Proceset e tjera të dënimit të pjesëmarrësve në kryengritjen e Postribës

0
81

Pas shtypjes së kryengritjes së Postribës, përveç procesit kryesor të njohur (në të cilin u ekzekutuan Cin Serreqi, Bilbil Hajni, Atë Gjergj Volaj, Dulo Kali, Xhelal Hardolli), ka pasur edhe procese të tjera gjyqësore, të cilat janë pothuajse të panjohura. Llogariten mbi 15 të tilla. Grupi i poshtëtreguar i takon njërit prej tyre, të cilët ishin pjesëmarrës ose konsideroheshin se kishin dijeni për kryengritjen. Ata janë persona që janë arrestuar ose dorëzuar vetë. U akuzuan në bazë të neneve 2, 3 (1, 2, 7, 8, 14) të ligjit nr.372, datë 12.12.1946, se “kishin pas dijeni shumë kohë më parë për ngjarjen e 9 shtatorit 1946 e kanë marrë pjesë me armë në këtë përpjekje për të rrëzuar pushtetin e sotëm”.

Gjykata Ushtarake Shkodër, e drejtuar nga kapiten II Pertef Alizoti, me pjesëmarrjen e ndihmësprokurorit toger Zurdi Shehu, me vendimin nr.501, datë 18.12.1947, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi:

1-Zyber Hysen Osmani, lindur në vitin 1907 në Rragam, dorëzuar e arrestuar më 28.9.1946, me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar.

2-Isa Shaban Alia, lindur në vitin 1924 në Rragam, dorëzuar e arrestuar më 12.9.1946, kishte në burg xhaxhain e vëllain, me 11 vjet privim lirie e punë të detyruar.

3-Jak Gjon Ndoci, lindur në vitin 1895 në Juban, dorëzuar e arrestuar më 28.11.1946, baba i katër fëmijëve, me 10 vjet privim lirie e punë të detyruar.

4-Ndoc Rrok Jaku, lindur në vitin 1907 në Rragam, arrestuar më 1.12.1946. Në burg kishte kushëririn Franc Rroku, Fran Vasën, të ekzekutuar Lazër Matinë, me 7 vjet privim lirie e punë të detyruar.

5-Shuk Nush Gjini, lindur në vitin 1910 në Rragam, dorëzuar e arrestuar më 12.9.1946, me 7 vjet privim lirie e punë të detyruar.

6-Mark Lok Gjergji, lindur në vitin 1912 në Ganjollë, dorëzuar e arrestuar më 1.11.1946, kishte në burg vëllain, me 5 vjet privim lirie e punë të detyruar.

7-Zef Lok Gjergji, lindur në vitin 1916 në Ganjollë, dorëzuar e arrestuar më 2.11.1946. Në burg kishte vëllanë Markun, me 2 vjet privim lirie e punë të detyruar.

8-Nush Tish Pashuku, lindur në vitin 1913 në Sheldi, arrestuar më 20.10.1946, baba i 5 fëmijëve. Në burg kishte një kushëri, me 2 vjet privim lirie e punë të detyruar.

9-Hajdar Abdulla Alia, lindur në vitin 1892 në Rragam, arrestuar më 13.9.1946. Në burg kishte vëllezërit Shabanin dhe Jonuzin, me 15 muaj, duke qenë barazi me paraburgimin.

10-Jonuz Abdulla Alia, lindur në vitin 1915 në Rragam, arrestuar më 11.9.1946. Në burg kishte vëllezërit Shabanin dhe Hajdarin, me 2 vjet privim lirie e punë të detyruar, por lirohej për plotësimin e kohës në paraburgim.

Të dënuarve që nuk u liruan iu hoqën të drejtat civile e qytetare për 2-3 vjet.

S'KA KOMENTE