
Mesazhi në dorëshkrimin e Musine Kokalarit: Shqipëria e Kulturës është ajo që i ka dalë gjithherë për zot Shqipërisë Politike, e cila ende asgjë të mirë e të shpresuar s’i ka sjellë dhe as mund t’i sjellë këtij vendi”
Nga Jozef Radi
Për Musine Kokalarin kam lexuar dhe dëgjuar shumë… kam dëgjuar atëherë kur ajo qe e vrarë humbëtirave të heshtjes dhe askush s’guxonte ta përmendte emrin e saj; kam dëgjuar mbrëmjeve rrëfime për të, si për një Hirushe që humbi këpucën në pyllin e Djajve të Kuq… kam dëgjuar për një grua që rrinte edhe midis burrave më të mençur dhe ndriste… kam dëgjuar dhe menduar për Atë, pse im atë e kish pasur shoqe botimesh dhe universiteti, kurse nëna ime kish kaluar një pjesë të burgut dhe të rinisë me të… Kështu, Musineja ka qenë dhe mbetur njeri i shtëpisë tek ne edhe pa e parë, edhe pse e “keqja e përbashkët”, e kish hedhur si Atë, ashtu edhe Prindët e mi humbëtirave të poshtërimit…
Në një betejë, kundërshtarët edhe vriten, po nuk u cënohet dinjiteti… as robërve as viktimave, kurse fundërrinat sunduese dhunuan jo njerëz dhe heronj po dhe kufoma, i çuan ato deri te gremina e vdekjes, po nuk i vranë, jo pse u dhimbseshin, por sepse deshën ta gëzojnë egërsisht atë vdekjen e ngadalshme nën dhunën e tyre, t’i gëzohen tjetërsimit dhe rrënimit të vlerave të njeriut stoik… aq më e dhimbshme kur ky personazh qe një grua fisnike e një dere të Madhe e të nderuar, dhe më e beterrshme bëhet kjo, kur mendon se ajo ishte ndër intelektualet e rralla, të cilat koha i sjell rrallë, veç ndonjëherë dhe s’merr guxim t’i përsërisë më… E Musineja mbetet e Papërsëritshmja!
Musineja, jashtë gjithë vlerave të saj intelektuale, shfaqet sot si monumenti më i lartë moral i gjitha kohërave, një monument sa i dukshëm aq dhe i padukshëm, një monument që ende është i detyruar të jetojë ndër shpirtra, e t’i rrisë në heshtje dhe pa zhurmë përmasat e veta, për sa kohë që kjo shoqëri së cilës i përkasim, ndodhet në çaste rrënimesh e rrëzimesh të skajshme morale, siç po na i dëshmon me shumicë koha e sotme… I kam lexuar disa herë këto pak faqe nga dorëshkrimet e Musinesë, dhe i ndjeva si një pajë nusërie e qëndisur ferr, e qëndisur me fill të artë dashurie ashtu gërmë pas gërme, fjalë pas fjale, dhimbje pas dhimbje, tmerr pas tmerri… dhe jam përpjekur të futem thellë në vetminë e saj solemne, e të ndalem aty, për të kuptuar thelbin e këtyre shënimeve, që përcillen me figurat dritdhënëse të Rilindjes, pa u ndalur shumë të vuajtjet e saj. Sepse Musineja nuk i përket njerëzve që qahen, po njerëzve që besojnë dhe trimërojnë… I rilexoj këto shënime të shkruara ndër netë të egra dimri, netëve të janarit të 1977, dhe ndjej nëpër rreshta të disiplinuar e të shkruar qetësisht thellë e qartësisht bukur një klithmë të madhe! Një klithmë, që nuk duhet veç lexuar, por edhe duhet përcjellë te çdokush që beson te humanizmi, e në mënyrë të veçantë te brezi i ri, që është i shterrur modelesh, sepse ai është një mesazhklithëm ndaj vlerave morale të një shoqërie historikisht qëndrestare, por që kahera e bjerr dukshëm e pa asnjë dhimbje veten; që kaherë po i shthur frikshëm strukturat shpirtërore që u kanë mbijetur stuhive edhe më të zeza se komunizmi i kuq…
Nënteksti i Musinesë e thekson: Shqipëria e Kulturës është ajo që i ka dalë gjithherë për zot Shqipërisë Politike, e cila ende asgjë të mirë e të shpresuar s’i ka sjellë dhe as mund t’i sjellë këtij vendi… Është Shqipëria e Musinesë që i del përballë Shqipërisë së Hoxhës dhe i dëshmon me kurajo se cili është fitimtari… sepse gjithmonë ka pasur Dy Shqipëri kundërshtuese, Shqipëria e Kulturës dhe Politikës, Shqipëria e Dritës dhe Errësirës, Shqipëria e Idealistëve dhe Maskarenjve, Shqipëria e Maleve dhe Kënetës, Shqipëria e Frashërllinjve dhe e Haxhiqamilëve… dhe ka fituar gjithmonë Shqipëria e Kulturës, Shqipëria e Dritës, Shqipëria e Idealistëve, Shqipëria e Maleve, Shqipëria e Frashërllinjve… pra ka fituar Shqipëria e Musinesë!
Musine Kokalari, e fitoi betejën e madhe me Bajlozët e Kohës së vet, dhe jo si Motra e Gjergj Elez Alisë, po si Gjergj Elez Ali me Motër bashkë, me dlirësinë morale, me idealet e larta rilindase, me vlerat fisnike të familjes dhe fisit të saj, edhe pse lubitë e diktaturës, s’lanë poshtërsi pa derdhur mbi trupin dhe shpirtin e saj. Musineja, është sot monumenti më i madh i kësaj toke, që ne duhet t’i përgjunjemi çdo ditë; Musineja është monumenti më i lartë moral i çdonjerit prej nesh që e duam vendin tonë; Musineja është monument i dinjitetit dhe mosnënshtrimi ndaj së keqes; Musineja është monument dashurie, që edhe kur ia vranë mundësitë e të qenit Grua, Nënë, Mësuese, Intelektuale, s’mundën kurrsesi t’ia vrasin nderin e të qenit Zonjë Madhe e Shpirtit Shqiptar…
Të përulem Musine!