Dëshmia rrëqethëse e Leze Ndrejajt nga kampi i Tepelenës

0
569

NJË LETËR KUJTESE NGA LEZE NDREJAJ KOÇEKU

Në këtë periudhë Covid-19 (periudhë pandemie) më erdh një letër e dërguar nga zonja Leze Ndrejaj (Koçeku). Është një letër kujtese. Kujtesa është gjëja më e çmuar që ka njeriu. Ajo tregon për jetën e saj. E lindur në vitin 1946, e internuar në vitin 1948, bashkë me nënën dhe motrën, sepse i ati kishte kaluar kufirin shqiptar. Është një letër kujtese, që të magjeps për mënyrën e të shkruarit. E falenderoj për këtë dhuratë të çmuar që i shtohet kolanës së librave “Dhimbje” ose “Kalvari i grave në burgjet komuniste:", botuar nga ISKK.

Fatbardha Saraçi Mulleti Shkodër – 2020

HISTORI E TMERRSHME

Unë që po shkruaj këtë letër jam Leze Ndrejaj e bija e Palit dhe e Prendës, datëlindja 1946, linda në Tropojë, sot banuese në Shkodër. Në këtë letër po shkruaj historinë e jetës sime, se si na poshtëruan dhe na persekutuan gjatë gjithë jetës.

Babai im, Pali, nuk mundi me durue regjimin komunist. Ai luftoi me mjetet e veta, në zonën e Veriut, që nga vitit 1944 iu bashkua Nik Sokolit të Batoshës.

Janë mbledhë të gjithë shokët tek Guri Murg. I kanë paditur dhe i rrethuan, krisi pushka e mitralozi. Plumbat i kanë rënë nëpër këmbë... Nuk e kuptuan si kanë shpëtuar. Vetëm Zoti i ka ndihmuar. U detyruan të largohen, se po të kapeshin nga forcat e ndjekjes, në Shqipërinë që sundonte Enver Hoxha, do i kishin pushkatuar. Babai im u larguan nga Atdheu, por familja i mbeti në Shqipëri. Pas largimit të babait, ne na erdhi jeta shumë e vështirë.

E kanë thirrur nanen Prendë në Degën e Punëve të Brendshme Tropojë, e kanë pyetur për babain. Ajo iu përgjigj:-Nuk e dijë ku ka shku. E kanë torturuar në mënyrë të tmerrshme, duke përdorur dhe korent elektrik.

E thirrnin natën, kur e lironin detyrohej të ecte natën e vetme, nëpër male. Në shtëpi kishte dy vajza të mitura; Zoja 5 vjeçe, Lezja 2 vjeçe, dhe një plakë 85 vjeçe, që ishte gruaja e xhaxhait të babait. Ishte e moshuar, e vetme, se djali i saj ishte frat françeskan dhe jetonte në Itali. Kështu ajo jetonte me ne, dmth nëna ime, dy vajzat e mitura dhe zonja e nderuar 85 vjeçare.

Tre muaj rreshtë e kanë thirrur nënën në polici, duke e torturuar. Ne fëmijët qanim gjithë natën dhe ditën kërkonim nënën. Ecte e ecte nëpër natë të mbërrinte tek vajzat e saj që ishin të vogla. Kjo ishte jeta e jonë, të tmerruara që në moshë  të njomë.

Ka ardhur policia në orën 12 të natës, na kanë marrë nga shtrati, siç ishim me rrobat e natës, na kanë tërhequr zvarrë nëpër shkallë dhe na nxorrën në oborrin e shtëpisë. Nuk e lejuan nënën tonë të na vishte. Ajo ju tha:- Më mbarojnë fëmijët. Ata iu përgjigjen:- Le të mbaroni, se keni me vdekë.

Na shembën shtëpinë, na grabitën të gjithë pasurinë. Na nisën për në Tropojë. Binte shi. Nuk lejuan të merrnim bukë dhe ujë. Nëna mori dy vajzat e i vendosi në kurriz, ndërsa plakën, nanë Sutë e mori për dore.

