Tortura e spitalit: I lidhur pas krevatit, me batanije mbi fytyrë

0
288

Kur nisën ta pyesnin për shokët, gjatë hetuesisë, 22-vjeçari Dashamir Kovaçi, vendoste të mos hapte gojë. Atëherë, i thanë se do e shtronin në psikiatri ku e mbajtën të lidhur mbi krevat, me një batanije me fytyrë, duke aplikuar, disa ditë me radhë, edhe elektroshokun.

 

Dënimin, që mund të kishte qenë edhe më i rëndë, pasi kishte deklaruar në hetuesi se e urrente diktaturën dhe kishte ndër mend t'i bënte atentat Enver Hoxhës, e kishte të sigurt. Por kur Dashamir Kovaçit i thanë: “Na fol për rrethin shoqëror”, vendosi të mos nxirrte më asnjë fjalë nga goja. Atëherë e çuan në psikiatri. Dashamir Kovaçi ka treguar për “Zërat e kujtesës”, më shumë se 30 ditët e kaluara në shtratin e spitalit dhe metodat çnjerëzore që u përdorën kundër tij. Dhe kur as këto nuk funksionuan, vendosën se dënimi me shumë vite burg (20), do të mjaftonte.

Dëshmia e Dashamir Kovaçit

…E vetmja torturë ishte ajo në spital, që po jua tregoj në vazhdim.

Pra, kështu vazhdoi situata: pa folur. Vinte nëna dhe sillte ushqimet, por nuk e lejonin të bënte takim, ndërkohë që të tjerët i linin të bënin takime familjare. Më thërrisnin te kati II dhe më provokonin policët, që as intelektin nuk e kishin të më provokonin. Hidhnin fjalë dhe mblidheshin shumë hetues, ndonjëherë me ndonjë grusht kokës, vetëm për të tërhequr vëmendjen sa për të nxjerrë sikur edhe një gërmë. Nuk fola dhe kjo vazhdoi për 2-3 javë. Pastaj më thanë se "do të të çojmë në psikiatri; tani do digjesh keq". Në sekondat e fundit, ambulanca e ndezur priste te dera dhe unë nuk shihja gjë. Por, nuk kishte "mbrapa kthehu" për mua. Më nxorën në disa korridore, bënë ca formalitete, dhe vetëm kur shoh derën e ambulancës që ishte hapur dhe më hipën, të lidhur natyrisht, direkt bashkë me dy policë. Më çuan në spital.

Aty filluan doktorët ato pyetjet e profesionit se çfarë të dhemb, gjoja sikur nuk e dinin se pse kisha ardhur. Unë nuk u flisja fare; as kokën nuk e ktheja. "Di të flasësh ti, më thoshin, je shqiptar ti apo je i huaj?" Fillonin të më tallnin: "qenka budalla fare; mbase ka vuajtur nga meningjiti”. Isha dobësuar e isha bërë skelet. Më shtruan në një dhomë. Më vinin me letra, ku më thoshnin se do të marrim në dorëzim e më pyesnin si e ke emrin. Emrin e dinin, por e donin nga goja ime. Nuk fola; i plotësuan vetë të gjitha.

Më futën në birucë, se ashtu ishin dhomat atje si biruca, vetëm se kanë dritare më të mëdha, me hekura. Ishte spitali i burgut ku kishte të sëmurë psikikë, të sëmurë të tjerë që ishin të burgosur. Në dhomë kisha dy të burgosur ordinerë: njëri do kishte qenë shumë i korruptuar dhe ia kishin prerë organin gjenital të burgosurit, sepse kishte pasur marrëdhënie me djem të tjerë. Kurse tjetri ecte me një serum në krah. Nuk futet i sëmuri psikik me njerëz të tillë në dhomë. Të dy ordinerë, të dy spiunë, të dy të ndyrë, s'kishe ku t'i kapje.

Më lanë të rrija pak aty, më caktuan edhe krevatin, dhe ata të dy më ngacmonin me fjalë. Nuk u dhashë përgjigje, as doktorëve; s'kisha nevojë të bëja luftë me ta. E kisha me hetuesinë sfidën; këta ishin thjesht pengesa rrugës. Këta këtu e merrnin si personale, por ajo ka qenë e inskenuar e gjitha. Më tallnin, më shanin dhe në një moment iu ktheva, e pashë drejt e në sy dhe iu afrova atij që ecte me serum në krah se ai tjetri po rrinte shtrirë. Iku me vrap, të dobët ishin, të mbaruar. I ra derës. “Çfarë do te dera?" - i tha tjetri. "Dua të dal në banjo," – iu përgjigj, që mos të binte në sy tek unë. Erdhi doktori, dhe më shumë foli me shenja se me fjalë. Për një minutë erdhi me oficerin e rojes dhe me 5-6 ushtarë, doktorë, infermierë. U futën të gjithë brenda dhe pyetën "Si ështe puna?". M'u duk si dita e arrestimit. "Erdhi këtu, i tha, ia kapi tubin dhe donte t'ia hiqte e ta kapte për fyti” - vazhdoi. Të gjitha gënjeshtra, sepse dhe si mentalitet nuk kisha ndërmend të zihesha me ta. E vetmja lëvizje e imja ishte t'i ktheja kurrizin, se ata ishin të vrarë, njerëz koti.

