Raprezalje në burg, tre priftërinj refuzuan të “nderonin” për vdekjen e Enver Hoxhës

0
525

Që në mëngjes një muzikë funebër shoqëronte zymtësinë e Burgut të Spaçit, më 11 prill, 1985. Diçka e rëndë kishte ndodhur për komunistët, por jo për të dënuarit politikë. Për gardianët dhe administratën gjëma e madhe i pushtoi. Diktatori Enver Hoxha nuk jetonte më. Të dënuarit nënkuptuan se Hoxha kish vdekur, por mundoheshin mos e jepnin veten, gëzimi i brendshëm duhej mbuluar, ndryshe çdo shenjë gëzimi përkthehej minimalisht në dhunë fizike dhe izolim në birucë. “Na morën të gjithëve dhe dërguan në sallën e madhe për të na dhënë lajmin. Çohuni në këmbë, udhëheqësi ynë nuk jeton më, nderojeni shokun Enver”-tha drejtuesi i burgut. Kështu e kujton atë ditë një nga të dënuarit politik, Fejzi Alizoti. Instiktivisht shumica u çuan në këmbë, jo për nderim, por nga frika e pasojave që mund të vinin. “Vetëm tre priftërinj nuk lëvizën nga vendi. Ishin ulur bashkë diku nga rreshtat e mesit të sallës dhe qëndronin idiferentë dhe te qetë. Sapo i pamë që refuzuan të ‘nderonin’ diktatorin, ne të dënuarit e tjerë ngushtuam radhët dhe i mbuluam me trup, që të mos të dalloheshin që ishin ulur”-kujtonte Alizoti për këtë episod. Frika ishte edhe më pas, pasi në mesin e të dënuarve politikë, ishin bashkuar qëllimisht edhe të dënuar për krime të tjera ordinere dhe kjo kategori më shumë shërbente për të informuar administratën e burgut për çdo fjalë që mund të thoshin kundër pushtetit të burgosurit politikë. Ankthi vijonte, por gjë nuk ngjau në vijim ato “ditë zie” për diktaturën. Mbrëmjen e 11 prillit kudo në burgje me të dënuar politikë apo kampe internimi shiheshin gardianë me sy të skuqur nga të qarat për humbjen e “udhëheqësit” Enver Hoxha dhe njëkohësisht ishin gati që, me urdhrin më të parë që të jepej, të dhunonin të dënuarit që ishin kundër sistemit. Çmenduria arriti deri aty sa u kërkua që të bëhej një “telegram ngushëllimi” i madh që në fund do mante firmën e të gjithë të dënuarve politikë. Ky telegram do i përcillej se vejës së diktatorit, Nexhmie Hoxhës. Fatmirësisht kjo nismë u ndërpre në mes, pasi shumë të dënuar ndonëse e dinin se mund t’i prisnin edhe dënime të ashpra do refuzonin të ngushëllonin për njeriun që u mori lirinë.

S'KA KOMENTE