Gjithë naten ecëm nëpër rrugë dhije. Shiu vazhdonte të binte. Nuk na lejuan të pushonim nën ndonjë lis, sa të pushonte shiu. Sa ka dalë drita mbërritëm në Tropojë. Plaka e shkretë nuk ishte në gjendje të ecte, por ata i drejtonin kamxhikun.

-A keni gjyshe në shtëpi?! -i tha nana- Edhe kjo është nënë e dikujt. Nuk i kemi bërë gjë askujt. Na mbyllën në kazerma, terr e tmerr. Na internuan në Kala të Beratit.

Racioni ushqimor ishte 500 gr bukë misri, banonim në kasolle. Tre herë në ditë bëhej apeli. Punë e detyruar në hapje kanalesh, punë në arat e mbjella.

Zonja e moshuar, nanë Sute 85 vjeçare vdiq në Kala të Beratit. Nana Prendë Palja shkoi tek prifti i Beratit, iu lut që ta ndihmonte me varros. Ajo i tha:-Kjo zonjë e nderuar është nana e një frati françeskan, që jeton në Romë (Itali). Ndoshta, ndonjëherë i vjen i biri e i merr eshtrat e nënës së tij.

Prifti e dërgoi nënën tek seksioni me marrë dërrasa dhe e varrosëm tek kisha e Beratit. I biri i zonjës Sute vdiq në Romë dhe nuk u takua asnjëherë me nënën e tij.

Zonjës Sutë i humbi varri, dmth mbeti varrhumbur. Forcat e ndjekjes na mbyllën në burg, terr e tmerr. Ishim të pafuqishme, po kështu erdhi jeta jonë, ishte tmerri i shqiptarëve të ndershëm.

Provuam kampin e Tepelenës, jetuam në kapanone, me qindra njerëz, pa dallime seksi e moshe. Djemtë prisnin drutë në malin e Turanit, ndërsa gratë të ngarkuara i zbrisnin në fushë dmth punonin në transport drurësh. Bënin zhvarrimet  e të vdekurve, që kishin ndërruar jetë para gjashtë javësh...punonin të internuarit nën tytën e pushkës së ushtarit, era e kufomave të dekompozuara (të prishura), mblidhnin familjarët copat e mishit, i vendosnin në batanije ose arka druri.

Binte shiu dhe i merrte kufomat me vete, shumë përfunduan në lumin Vjosa, çfarë mbetej nga kufomat, që qëndronin mbi majat e dheut, i hanin qentë e Tepelenës. Ushtonte zëri i nënave për fëmijët që vdisnin, pa dalur drita e diellit. Vaji i nanave të reja që humbnin fëmijët ngrihej lartë në qiell. A mund të harrohen ulurimat e tyre?!

Apelin e bënin pa zbardhur drita. Kush nuk dilte në apel rojet i godisnin me hunj, trupat e pajetë i tërhiqnin nga këmbët dhe i  tërhiqnin zvarrë. Pastaj thirrnin nënën tonë për t’i groposur. Ajo duhej të hapte gropën dhe gjatë punës e godisnin me shqelma. O zot! Sa njerëz kanë vdekur urije.

Nanën time e venin ku ishin punët më të vështira, më të rënda, sepse quhej gruaja e reaksionarit. Ishte një dhimbje e pafund se sistemi komunist i mësoi njerëzit të na përbuznin, na keqtrajtonin, na fyenin, na shkaktonin shumë dhimbje. E mësuan shoqërinë shqiptare që të na urrenin.

Provuam shumë dhimbje.

-A kishte drejtësi në shtetin komunist shqiptar?!

-U morën me gra, fëmijë, foshnje, më të moshuar, të verbër, që ishin qorra e nuk shihnin, të sakatuar që s’ishin në gjendje të ecnin, të tjerë me probleme mendore.

