Një fletore në vend të babait!  

0
803

Amaneti e Seit Matjes për djalin që e la jetim vetëm 9-muajsh: “Më vjen keq që je kaq i vogël dhe nuk kupton,  por kam besim se do jesh krenar për babanë që ke pasur. Megjithëse jeta kërkon që ne të ndahemi, nuk do të shoh tek rritesh e zbukurohesh, por kam besim se do të rritesh një djalë i mençur dhe atdhetar. Flamurin kurrë mos e lini, ta vini edhe tek dera gjithmonë sepse jeni shqiptarë”. Një ditë para se ta pushkatonin, Seit Matja shkruajti në një fletore amanetet për bashkëshorten dhe secilin prej fëmijëve të tij, për të mbetur si gjëja më e shtrenjtë për ta 

Nga Luljeta Progni

Sa herë e zinte malli për babanë, Liljana shkonte te sunduku i nënës dhe prej andej nxirrte një fletore. Ia niste si ngaherë të njëjtës melodi malli: “Ke qenë floriri i parë që ke lindur në këtë shtëpi. Duhet të jesh krahu i parë i nënës dhe të kujdesesh për më të vegjlit”, ishin të njëjtat vargje që kish lexuar mijëra herë e po aq kish qarë me dënesë. Fletorja me amanetet e fundit për familjen, ishte i vetmi kujtim që iu kishte lënë fëmijëve të tij jetim, Seit Matja. E kishte shkruar më 1 tetor 1945, një ditë para se të pushkatohej. Liljana ishte e madhja e pesë fëmijëve të Seit Matjes. Liljana ishte dhjetë vjeçe kur i ati u pushkatua, pasi ishte shpallur “armik i popullit” nga regjimi komunist. Historia është rrëfyer nga Suzana, vajza tjetër e Seit Matjes.

Kalvari i vuajtjeve të familjes do të ishte i gjatë. “Ishte nëntor në vitin 1945. Një grup njerëzish të panjohur erdhën dhe na nxorën nga shtëpia. Nuk na lanë të vishnim as palltot. Vëllait të vogël, Shpëtimit, ia hoqën mbulesën sipër pelenave dhe doli fëmija i zhveshur në mes të të ftohtit….”, kështu nis kalvari i vuajtjeve të një gruaje me pesë jetimë, të sulmuar papushim nga diktatura. Do t'iu mungonte buka, veshjet, ngrohja, shkollimi, por më shumë do t'iu mungonte buzëqeshja e babait.

 

Takimi i fundit më babanë

E takuam tek burgu i vjetër. Në një krah mori vëllanë, në krahun tjetër më mori mua; motra e shkretë që ishte tre vjet më e madhe i rrinte në sup dhe të tjerët në prehër. E mbaj mend atë moment sepse ishte i fundit kur e pashë babanë. Ishte një ditë para se ta pushkatonin”, rrëfen Suzana, vajza e Seit Matjes. Në një intervistë për “Zërat e Kujtesës", Suzana tregon detajet e një jetë të mundimshme. Një ndër detajet më të dhimbshme është fletorja që babai iu kishte dërguar bashkë me sendet e tij personale, të cilat i kish lënë në qeli, atë ditë të 2 tetorit 1945, kur e morën për ta pushkatuar.
Ajo fletore do të ishte për disa kohë gjëja më e çmuar për pesë fëmijët jetim të Seit Matjes.

“Kur e vranë babanë, na sollën teshat e tij e bashkë me to ishte edhe një fletore. Në atë fletore, babai kishte lënë porosi për secilin prej nesh, duke nisur qysh tek nëna, motra e madhe, ne më të voglat e deri tek vëllai që ishte më i vogli. Na porosiste që të ndihmonim nënën, të ishim të sjellshëm, atdhetarë, ta donim Shqipërinë, por asnjëherë të mos merreshim me politikë. Porositë e babait ishin ligj për ne dhe mbetën ligj për gjithë jetën.

Fletorja nis me porositë për nënën:

”Po ti lë të vegjel dhe do m’i sjellësh në atë dynja të rritur. Kam shumë besim tek ty, se je një nënë e përkushtuar për fëmijët. Kam besim se nuk do t'i largosh nga vetja fëmijët”.

Mesazhi i dytë në fletore ishte për më të madhen prej fëmijëve, Liljanën të cilën e porosiste t'i bëhej krah së ëmës në udhëtimin e vështirë që i priste.

“Ke qenë floriri i parë që ke lindur në këtë shtëpi. Duhet të jesh krahu i parë i nënës dhe të kujdesesh për më të vegjlit.

Një mesazh po kaq i ndjerë edhe për dy vajzat më të vogla të cilat ishin afër në moshë dhe i mbante si binjake.

“ Jeni dy lule që do të rrini gjithmonë në shpirtin tim, por të rriteni vajza të mira që të dëgjoni nënën e t'i rrini në krah, të doni dhe familjen, po ashtu Shqipërinë dhe flamurin shqiptar. Kam besim dhe ju puth fort ju “lulet e jetës”.

Fletorja mbyllet me mesazhin e dhimbjes për të voglin, djalin e tij që ishte vëtëm 9 muajsh ato ditë kur Seit Matja u pushkatua.

“Më vjen keq që je kaq i vogël dhe nuk kupton fare por të kesh besim se do jesh krenar për babanë që ke pasur. Megjithëse jeta kërkon që ne të ndahemi, nuk do të shoh tek rritesh e zbukurohesh, pork am besim se do të rritesh një djalë i mençur dhe atdhetar. Flamurin kurrë mos e lini, ta vini edhe tek dera gjithmonë sepse jeni shqiptarë”.

Për disa vite, fletorja ishte ngushëllimi i pesë fëmijëve jetim për babanë e tyre. Por një ditë hetuesit e regjimit komunist vendosën ta grabisnin edhe fletoren.  Liljana, Suzana e dy motrat e vëllai i tyre, i kishin mësuar tashmë përmendësh amanetet e babit sepse ishin vargjet që kishin lexuar me së shumti, sa herë që i zinte malli për atin e tyre.

Seit Matja kish qenë familje intelektualësh në kryeqytet, bir i një avokati të spikatur si Rexhep Matja. Seiti kishte studiuar në Turqi për avokati dhe ishte kthyer në atdhe si avokat. Regjimi komunist e shpalli armik të popullit dhe e pushkatoi më 2 tetor të vitit 1945. Familja e tij vuajti kalvarin e vuajtjeve, si mijëra familje të tjera të atyre shqiptarëve që regjimi komunist i shpalli padrejtësisht “Armiq të popullit”. Në këtë artikull, kemi shkëputur vetëm një pasazh që lidhet me fletoren e amaneteve të Seit Matjes, por historia e familjes së tij është mjaft më e dhimbshme. Është përshkruar me detaje në një intervistë që studiuesja dhe shkrimtarja, Luljeta LLeshanaku ka realizuar me Suzanën, vajzën e Seit Matjes.

Shënim: Historia mbështetet te rrëfimi që Suzana Matja ka dhënë për librin "Zërat e Kujtesës me autore Luljeta Lleshanaku. Fotografia ështe një kompozim grafik realizuar nga Kujto.al, bazuar mbi rrëfimin e Suzana Matjes 

S'KA KOMENTE