Masakra komuniste e 29 shtatorit të vitit 1946, ku u vranë djem e burra të krahinës së Nikaj-Mërturit, nga regjimi komunist.
Kur xhelati Xhemal Selimi thirri emrin e Zefit, djalit të parë të familjes së Mark Alisë, i dyti Ali Marku, i tha xhelatit: Unë jam djali i madh i familjes! Pas pak sekondash u ngrit Marash Marku dhe tha: “Asnjëri prej tyre nuk është i madhi. I madhi jam unë, prandaj mua më takon të pushkatohem!” Kjo bisedë po zhvillohej në logun e burrave në Kodër të Bek Selimit në Nikaj-Mërtur, ditën e Shën Mëhillit, më 29 shtator të vitit 1946. Xhelatët komunistë po përzgjidhnin burrat e djemtë e këtij fisi, t'i çonin para togës së pushkatimit. Do të mbahet mend përjetë, sakrifica sublime e tre djemve të Mark Alisë, debati mes tyre për të zënë vendin e parë, si më i madhi e për të shkuar drejt vdekjes që ia kishte përcaktuar Xhemal Selimi.
Historiani Dodë Progni, sjell detaje të dhimbshme të asaj dite në logun e burrave në kodër të Bekë Selimit në Nikaj Mërtur, ku mbetën të vrarë qindra djem e burra të kësaj krahine, nga dora e xhelatëve komunistë.
Nga Dodë Progni
Ishte 29 shtatori i vitit 1946. Në Nikaj-Mërtur kjo është një datë e shënuar, pasi festohej nata e Shën Mëhillit. Ndër shekuj, nikajmërturesit e kanë pritur me gëzim këtë natë të madhe. Me këtë rast, nepër kullat malësore piqeshin feligjet në hell, pihej venë e raki dhe jehonte kënga me lahutë e çifteli. Si një nga ditët e festave më të rëndësishme katolike, kjo natë krijonte kudo atmosferë festive dhe gëzim. Mirëpo, 29 shtatori i vitit 1946 ishte më i veçanti i të gjitha kohërave. Ai, u kthye në një ditë ankthi, frike e terrori për të gjithë krahinën. Qysh një natë më parë, krahina ishte rrethuar nga forca të shumta ushtarake komuniste. Në dhjetra pika ishin vendosur grupe njerëzish të armatosur, që kontollonin çdo kalimtar. Në Nikaj-Mërtur ish qit kushtrimi që të mblidheshin të gjithë burrat e krahinës, nga 16 deri në 70 vjeç, tek Kodra e Bek Selimit, që ish vendi i tradicional i kuvendeve të fisit të Nikajt. Aty ishte një lëndinë e gjelbëruar, e cila nga ana jugprendimore, jo më shumë se 2-3qind metër larg, ishte komanda ushtarake e operacionit. Ndërsa në anën lindore, ajo përfundonte me një rrëpirë që zbriste thikë, deri në breg të lumit të Zi, rreth 600-700 metra lartësi. Edhe kjo fushëz qe rrethuar nga forca të shumta të armatosura. Njerëzit që vinin nga fshatra e drejtime të ndryshme, një nga një ose grupe-grupe të vogla, futeshin brenda atij rrethimi të hekurt, nga ku nuk guxonin të dilnin më për asnjë arsye. Kurrë malësorët e kësaj krahine nuk kishin përjetuar një poshtërim të tillë. Ata ishin futur si në një vathë të madhe, rrethuar nga njerëz të armatosur më keq se të ishin kafshe të egra ose robër lufte. Pasi qenë grumbulluar të gjithë burrat e krahinës, rreth 1000 të tillë, e mori fjalën komandanti i operacionit – major Musa Daci.