Kazerma që ishte terr dhe tmerr. Unë- Lezja- provova jetën në këto kazerma që në moshën dy vjeçare, për nëntë vjet rradhazi kam provuar racionin e bukës (300 gr), supën që kishte më shumë lëng, që brënda saj kishte jashtëqitje minjsh, tre fasule, tre kokrra oriz, treqind krimba, që së bashku i zienin në një kazan të madh.

Mandej na ndanin këtë lloj supe, nga një garuzhdë, për të gjithë ne, banorët e kazermave të kampit të Tepelenës.

E kemi quajtur Kampin e Tepelenës, një kamp çfarosës. Vdisnin foshnjet, fëmijët, minorenë, të moshuar (gra e pleq), të reja që vetvareshin. Një kamp çfarosës që i mbante të miturit pa bukë, pa ujë dhe fjetja ishte sikur të ishin bagëti, në tokën e shtruar me sanë. Jemi ushqyer me lëndë ahu dhe bungu, ishin të idhët si helmi, por s’kishim çfarë të bënim, se po vdisnim urije. Kemi ngrënë kokrrat e misrit që i nxirrnim nga baglat e kalit. Kjo ishte jeta jonë, e errësirës e mijëra të internurve. Ndodhën shumë vdekje nga urija dhe epidemitë.

Unë, nana ime Prendë Palja dhe motra ime- Zoja, patëm fatin të kishim nandajën dmth gjyshen nga nëna, që erdhi të na shohë dhe të na ndihmojë. Ajo quhej Lulë Sadrija, ka ardhur 18 herë me na taku në Kampin e Tepelenës e ngarkuar me 25 kg ushqime, në veçanti miellin e kavërdisur me gjalp, që mos të prishej.

E takonim vetem tek telat e kampit, nuk e lejonin të hynte brenda, detyrohej të largohej, të flinte nën urat e Tepelenës. Kjo ishte jeta e jonë. Nana jonë vuajti shumë, e caktonin ku ishin punët më të rënda dhe përherë i thonin “gruaja e diversantit”. E mjera Shqipëri, burrat e dheut i kanë thënë “Zonjë e randë” dhe e kanë thirrur “Nanë”- po tashti?!

Nana ime më ka thënë:-“Kur më internuan peshoja 75 kg, kur u lirova nga internimi peshoja 35 kg. Racionin e bukës nuk e hante për vete, por e ruante për fëmijët e saj, se kishte frikë se mos i vdisnim në Tepelenë. Hante c’të gjente në mal. Ky vend për ne ishte i tmerrshme, më i tmerrshmi në botë sepse përdorej për çfarosjen e popullit të tij.

Nanën e kanë detyruar të bënte punë të rënda, të transportonte lisa, që peshonin 70 kg. Zbriste nga mali e ngarkuar. Gjatë rrugës iu këput laku i ngarkesës që kishte mbi shpinë. Ka ardhur polici dhe ia ka vendosur ngarkesën në qafë. Ajo është rrëzuar dhe është bërë e gjitha me gjak. Ajo iu lut policit që të mos ia vendoste ngarkesën në qafë, por ai e urdhëroi të ecte. Kur e pamë nanën tonë të gjakosur, kuptohet kur erdh në kapanon, ne dy vajzat e vogla ia dhamë vajit. Nana jonë u detyrua të presë flokët, bishtalecat i kishte deri tek këmbët, i gërshetoi me fijet e kanopit. E punoi gjithë natën deri në të zbardhur të ditës. Ai litar i punuar me flokët e saj, nuk iu këput më. O Zot, nuk e di si jemi gjallë, më mirë të na kishin vrarë, se sa na lanë gjithë jetën në vuajtje. Ishin pushtetarë të pa shpirtë. Vetëm në një natë në kampin e Turanit vdiqën 33 fëmijë.

Nënat u detyruan të mos tregonin për vdekjen e fëmijëve, që të merrnin racionin e bukës. Në gjithë ato vite pa u larë, pa u ndrruar dhe kishim frikë dhe nga kafshët e egra. Një të moshuar nga Mati, rojet i gjetën morrin në këmishë, ia futën në gojë. I thanën: –Haje. Na mblodhën ne të gjithë fëmijët që ishim në kazermë, na kanë urdhëruar ta pështyjmë. Ne të gjithë e pështymë të moshuarin.

