Kreu 26 vite burg politik, por arriti t’i kthehet shërbimit fetar duke u bërë kleriku që drejtoi meshën e parë, 23 vjet pas ndalimit të fesë nga regjimi komunist. Shkëlqim Abazi kujton njohjen me Simon Jubanin në burgun e Burrelit dhe takimet me të në vitet ’90, kur kleriku ishte zhgënjyer me gjendjen e Shqipërisë "me djelm e me varza që dun veç me ik; me horra e me lavira, me spiuj e filistinë që kanë zanë kryet e vendit!"
Nga Shkëlqim Abazi
E martë, 12-07-2011, bën vapë…
Vapë, vapë!
…Një zë gegënisht, më ngushëlloi:
“Kryet shndoshë! T’rrosh vet, or burr!”
…U mata t’i thosha: “keni gabuar adresë”, por telefonuesi më nxorri nga apatia ku më kish kllaposur sëmundja, pagjumësia dhe vapa e padurueshmë:
-Zoti Shkëlçim?
-Po!
-Dom Simoni…, na la!
-Si, si?
-Simon Jubani, pra!-shtoi, si e kuptoi se s’po gjeja dot fjalë të shprehesha.
-Vërtet?!-m’u pre goja!
S’e prisja kurrë këtë lajm! S’di ç’më ishte krijuar një bindje budallai, gjithkush mund të vdiste, po jo Dom Simoni! S’doja ta besoja se mund të ndodhte ndonjëherë! Ai ish burrë i fuqishëm, me pamje solide e përherë të re!
…
U çova në mëngjes me idenë të nisesha për në Shkodër, por këmbët s’m’u bindën, sikur m’u prenë gjer në rrëzë të kofshëve.
U nisa në punë me mendimin:
“Të dal jashtë shtëpisë, pastaj shohim e bëjmë!”
Hyra te klubi i Sandrit, atje, miku im katolik Edmond Fishta, më priste. Para do vitesh më kish shoqëruar në Shkodër, në përcjelljen e fundit të At Zef Pllumit.
U përshëndetëm si zakonisht.
Mondi në këmbë, më pyeti:
-Në ç’orë do nisemi? Prita të më telefonoje! Makina është gati! Mendova se do niseshim, më herët. Kam këtu, që në pikë të sabahut!
-E di, më ke pritur! Mbase ke shpresuar të niseshim shpejt, por gjendja ime shëndetësore s’më mundëson rrugë të gjata,-ia ktheva.
Mandej i shpjegova ç’ndieja.
Më kuptoi, ndërkohë i pikëlluar, më shprehu ngushëllimet.
S’ishte nevoja të hamendësoja, pikëllimi i kullonte ngado. Mbi çdo pore në fytyrën e tij, lexohej: dhimbje!
Porse gjuha vete ku dhëmb dhëmbi, ndërkaq edhe biseda kaloi nga dhimbja për vdekjen te njohja e vjetër.
…
Në ç’rrethana e ke njohur Dom Simonin?-më pyet Mondi.
-Fare, fare thjesht!...
Mjaftoi kaq, që gjylet rrapëllitëse të vargonjëve të ndryshkur të më përplasnin në muret e kujtesës, shkërrmoqën erozionin e së shkuarës, më rikthyen dyzetedy vjet pas, në lebetitë e kohës së qepës.
M’u fanit një fëmi i lidhur me pranga: ky isha unë! Me një auto-arkëz-burg pa dritë, pa ajër, me pesëmbëdhjetë të tjerë bashkë, mbas një udhëtimi troshitës që na i pruri zorrët në gojë, drejt e në derë të Burrelit.
…Fatkeqësisht kur na nisën nga kampi më hipën të parin në makinë, kështu në Ferrin e Burrelit, më erdhi radha të zbrisja i fundit.
Ca na verboi drita e beftë, ca nga mpirja e këmbëve prej rrugës së gjatë, unë s’u tregova i shkathët sa duhej dhe polici që na priste, ngathtësinë e mori si tangërllëk timin dhe tallje për personin e tij. Kështu, në vend të më fusnin në dhomat e burgut me të tjerët, përfundova në qelitë e burgut me minjtë.
Pra, tersi nisi që në krye!
Dhe ky ters më njohu me dom Simonin. Në fakt, s’pata rast të njihesha unë personalisht, po shtrojat e mia që i sistemuan ngjitur me jatakun e tij.
Pas tri ditësh izolim, më nxorrën; direkt nga biruca vajta ku më shpunë.
Më uroi mirëseardhjen dhe më tregoi shtrati:
-Mirse ardhe, or burrë, e të prift e mbara! Ene pse s’e ke nis fort mbarë!
E përshëndeta dhe u ula mbi jatak.
M’u qasën edhe të tjerët të panjohur, më uruan dhe u larguan, kurse kokorroçi mbeti aty.