Një burrë me trup mesatar, me nje fytyrë të kuqërremtë e sy që shprehnin urrejtje. Me një të folur jugore të shpejtë, të shkurtër dhe kërcënuese tha: “Ju kemi thirrur për të dorëzuar armët. Ne e dimë se shumica nga ju keni armë. Jo nga një e dy, po nga tre e katër copë. Emrat dhe numrin e armëve që ka secili prej jush, ne e kemi të regjistruar, prandaj të mos përpiqet askush për t’i mbajtur të fshehura. Dhe dijeni,- shtoi majori me mllef, - sot është dita jonë. Kemi ardhur të marrim armët me të cilat ju na keni qëlluar në Qafën e Kolçit. Tani e tutje, ju nuk do të keni më armë në duar, sepse ato do të përfundojnë në magazinat tona”. Vërtët, në nëntor të vitit 1944, i gjithë Nikaj-Mërturi, i madh e i vogël, nën thirrjen kushtrimtare: “Ooo Hiq kushtrim se ra komunizmi serb!” u kishin dalë përballë forcave partizane të Brig. VI S në Qafën e Kolçit dhe tek lumi i Mërturit, i kishin zbrapsur ato, dhe vetëm pasi kjo brigadë mori në përforcim Brig. e XXV S, të dyja së bashku, kishin arritur të pushtojnë krahinën. Tani forcat komuniste, nën pretekstin e mbledhjes së armëve, kishin vendosur të hakmerreshin kundër kësaj popullsie “rebele”.
Major Musai dhe ndihmësi i tij, ekzekutori Xhemal Selimi mezi po e duronin këtë heshtje, që për ata “përkthehej” kundërshtim. Armëët! Bërtiti majori. Dorëzoni armët, se ndryshe do ta keni keq. Nuk keni nga ja mbani! Dhe menjëherë nxorri një listë nga xhepi. Fetë Sadiku ! – thirri ai me zë të larte. Ti ke tre pushkë, prandaj kërkojmë që t’i dorëzosh pa një pa dy. Feta, një nga burrat më të njohur të krahinës, i një familjeje nacionaliste, që kishte nxjerrë luftëtarë trima e prijës popullor brez pas brezi, gjatë luftërave për lirinë e pavarësisinë e Shqipërisë, u ngrit në këmbë dhe tha: Për këtë tokë dhe për këtë qiell, nuk kam asnjë armë o zotni komandant. Armët, Armët duam ne, jo fjalë e betime! – gërthiti majori dhe iu drejtua xhelatit Xhemal, që e kishte diku pranë: “Xhemal! Merre me vete këtë armik! “Xhemali, me një hap të shpejte iu drejtua Fetës, të cilin e nxorri nga grumbulli dhe e vuri përpara tytës së automatikut, për ta dërguar drejt rrëpirës. Sapo bëri 10 hapa, majori thirri dhe një herë me zë të fuqishëm, Xhemal! Pa i dhënë kurrëfar përgjigjeje, brenda disa sekondave Xhemali zbrazi një krehër automatiku mbi shpatullat e Fetës, duke e lënë të shtrirë për tokë në një pellg gjaku, që rrodhi për disa minuta. Sapo zbrazi automatikun, Xhemali e hoqi nga automatiku krehërin, i futi një tjetër, ndërsa me të boshatisurin filloi të thyentë arra, duke i shtypur mbi qytën e automatikut. Ashtu, duke u përtypur dhe duke buzqeshur, u kthye tek majori, i cili thirri emrin e vëllait të Fetës, Adem Sadiku! Ja ku e ke vëllain të vdekur. Nëse nuk do që dhe ti të vdesësh si ai, dorëzo armët! – i tha Majori. “Pasha një Zot që asht në qiell, – tha Ademi, për të gjitha armët që ka bota, atij vllau nuk ja kisha marr shpirtin! Por atij ja morët shpirtin sepse nuk kemi asnjë armë more burra”. Majorit nuk i hyri asgjë në vesh, por urdhëroi Xhemalin ta merrte dhe këtë! Xhemalin ashtu si Fetën, e mori përpara, i vuri grykën e automatikun midis shpatullave dhe e nisi drejt rrëpirës. Ndryshe nga ç’kishte vepruar me Fetën, Ademin e dërgoi deri tek rrëpira dhe e futi në tatëpjetën e saj.