Prendë Torqukja kishte një djalë dy vjeç. Ajo e linte të voglin e saj vetëm, sepse ishte e detyruar të shkonte në punë për të transportuar trungje drurësh (ishte urdhër i komandës). I vogli dy vjeçar bëri nevojën në rrobat ku qendronte. Erdhi polici, mori nevojën e djalit dhe e futi në kuti (në enën e gatimit). Kur erdh e ëma në kazermë, polici ka marrë kusinë me nevojën e djalit dy vjeçar dhe ia ka vendosur në qafë. E kanë shetitur nëpër kapanon, përsëri policët na detyruan me pështy nënën e ngratë. Asaj i vdiq i biri nga urija.. Lulë Gjon Balçi i vdiq djali nëntë vjeç nga urija, Cutaj Brahimaj me djalin e saj Pjetër, nëna ime Prendë dhe Sutë Markja që vdiq në kalanë e Beratit. Si mund të quhen fajtorë foshnjet dhe fëmijët?!Ishin dy djemë binjakë, trembëdhjetë vjeçarë. Nëna i vdiq në kampin e Tepelenës, ndërsa babai i tyre ishte i humbur. Nuk kishin njëri që t’i ndihmonte.

Një ditë në apel mungonin të dy djemtë. Hynë policët të pajisur me hunj në kapanon, u binin trupave të djemve, i tërhoqën zvarrë, ndërkohë që ata ishin të vdekur.

Ah! Ishin dy djem si drita, nga zona e Matit.

Nana u nis për në punë, por e thirri polici e i tha:- Prendë eja me i futë në gropë dy binjakët trembëdhjetë vjeçarë, se kanë dhënë shpirt. Tregonte nëna:-Kurrë s’e ka ndie vetën ma ngushtë se atë ditë që kam groposur ata dy fëmijë dhe i vajtova:-Tepelenë o gurë i zi, mbyte gra e fëmijë, medet ç’iu bane djemve të rinj, iu mbyllën dyert me dry.

Erdh polici dhe e pyeti:-Çfarë u the tek varri?! Përgjigjet:- I vajtova, se nuk kishin pranë asnjë të afërm. Polici e tërhoqi zvarrë nënën. Ajo i tha:- Mos më prek. A je shqiptar, a ke familje, se këta ishin fëmijët e dikujt. Kështu veprojnë njerëzit e pafytyrë, që mbysin popullin e vet.

Vuajtjet tona mos i provoftë njëri. Kemi fjetur në sanë, si bagëtija. Kemi shkuar në shkollë të zbathët, të zhveshur, duke ecur nëpër gurë. Shkolla ishte një ndërtesë e prishur, nuk kishim libra, as fletore. Në klasë ishte një dërrasë e zezë, ne ishim të ulur për tokë. Mësuesi na godiste me thupër ndër duar, na bënin terror. Na merrnin përpara si ushtarë, na futnin në kazerma, pa bukë, pa ujë, në terr, nuk kishte drita.

Kur ktheheshin nënat tona nga puna cfilitëse, me zor na gjenin se ku ndodheshim. Nana tregonte:- I kam mbajtur dy vajzat e mia, në gjoksin tim. Fryente një erë e tërbuar që të merrte frymën, klima e ashpër, me ngrica. Jetova në këtë kamp rrethuar me tela me gjemba, me roje me pushkë. Fëmijë të internuar!!

Apeli bëhej pa zbardhur dita, polici lexonte ngadalë emrat. Kanë vdekur me qindra njerëz të moshuar nga urija dhe foshnjet e sapo lindura nuk jetonin. Një i moshuar po vdiste nga urija. Vasili, një Korçar i sillte e ëma makarona. Ai sa po i hante i villte, nuk ia pranonte stomaku, ishte i sëmurë. Në këtë moment plaku i uritur i thotë:- Vesel a ka mundësi t’i hajë unë makaronat që volle?!

