Sami Ahmeti, nëpunësi i Kombeve të Bashkuara që vdiq në tortura

0
183

Sami Ahmeti (Sulstarova), lindur në vitin 1907, diplomuar në vitin 1926 në Shkollën Teknike Amerikane, tek e cila shërbeu më vonë edhe si profesor, ishte një nga personat që u arrestua nga regjimi komunist pas largimit të misionit amerikan nga Shqipëria më 14.11.1946.

Shefi i misionit, George Henderso i shkroi letrën e fundit E.Hoxhës, në të cilën mbrohej figura e H.Fultzit dhe se përpjekja për të përbaltur atë ishte “ofendim i popullit amerikan, qeverisë së tij dhe çdo anëtari të misionit”. Akuzat ndaj Fultzit ai i quajti “fantastike” dhe “absolutisht pa asnjë bazë”.

Mirëpo vala goditëse ra në të vërtetë mbi pjesën më të madhe të studentëve të Fultzit. U arrestuan, u dënuan me vdekje, me privim lirie, apo vdiqën në hetuesi. Njëri prej tyre, i mbetur në harresë në ditët e demokracisë, ishte Sami Ahmeti, i cili punoi edhe si nëpunës (përkthyes), pranë UNRRA-s (United Nations Relief and Rehabilitation Administration, pra Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rimëkëmbje, me qendër në Uashington u krijua me marrëveshjen nga 44 shteteve në Shtëpinë e Bardhë më 9.11.1943, ende pa mbaruar lufta me tri synime kryesore: sigurimin e ndihmave për popullsinë, gjallërimin e ekonomisë dhe rikthimin e robërve të luftës në vendet e tyre. Marrëveshjes i ishin lidhur disa rezoluta. Në prill 1944, UNRRA ngriti misionin për vendet e Ballkanit, përfshi misionet për Greqinë dhe Jugosllavinë. Organizata veproi deri në vitin 1947, kohë kur nisi plani “Marshal”).

Në vitin 1945, UNRRA kishte 81 nëpunës shqiptarë (35 në Tiranë, 35 në Durrës, 6 në Vlorë dhe 5 në Sarandë).

Të gjithë personat që dyshoheshin si të lidhur me amerikanët, u torturuan jashtëzakonisht, aq sa disa nuk dolën në gjyq sepse vdiqën. Njëri ndër ta është edhe Sami Ahmeti. Ngaqë dosjet e personave që vdisnin në hetuesi, pa dalë të gjyq, nuk ruheshin, të dhënat rreth tij janë të pakta. Sipas një letre të kapur nga kontrolli postar thuhej se Ahmeti “kishte vrarë veten burg”. Ndërsa sipas një burimi tjetër thuhej se ka vdekur nga plagët e marra në spital më 15.1.1947.

S'KA KOMENTE