Petro Marko në burgun komunist

1
184

Nga burgjet e fashizmit dhe nazizmit, në ato të komunizmit në atdheun e tij

Shkrimtari Petro Mark Marko (1913-1991) u lind në Dhërmi. Në periudhën mars 1937 deri qershor 1938, mori pjesë në luftën e Spanjës. Në korrik 1938 deri shkurt 1940, qëndroi në Francë. Në mars 1940, erdhi në Shqipëri. Në maj 1940 deri dhjetor 1941, në burg sepse u kap në Vlorë për çështjen e një trakti. U arrestua sërish më 2.1.1942 dhe më 25.5.1942, u dërgua në Itali, ishullin Ustika, për të vuajtur dënimin me 10 vjet internim. Shumica e të internuarve ishin jugosllavë e italianë e fare pak shqiptarë.

Më 25.5.1943, u dërgua në kampin Francheti ku ishin edhe shumë britanikë të kapur nga kolonitë italiane të Afrikës. Ata rronin mirë pasi u vinte ushqim nga ambasada e Zvicrës. Me kapitullimin e Italisë, ikën nga kampi e vendoset në Romë në dhjetor 1943. U paraqit te Kryqi i Kuq.

Në shkurt-maj 1944, qëndroi sërish në burg i kapur nga gjermanët. Doli nga burgu kur partizanët italianë i liruan. Ndërsa në shtator 1944, erdhi misioni ushtarak shqiptar në Bari, në tetor 1944 Petro Marko, vjen në Shqipëri. Zbriti në Spile, vijoi në Berat e Tiranë. U mor me nxjerrjen e një buletini të Korparmatës së 3-të. Për këtë shkoi deri në Shkodër. Më 24.12.1945, u thirr në redaksinë e gazetës “Bashkimi” në Tiranë.

U arrestua më 5.5.1947, u akuzua në bazë të neneve 3/10, 4/1 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 sepse gjatë qëndrimit në Itali kishte marrë pjesë në formimin e komiteteve me Dhimitër Beratin e Mehmet Konicën në shërbim të anglo-amerikanëve, si dhe për lidhje e dhënie informatash me misionet e tyre pas ardhjes në Shqipëri. Gjykata Ushtarake Tiranë, e drejtuar nga kapiten I Ago Çela, me pjesëmarrjen e prokurorit ushtarak Hilmi Telegrafi, me vendimin nr.59, datë 5.5.1949 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 3 vjet burgim e punë të detyruar, si dhe heqjen e së drejtës për paraqitjen në publik për 1 vit. U la në fuqi me vendimin nr.112, datë 22.8.1949 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

U lirua më 15.5.1950.

Foto: Petro Marko në burg

1 Koment