Pasi mori dënimin, duke qenë që nuk kishte mbushur ende moshën e pjekurisë, e çuan në një kamp me të dënuar kryesisht ordinerë, në Lezhë, ku të burgosurit punonin “si skllevër” për hapjen e kanaleve në bujqësi. Kushtet e rënda dhe mungesa e shpresës nxitën te Zhivko Petroviç një pakënaqësi të papërmbajtur që ai do e shprehte me trakte kundër regjimit, por kjo i kushtoi shumë. Zhivkon e arrestuan dhe e dërguan në hetuesi speciale, ku ndaj tij ushtruan disa lloje torturash përfshirë dhe atë të elektroshokut
Vetëm pak kohë më parë, kujto.al publikoi një dëshmi, ku Dashamir Kovaçi përmendte edhe sesi e kishin torturuar me elektroshok. Ai nuk është i vetmi. Këtë herë, do të sjellim një dëshmi tjetër, nga Zhivko Petroviç, i cili, i intervistuar nga Luljeta Lleshanaku, për “Zërat e kujtesës” ka shpjeguar me detaje torturën e elektroshokut, ndaj së cilës u ekspozua dhjetëra herë me radhë gjatë kohës kur ndaj tij kryhej hetuesia speciale në Tiranë.
Dëshmia e Zhivko Petroviç
…Më çuan në Lezhë në një kamp ordinerësh: kampi 313. Aty vetëm 2-3 ishin kategoria ime dhe unë rrija me ta. Një ditë komandanti më thotë: "Pse rri me këtë?" Kishte urrejtje për ne.
A punonit aty?
Si skllevër! Hapnim kanale në bujqësi. Një ditë i them një shoku: "A mund të ikim?" Ai iku, unë nuk ika. Gjatë kohës në atë kamp, çfarë nuk pashë. E pashë dhe kuptova se do të më dënonin prapë. Në atë zonë bënin stërvitje aeroplanët. Fillova të flisja, dhe një ditë fola me një shok që ishte ordiner. "Ne këtu kemi për të ngelur!" Aty nuk kuptoje dot kush ishte spiun e kush nuk ishte. U bënë gati 2-3 muaj. U çova dhe bëra trakte: "Poshtë Partia e Punës!", "Poshtë Enver Hoxha!", "Poshtë regjimi komunist!", "Poshtë diktatori!", "Do të vijë dita jonë: ha e vuaj, shpreso e duro!". I shkrova në letra me dorë. Letrat i blinim për t'ua dërguar familjarëve dhe stilolapsin ia mora një shoku nga Vlora. Këtë aktivitet e ushtrova për një muaj.
Si i bëje, kur i shkruaje?
I shkruaja në darkë dhe kur dilnim nëpër fushë e mbaronim punën, i lëshoja nëpër kanale. I merrte era dhe i shpërndante. Ne ruheshim me mitralozë nga të katërta anët; vetëm një brigadier ishte i lirë. Një ditë më kapën: i kisha në dorë kur m'i pa kryetari i Këshillit, Dhori Feja. Unë u mundova t'I grisja por nuk i grisa dot të gjitha. I kisha bërë gati që t'i hidhja të nesërmen. I kemi bërë bashkë me shokë, por shkrimi ishte i imi. Shokët ishin ordinerë, por nga ata që kishin bërë vrasje. Më çuan në zyrën e komandantit. Komandanti më qëlloi me karrige e me shkelma, e më bëri copë. Traktet i kisha në xhep se nuk i hodha dot në fushë, dhe thashë t'i hidhja brenda në kamp. Më nisën për në hetuesinë e Lezhës. Aty pashë më tmerr se herën e parë. Më çuan në hetuesinë speciale në Tiranë, ku më kanë mbajtur më shumë se një vit. Aty më kanë torturuar me mjete, me doktor.
Konkretisht, çfarë mbani mend prej hetuesisë speciale?
Rrahjet i kanë pasur po të njëjtat: te pjesa e kockave me hunj, hekura. Na përplasnin mbas murit. Në hetuesinë speciale ka pasur nja aparat që ishte elektroshok. Këtë ata ta vinin në trup, nga qafa deri tek këmbët. Nuk të bënte asgjë përveç dridhjes me rrymë elektrike. Ai kishte vetinë që në 0-3 të qindat e sekondës, godiste me sa voltazh të ishte graduar. Voltazhi ishte deri në 220 volt. Nuk ta vinin në kokë, se të çmendte direkt. Këtë gjë ata e bënin me doktor, dhe ishte shumë e vështirë ta duroje se të përplaste.