Vetëm dy të njohur gjeta në atë dhomë, Luan Kokën nga Vlora dhe Shuaip Seitin nga Shkodra, me ata kisha ardhur nga Repsi, të tjerët i shihja për herë të parë. Aty takova edhe dy patriotë të mi beratas, Ilia Thereskën dhe Luftar Çalën.
Me atë katërshe, u kufizua njohja e asaj dite.
Gjithsesi, shok krahu s’do kisha asnjë nga të njohurit, po Simonin që më pas do mësoja se ish prift dhe duhej thirrur me titull.
Ditët që pasuan, e njoha më mirë.
Gjeta të mishëruar te ai edhe martirin e përvuajtur, edhe heroin e çartur! Dom Simoni ish prifti më trim nga gjithë meshtarët katolikë që më rastisi të njoh.
…
Pas ca muajsh, më rikthyen në Reps, prifti mbeti në Burrel, po gjithsesi me Dom Simonin do mbeteshim miq të mirë.
Për njëzet vjet, s’u takuam dot.
Në nëntëdhjetën, ai qe nismëtari që organizoi meshën e parë, në varrezat e Rrmajit. Rrjedhimisht, i pari fetar shqiptar që shkallmoi barrierat e komunizmit!
Mbas një viti u takova me Dom Simonin. Mbasi u përqafuam me mall, e pyetëm njëri-tjetrin për shëndetin dhe familjet, po edhe për miqtë e përbashkët, ata që rronin dhe ata që s’rronin.
Dom Simoni më thotë:
-Kena shpresue gjatë, me ja mbrrit ksaj dite! Andrra te liria e besimit dhe te demokracia e mungueme, na dhan forca me i rezistues s’keqes e me mbet gjallë! Po, qe besa e Zotin, s’e kena mendu, njishtu! Qyre or burr, si asht katandisë Shqypnia! Me djelm e me varza që dun veç me ik; me horra e me lavira, me spiuj e filistinë që kanë zanë kryet e vendit!
U rreka t’i jepja kurajë, këtij burri trim me zemër luani, tashmë i ligështuar. I predikova pak a shumë:
“E ardhmja do jetë ndryshe. Secili do gjejë veten dhe se, ne të ndëshkuarët pa faj të diktaturës komuniste do na jepej haku!”
Natyrisht s’i besoja as vetë ato që i shpreha, po s’doja ta lëndoja priftin hero. Doja t’ia lehtësoja dëshpërimin dhe t’ia zhdukja zhgënjimin në ëndrrat e lirisë.
Kaluan ca vite, te ura e Milotit e takova sërish.
Këtë herë i qeshte buza, faqet i skuqnin, i kish rënë një nur rinor; m’u duk i ripërtërirë tërsisht.
M’u bë qejfi kur e pashë shëndetplotë. U përshëndoshëm, u ulëm në një kafene buzë rrugës dhe ia krisëm muhabetit.
-Dom Simon, gëzohem kur të shoh të rinohesh përditë! Duket, e paske gjetur veten?
-Po qe besa, e kam gjet mir boll! Kam tash do kohë, kam kthye n’Mirditë, atje ku kam ken para se me m’shti mbrend. Jam mirë me shndet dhe ndihem si don Zoti! Me tan katundarët kam dashni, më dojnë dhe i due! Kena ba do punë, me kishat t’reja dhe rikonstruksionin e të vjetnave.
-Po Shkodra, si i ka punët?-e pyeta për shaka.
-Shkodra? Po, si Shkodra or lum djali! Jan shtue filistinët. Ata q’i kan prish kisha e xhamia e që na kan pas spiunue dikur, jan ba t’mdhaj itash! Po, se nga kan ardh ene do priftën kah jashtë që s’e kan hjek kurrnji ditë burg, e tash dun me na kërkue hesa neve, gjasme s’paskemi mujt me i rezistue komunizmit, për me mbrojt kishën!
E kuptova, ai kish mbetur po ai! Simoni i viteve të hershme!
I ndershëm deri në dalldi, i drejtë deri në teh të briskut, kokëfortë deri në çmenduri! S’kish si të ndihej mirë kur ballafaqohej me ata që i konsideronte servilë dhe filistinë hipokritë! Asnjë shenjë ndikimi s’kishin lënë mbi atë karakter vuajtjet dhe mundimet e gjata, madje as mosha s’kish mundur ta platitte llavën e atij krateri të zjarrtë!
Edhe kur jam takuar më pas, kam gjetur përherë po atë; Dom Simonin e drejtë e krenar; burrin e besës, të papajtueshëm me të keqen! Madje, do shtoja: po atë sportist të hershëm që për mbrojtjen e dogmës, ashtu siç e mendonte ai, ish gati të kacafytej sërish me grushta e shqelma, si atëherë në burg…
-Ky ishte Simoni im, i dashur Mondi! Të paktën, këtë njohje kam unë! Ishte një zemër e zjarrtë në një shpirt të trazuar! Që asnjëherë s’u vlerësua, siç e meritonte!
Marrë me shkurtime nga "Repsi Kampi i punës së detyruar", Shkëlqim Abazi, botim i ISKK.