Dokumenti/ I arratisuri Gjin Pjetër Marku, nuk e duroi dot presionin ndaj familjes dhe për këtë arsye ai vendosi të dorëzohej. Nëse i arratisuri dorëzohej, internimi i familjes merrte fund.
Gjin Pjetër Marku kishte qënë në radhët e partizanëve, por mesa duket ishte rekrutuar me dhunë dhe jo me vullnet të lirë. Mobilizimet me forcë janë fenomene të njohura në fundin e vitit 1944 dhe fillimin e vitit 1945. Për këtë arsye ai vendosi të dezertojë pak kohë para se përfundonte lufta, por ky veprim i tij nuk do të shkonte ashtu pa u vënë re.
Me të ardhur në pushtet, komunistët nisën ndëshkimin e kundërshtarëve. Një ndër metodat me të cilat do të luftoheshin kundërshtarët ishte pengmarrja e familjes së tyre. Do të quhej internim por në të vërtetë ishte si pengmarrje nga regjimi derisa të dorëzohej familjari i tyre. Familja e Gjin Pjetër Markut ishte internuar në kampin e përkohshëm të Batalionit të 3-të të Mbrojtjes së Popullit. I arratisuri, Gjin Pjetër Marku, kishte marrë vesh presionet dhe dhunën ndaj familjes së tij dhe për këtë arsye ai vendosi të dorëzohej. Nëse i arratisuri dorëzohej, internimi merrte fund. Edhe për këto raste trashëgojmë fare pak dokumente.
Kujto.al publikon për herë të parë këtë dokument i cili shënon edhe fillimin e periudhës së errët të historisë sonë kur mijëra familje të kundërshtarëve të regjimit u shpërngulen me forcë nga banesat e tyre dhe u mbyllën në kampet me tela me gjemba të vendosura në disa vende në Shqipëri. Kampi i Tepelenës, Krujës, Kamzës, Beratit, Kuçovës, etj. janë kampet famëkeqe ku vuajtën internimin mijëra gra, fëmijë e pleq të familjeve të kundërshtarëve të regjimit komunist. Shumë prej tyre humbën jetën gjatë dënimit për shkak të kushteve të vështira, urisë dhe mungesës së higjienës. Në të vërtetë, ata ishin persona të marrë peng pasi nuk kishin kryer asnjë krim apo vepër kundër ligjeve të diktaturës. Kampet në fjalë i përkasin kryesisht periudhës 1945-1953.