Dhjetor 1944, Tuk Jakova: Si e gjetëm Shkodrën pas ikjes së gjermanëve

0
276

Letra e 6 dhjetorit ku zbulohet aktiviteti i komunistëve pas hyrjes në Shkodër dhe arrestimet e bëra që në ditët e para…

Kjo letër e Tuk Jakovës e 6 dhjetorit 1944, të cilën ai ia adreson Komitetit Qendror, zbulon se në ç’gjendje e gjetën komunistët qytetin e Shkodrës  pas largimit t ësuhtrisë gjermane nga territory Shqiptar dhe se si punuan komunistët për të vendosur pushtetin e tyre aty.  Jakova i bën një skaner gjendjes së terrenit, që duket ishte mjaft e vështire për  të instaluar pushtetin e komunistëve për shkak të kundërshtarëve të tyre politik në këto zona,  por ai identifikon edhe dëmet e luftës sidos në ura dhe rrugë të shkatërruara gjatë kalimit të forcave gjermane dhe në fund dëshmon fushatën e egër të terrorit dhe arrestimeve ndaj kundërshatrëve të tyre. “Arrestimet po vazhdojnë, në burg jemi dyke mbajt vetmë ata qi kanë për të dhanë hesapë, të tjerët i mbajmë nën vërejtje në qytet. Do ju dërgojmë nji listë të gjithë ktyne qi kemi mbrendë dhe jashtë”, shkruan Jakova, ndërsa kërkon udhëzime nga kupola për veprimet e mëtejshme.

Më poshtë e sjellim të plotë letrën e Tuk Jakovës së bahsku me faksimilen e saj.

Letra e plotë

Të dashur shokë!

Kuer erdha ktu në Shkoder, çdo punë ishte në rrmujë. As nji sektor pune nuk shkonte ne rregull. Qyteti ka shptue pa u damtue por urat janë shkatrrue të gjitha dhe kto donë nji kohë të gjatë të ndreqen. Populli në përgjithsi asht i knaqun me ne, por akoma ka nji indiferencë. Organizata e Shkodrës me përjashtim deri diku të rinisë asht krejtsisht e dobët.

Kshilli i Qarkut dhe Komanda po përmirësohen. Kemi ba nji mbledhje me Kshillin ashtu me Komanden dhe u kemi skjarue detyrat ashtu kemi nda dhe seksionet në bazë të vendimeve të Beratit.

Me K.Qark. kemi ba vetem nji mbledhje, aty kemi skjarue detyrat qi i paraqiten organizatës. Nder celula nuk kam mujt deri tash me shkue mbasi kemi pasë punë shumë. Tash qi u grumbullue Shtabi i Korpit III-të të paktën do lehtësohem nga puna ushtarake për të muejtë me punue në sektoret e tjerë.

Dje kemi ba nji Meting ku muer pjesë nji shumicë e madhe e popullit Qytetit. Aty foli nji nga kshilli i qarkut, nji per rinine e nji per gruen. Fola edhe unë në emen të Kshillit të Përgjithshëm në fund, Brig.I-rë bani nji parakalim.

Populli u skjarue mirë nga kjo mbledhje. Përveç kësaj nëpër lagje mbahen  konferenca për zgjedhjet e kshillave. Populli ka nisë të marri pjesë me interesim në këto mbledhje. Për së shpejti do kemi kshillin e qytetit të zgjedhur Demokratikisht. Sa për kshillin e Qarkut ky do vonojë shumë të bahet definitiv, mbasi në qarkun e  Shkodrës nuk asht ngritë pushteti. Tash qi do shkojnë brigadat në Malsi të Madhe, Dukagjin e Shalë e Shosh do dërgojmë me ta delegat për ket punë ashtu edhe nder katunde për rreth Shkodrës do dërgojmë njerëz për të kompletue ngritjen e  pushtetit.

Vullnetarë nga Puka e Mirdita kanë ardh deri tani afër 350 veta nji pjesë janë mobilizue ndër komanda të vendit e të rrethit, megjithatë presim të vinë edhe vullnetarë të tjerë. Të gjithë i kemi dërgue në brigadën e Shkodrës, e cilla deri tani ka harri 1100 vetë. Jam i mendimit qi të tjerë qi po mobilizohen ti shpërndajmë në brigada të tjera, se për të formue tash për tash nji brigadë të re mungojnë kuadrot, sidoqoftë ju më lajmoni për kte. Në Shkodër armiku u tërhoq në rregull prandaj nuk janë zanë sende të nevojshme për ushtrinë, si armë, veshmbathje, automjete, etj. Për automjete kemi marrë nga populli por nuk kemi benzinë e naftë. Jemi duke konfisku benzinë e naftë ndër ata qi kanë mshefë. Sende ushqimore janë zanë mirë, sidomos bereqet, por nga grumbullimi i forcave të shumta në ket qark konsumi ka qenë shumë i madh e duhet të konfiskojmë nga nji anë e duhet të hapim fushatë ndihme në bereqet se kshtu do metemi keq. Bankat e shoqrit e ndryshme dhe Monopolet i kemi bllokue, por duhet të na skjaroni çfarë të bajmë me ta.

Arrestimet po vazhdojnë, në burg jemi dyke mbajt vetmë ata qi kanë për të dhanë hesapë, të tjerët i mbajmë nën vërejtje në qytet. Do ju dërgojmë nji listë të gjithë ktyne qi kemi mbrendë dhe jashtë. Na dërgoni udhzime të reja në vendimet qi do marrë qeverija.

Kalimin e lumenjve po e ndreqim me trapa. Bahçalleku e në Lesh u ndreq tash do ndreqet te ura e Milotit.

Të fala

Tuku

V.F.L.P.

6.12.944.

S'KA KOMENTE