullës në Plavra (djegur në vitin 1946) dhe filluan jetesën nga e para.

Në këtë periudhë filluan vuajtjet familjare si të përndjekur politikë. Iu desh të shpërndaheshin deri në Tropojë për të siguruar bukën, punuan në Mamurras e më vonë në Shkodër. Ne, si familje, nga sistemi komunist u cilësuam të përndjekur, të prekur, të deklasuar dhe na ndoqi lufta klasore (d.m.th. luftë në kohë paqe), që regjimi komunist na ndau nga pjesa tjetër e shoqërisë, nuk kishim të drejtë të na pranonin në dasma apo në mort, sepse shiheshim si armiq të popullit e të shtetit.

Unë, Kolë Pepa- me hapjen e konviktit në fshatin Xhaj të Pultit, 90 fëmijë të Dukagjinit ishim pranuar të vazhdonim shkollën. Me ndihmën e Shytan Lulashit u regjistrova në konvikt. Ai ka ardhur të më takojë një herë në javë, siç më kishte premtuar dhe e zbatoi deri sa kam qëndruar në Xhaj.

Më vonë u transferova në Theth e pastaj në Shkodër, ku u shtua kapaciteti i konviktit dhe u bëmë 300 fëmijë nga e gjithë Shqipëria. Ne fëmijët që ishim më të rritur kemi bërë dy klasë për nji herë. Në konvikt kishim nxënës që kishin qenë partizanë dhe iu rikthyen shkollës. Në fund të vitit 1951 më morën ushtar. Më kanë arrestuar me 31 korrik 1953 dhe Gjykata Ushtarake në Tiranë më dënoi 25 vjet burg për agjitacion e propagandë, ndërsa një vit më vonë jam dënuar për tentativë arratisjeje nga kampi nr.4 Tiranë, me grupin prej 20 vetash dhe më dënuan me 20 vjet burg.

Gjykata e Lartë Ushtarake nga ky grup dënoi 7 vetë me vdekje, të tjerët u dënuan me 25 vjet dhe 20 vjet burg.

Nga grupi i dënuar me vdekje, tre prej tyre iu fal jeta, ndërsa katër i kanë ekzekutuar në mënyrë çnjerëzore. Për të gjithë të dënuarit, Gjykata e Lartë vendosi që dënimi të fillonte nga viti 1954. Unë Kolë Verri (Pepa) jam liruar nga burgu me 8 janar 1972. Kam bërë 18 vjet e pesë muaj e tetë ditë burg. Prej dënimit 25 vjet kam përfituar 2 vjet e katër muaj (nga puna e bërë).

Nga tri kullat në Plavra të Planit, kanë kaluar në dyert e Hetuesisë të Sigurimit të Shtetit komunist: Dhjetë persona të dënuar, gjithsej 529 vjet burg, duke vuajtur nga 18 muaj hetuesi dhe deri në 30 vjet burgje si dhe në kampe pune të detyrueshme.

Na kanë djegur një kullë dhe prishur dy shtëpi njëkatëshe, na kanë konfiskuar 115 bagëti të imëta, dy mushka dhe marrjen e 127 napolonave, duke mos llogaritur vetëm pasurinë, por dhe prishjen e jetesës për të gjithë pjesëtarët e familjes, keqtrajtimi që na u bë gjatë gjithë regjimit shtypës të komunizmit për 45 vjet. Për bllokmenët që kanë bërë e zbatuar ligjet çnjerëzore të komunizmit, u dënuan në fillimin e demokracisë, i kanë pafajësuar dhe i kanë shpërblyer sa dy herë e gjysmë, ndërsa ne si të dënuar politikë nga regjimi komunist nuk na kanë dëmshpërblyer.

Kur të vijë koha me marrë dëmëshpërblimin shumica e tyre do të jenë të vdekur, sepse koha që është caktuar me marrë dëmëshpërblimin është shumë e gjatë. Prona e të deklasuarve iu është dhënë pronarëve të rinj, të cilët një pjesë janë shitur dy-tri herë. Pronarët janë përdorur sikur të ishin robër lufte, duke qenë të privuar deri në dasma dhe në vdekje. Ndërsa për shkollimin e fëmijëve as që bëhet fjalë.

E pra përderisa prona nuk shkoi tek i zoti dhe nuk do të rehabilitohet ekonomikisht shtresa e persekutuar, nuk do të ketë demokraci të vërtetë në Shqipëri.

 

*Marrë nga libri "Dhimbje 5-Kalvari i fëmijëve në kampet e përqendrimit të komunizmit", i autores Fatbardha Saraçi Mulleti, Fiorentia, Shkodër 2023

Fotoja kryesore: Kisha e Shën Ndout, Plan, Dukagjin, marrë nga faqja e FB "Dukagjini turistik".

S'KA KOMENTE