Më kapën, m'i hoqën batanijet nga krevati, lanë vetëm një çarçaf poshtë edhe më shtrinë aty. Thashë me vete: gjithë kjo luftë e madhe për të më shtrirë? Nuk rezistova, se nuk ishte nevoja. M'i lidhën krahët me mèshin, më vunë ca kapëse, përdrodhën një çarçaf dhe më hoqën rripat e meshinit e më vunë çarçafin. Çarçafin e ngeci poshtë krevatit e ma nxori te qafa. Aq shumë e shtrëngoi, saqë qafa rrinte e varur, nuk peshonte në jastëk. Pastaj morën edhe një çarçaf tjetër ku bënë të njëjtën lidhje, vetëm se këtë e kaluan nga gjoksi te këmba, duke e tërhequr fort oficeri me kryeinfermierin. Kur e pashë çfarë po bënin, ngaqë e ndjeva efektin sepse shtrëngimet e qafës dhe këmbës më jepnin shtrëngim në gjoks, thashë me vete: dashkan me më marrë frymën! E mbusha gjoksin me frymë dhe po prisja. Edhe ata e kuptuan dhe bënin muhabet, sikur gjoja s'e kishin mendjen tek unë. Kur vinte momenti që nxirrja frymën, ata "fap" e tërhiqnin fort çarçafin deri në momentin që ata mendonin se ishte fundi. Duart i kisha të lidhura me hekura mbrapa. Më dhimbnin kockat nga hekurat që kisha te duart dhe te këmbët. Ato ishin shufra hekuri me vida që shtrëngoheshin sa të doje. Ishte një torturë e tmerrshme. Doktorët dhe kryeinfermieri thoshnin si e duron, sepse ua kanë bërë edhe të tjerëve; e kishin taktikë. Unë vazhdoja të rrija si i vdekur, pa reaguar. Më hodhën batanijen në fytyrë që të më merrej fryma; kjo ishte tmerr.

Pastaj filluan të më çonin për elektroshok, sepse ngaqë ma kishin vënë diagnozën i sëmurë psikik, duhej të justifikonin veprimet e tyre. Shihja që shtypte një buton; duhet të kishin voltazh të ndryshëm për ta ndryshuar volumin e rrymës. E vinte dorën aty dhe më shikonte mua në sy. Mua nuk m'i kishin vënë akoma elektrodat se ndonjëherë i vinin në fytyrë, te këmbët, ndonjëherë një te këmba e një në fytyrë. Ishte si një mikrofon i mbështjellë me napë të bardhë të lagur, për kontakt të fortë. E bënin për të kryqëzuar elektricitetin në trup në pozicione të ndryshme. Më vinin diçka te goja dhe flisnin me njëri-tjetrin (që ta dëgjoja unë) se si mund të më thyheshin dhëmbët dhe se kthehej gjuha mbrapsht. Fjalë, se nuk më ndodhi asgjë nga këto, vetëm se goditja ishte aq e fortë sa kur isha shtrirë dhe i lidhur në krevat ngrihesha vetvetiu, dhe "buum" bija. As një gram forcë nuk ushtroja vetë! I gjithi efekt i rrymës. E bënin gjithmonë këtë, edhe si provokim, sepse duhet ta kishin taktikë. Më shikonte në sy edhe e shtypte aparatin aty ku gjeneratori grumbullonte energjinë me një lloj zhurme. Njëri tregonte se sa volt kishte shkuar dhe tjetri rrinte gati. Kur thoshte ai "Gati, pra!", tjetri shtypte butonin. Kishte raste që nuk e bënin kontaktin qëllimisht, sepse edhe unë isha i vetëdijshëm edhe pse këtë gjë ma bënë 7 ditë rresht.

Në ditën e pestë ose të gjashtë bënë pikërisht këtë lojën, edhe unë vetvetiu reagoja, mblidhesha, se më ishte bërë instinktive. Ata talleshin, "e kapi" apo "s'e kapi"... Unë rrija e i shihja. Ndonjëherë mund t'i kem zgurdulluar sytë, sepse ishte gjë e tmerrshme duke e ditur se çfarë do t'i ndodhte trupit tënd. I shfrytëzuan të gjitha, dhe unë prapë nuk e hapa gojën.

Shënim: Rrëfimi dhe fotoja është marrë nga "Zërat e kujtesës", Vëllimi VI, me intervistuese Luljeta Lleshanakun, botim i ISKK, Tiranë, 2020.

S'KA KOMENTE