Vasili i tha:- Po.

I shkreti plak i hëngri, dhe lëpiu edhe çimenton. Urinë e provuam që të vogla. Kemi bërë jetë të tmerrshme. Kemi marrë frymë vetëm me një racion buke. Po si mund të veprojnë njerëzit që kanë armët në dorë, që lejonin të vdisnin foshnjet e sapo lindura?! –Këta njerëz ishin të pashpirtë, torturuan njerëz të pafajshëm dmth ishin kriminela.

Jetova nëntë vjet në internim, provova urinë, etjen dhe si familje (tre femra të vetme) të persekutuara, të torturuara nga qeveria komuniste. Ishim të pafajshme. Nëna ime tregonte:- Kur kanë vrarë Bardhok Bibën i kanë sjellur mirditorët në Tepelenë, ishin shtatëmbëdhjetë makina, ndër ta edhe shumë fëmijë dhe foshnje (të shumtët ishin në djep).

Djepa të hedhur nga makina, thyheshin dhe foshnjet binin për tokë. Gratë shtatëzëna i hidhnin nga makina dhe të zezat dështonin foshnjet. Duhet një jetë e tërë me shkrujtë vuajtjet tona dhe të gjithë shqiptarëve edhe shkrimtari më i Zoti nuk mundet të shkruaj për vuajtjet tona, për kalvarin e pafund që pësuam. Na kanë varrosur për së gjalli, të jetosh nëpër kazerma, me erën e kufomave dhe vdekje fëmijësh. Gratë u treguan trimëresha, burrnesha, nuk turpëruan vetën, familjet dhe krahinat e tyre.

Tepelena- vendi i tmerreve. Na futën aty. Më mirë të na kishin vrarë të gjithëve, sesa me na vra përditë. Ishte një burg i keq, unë e quaj më të keqin e Shqipërisë dhe të botës, që na vranë pa bukë e jo me plumba. Ne fëmijëve na vranë shpresën që pa u rritur. Shqipërinë e kthyen me kokë poshtë, një pjesë të mirë të popullit e burgosën, e internuan. Bënë terror. Kështu vepruan me popullin e vet. Terroristët që na shkatërruan Atdheun. Jemi rritur me levore lisi, në lëngun e kazanit të gjellës që kishte krimba, minj. Na u thante goja e nuk flisnim, na binte lëkura e gojës dhe na pengonte të shqiptonim fjalët. Të ftohtit ishte i padurueshëm. Kanë vdekur njerëz, ngrinin nga të ftohtit. Në kamp na vinin kafshët e egra, ndërs rojet e kampit ia kalonin egërsirave. Këta njerëz ishin më zi se Serbi, se ai nuk mbyti njerëzit e tij, ndërsa këta mbytnin njerëzit që ishin të një gjuhe, të një atdheu, dmth popullin e tyre. Kur mora të shkruaj në letër të gjitha vuajtjet tona, m’u kujtua si e kalova femininë, si e jetova rininë?! Rrethuar me tela me gjemba. Kalova  një jetë ferri, më shkatrruan jetën. Që në fëmijëri u rritëm pa bukë, pa ujë, pa shtroje e mbulesë, pa dritë, në errësirë, me erën e kufomave që vdisnin në kapanonet e internimit. Qanim të gjithë fëmijët, vajtonim përherë, nuk kujdeseshin për ne, s’kishte njerëz që të na ndihmonin. Sa kanë vuajtur nënat tona, të izoluara në kampe internimi, me punë të detyruara, të padënuara nga gjykata. Kjo na vazhdoi për afro pesë dekada.

Rrëfimi i Leze Ndrejajt vijon, me pjesën e dytë  mbi kalvarin e vuajtjeve në internim, në një kasolle në Savër, e më tej me jetën e vështirë nën presionin e luftës së klasave.

S'KA KOMENTE