Në kokë nuk ta vinin se humbje kujtesën dhe nëse e bënin, ti nuk mbaje mend dhe pranoje diçka që nuk e kishe bërë.
Sa herë ju kanë futur?
Afërsisht 80 herë. Kur mësohesh, nuk të bën përshtypje më, sepse i thua vetes është thjesht një torturë si gjithë të tjerat.
Çfarë kërkonin nga ju?
Kërkonin të dinin: pse i ke bërë..., trego shokët..., cili është qëllimi yt..., kush të mësoi..., me kë ke lidhje...? Sipas tyre unë isha grup, dhe nëse flisja për shokët, mua më priste plumbi. Nuk kisha rrugë tjetër: me atë që kisha bërë, do dilja ose kryetar ose nën-kryetar grupi. Burgu ka qenë si shkolla: hyn dhe mëson. Hyn armik, dhe bëhesh më shumë armik. E kisha llogaritur vetë se si ta përballoja që mos të nxirrja shokët dhe nuk e bëra. Ata bënë ekspertizën e shkrimit dhe e vërtetuan shkrimin tim edhe pse unë nuk pranova gjë. Akt-akuza në gjyq u referohej "Provave fikse për agjitacion e propagandë".
Çfarë ka qenë më traumatike për ju nga hetuesia speciale?
Për mua torturat më të rënda kanë qenë lidhja me pranga duar e këmbë, me skafandër në kokë, deri në 5 ditë sipas dëshirës së hetuesit. Na godisnin me pranga në kokë, na godisnin këmbët dhe sidomos elektroshoku.
Çfarë pasojash linte elektroshoku?
Ai nuk të bënte gjë përveç dridhjes, por të linte pasoja reumatizmale te kockat. Nëse ta vinin në kokë, atëherë do të kishe pasoja se të linte të marrë, siç kanë përfunduar disa shokë të mitë në spitale psikiatrike. Njëri e kishte emrin Safet Dule dhe tjetri Engjëll Uldedaj. Ata i trajtonin si terapi për kokën, por të shkatërronin. Është një aparat sa një radio; I lagnin dy tapa me një lloj lëngu dhe t'i vinin në trup, shtypnin butonin dhe kalonte rryma. Në burg ishte dikush që merrte vesh nga ajo pajisje dhe më tha se ajo të shkatërron fare me 3 të qindat e sekondës. Nëse ta vinin në kokë, kishte raste që të ikte gjuha dhe vdisje.
Ka pasur ndonjë moment që jeni trembur, pasi ishit djalë i ri? Çfarë ndodh me trupin e njeriut kur lodhet, po me karakterin e tij?
Ka pasur raste që shokët tanë kanë vrarë edhe veten. Disa mendonin se Enver Hoxha nuk do të vdiste kurrë. Mua më ishte fiksuar që çdo njeri lind edhe vdes, dhe kisha shpresë se një ditë do të dilja. Mendoja: kur kanë shpresë këta që janë më të vjetër, si mund t'i humb unë që jam i ri? Shpresa na e mbante frymën gjallë, mbanim edhe njëri-tjetrin. Nuk ishim ordinerë, aty kishte njerëz me shkollë, nga familje fisnike, të mira. Sot dal me kokën lart se nuk nxora asnjë emër, jam i qetë. Nëse ti nxjerr shokët, atëherë je dorëzuar. Unë shpëtova nga plumbi se shkrimi ishte I imi; nëse ishte i dikujt tjetër, më priste plumbi se nuk do tregoja.
Ju nxorën në gjyq pastaj...
Më nxorën në gjyq, por më dënuan përsëri me të njëjtën akuzë: "agjitacion e propagandë", neni 73. Këtë herë isha vetëm.
Shënim: Dëshmia dhe fotoja janë marrë nga libri "Zërat e kujtesës", Vëllimi VI, me intervista nga Luljeta Lleshanaku, botim i Institutit Për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), Tiranë, 2020.