Historia e një italiani që e arrestuan në mënyrë qesharake si agjent dhe që e dënuan me 6 vite burg edhe për faktin se ishte treguar mosmirënjohës ndaj Shqipërisë duke kërkuar riatdhesimin. Si projektuesi i Pallatit të Financave, më pas shtypshkronja “Mihal Duri”, përfundoi punëtor krahu në kampin e Varibopit duke përjetuar urinë dhe rrahjet e policëve
Aldo Bozzi ishte një nga shtetasit e huaj që u dënuan nga regjimi komunist në Shqipëri duke provuar burgjet dhe kampet e punës së rëndë. Ai kishte përfunduar pas hekurave, gjatë fushatës së arrestimeve masive pas shpërthimit të dinamitit në ish-Legatën Sovjetike në Tiranë, në shkurt të vitit 1951 dhe në vitin 1953, pas gati dy vitesh nga arrestimi, u dënua me 6 vjet heqje lirie. Dëshmia e të dënuarit politik Prelë Syku, tregon se inxhinieri italian përfundoi më pas në kampin e Varibopit, duke përjetuar urinë ekstreme, torturat dhe rrahjet.
Aldo Bozzi (jo ish-ministri italian i periudhës 1972-73 me të njëjtin emër) u lind në vitin 1900 në Milano, ku edhe u diplomua në 1929-ën për inxhinieri. Punoi si inxhinier në Francë dhe Itali dhe më 1942, erdhi në Shqipëri, ku drejtoi disa projekte ndërtimi në Tiranë, Durrës, Peshkopi. Ai është inxhinieri që ka ndërtuar Pallatin e Financave që më pas u kthye në shtypshkronjën “Mihal Duri”.
Aldo Bozzi ishte i martuar me një grua shqiptare dhe kishte një fëmijë, kur e arrestuan në moshën 51-vjeçare. Sigurimi e akuzonte si agjent të italianëve, për aktivitet të kryer, sipas tyre, në vitet 1942-’43.
Siç shkruan studiuesi, Kastriot Dervishi, në një shkrim të botuar në gazetën 55, Inxhinier Bozzi u pyet në burgun e Armiqve të Popullit, më 8.6.1951 nga oficeri i Sigurimit, nëntoger Haki Mezini. Më 18.7.1951 prokurori ushtarak i Tiranës kërkoi që inxhinieri të gjykohej e të dënohej sepse kishte dhënë informata me karakter tepër sekret. Bëhej fjalë për projekte objektesh të vogla ekonomie: depo bulmeti, baxho djathi, fabrikë vozash dhe punishte rakie. Pasi iu lexua kjo, inxhinier Aldo refuzoi pranimin e akuzës. Megjithatë, Gjykata Ushtarake e Tiranës vendosi ta dënonte me 6 muaj e 15 ditë heqje lirie, por prokurori i përgjithshëm protestoi duke kërkuar një dënim më të rëndë. Përveç çështjes së informacioneve sekrete, prokurori përmendi edhe një letër që një grup italianësh, zëri i të cilëve ishte bërë Aldo Bozzi, i kishin drejtuar Kryesisë së Këshillit të Ministrave të Republikës së Italisë, ku kërkonin riatdhesimin e tyre të menjëhershëm. Në letër thoshin se po mbaheshin me forcë “me fjalë të bukura” dhe po kalonin një gjendje “të padurueshme”. “Jemi të gjithë larg shtëpive tona prej 6 vjetësh, disa edhe prej 10 vjetësh. Forca jonë e durimit tashmë ka mbaruar. Mjaft herë na kanë bërë premtime e lajka për një rregullim të shpejtë dhe të drejtë. Vërejmë se flitet për taktikë kalimi kohe dhe jo për zgjidhje në interesin tonë” – shkruhej në letër.
Si përfundim, protesta e prokurorit u mor parasysh dhe më 24 nëntor të vitit 1952, çështja iu shtrua për rigjykim gjykatës së shkallës më të ulët.
Gjykata Ushtarake e Tiranës më datë 9.1.1953 e dënoi me 6 vjet heqje lirie. Sipas studiuesit Kastriot Dervishi, vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Lartë, e cila doli në përfundimin se vendimi i gjykatës më të ulët ishte i drejtë sepse armiqësinë ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë i pandehuri e kishte shfaqur “jo vetëm me informatat e projektet e disa godinave që i ka dorëzuar legatës italiane, por edhe me shpifjet e gënjeshtrat që ka shkruar në grup me disa shokë”.
“Në rekursin shtojcë, i pandehuri pohon se për punën e tij të mirë nga autoritetet kompetente shqiptare i janë dhënë atij fletë lavdërimi dhe shpërblime. Pikërisht për këto arsye dhe pse në përgjithësi siç pranon edhe ai vetë, këtu është trajtuar mirë, nuk i lejohej atij që kundrejt Republikës Popullore të Shqipërisë të tregohej armik, të zhvillonte aktivitet spiunazhi dhe të shpifë e gënjente kundrejt kësaj republike” – thuhej në vendimin e Gjykatës të publikuar nga Kastriot Dervishi.
Për inxhinierin italian do të nisnin vuajtjet e kampeve të egra të punës. Emrin e tij e hasim në një dëshmi të ish-të dënuarit politik, Prelë Syku, dhënë për “Zërat e kujtesës”, të autorëve Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku, të botuar nga ISKK.
Rreth vitit 1954, siç del nga dëshmia e Prelë Sykut, Bozzi ndodhej në kampin e Varibopit, në Mallakastër. "Varibopi ishte kamp shfarosjeje. Hapnim kanale 10 metra të gjerë, me mjete primitive. Atë që nuk realizonte normën, pasi bëhej apeli, e linin në këmbë deri në ora 12.00 të natës. Në ora 12:00 si dënim I jepnin vetëm bukën thatë. Në vend të orizit, na jepnin bulgur…Midis nesh ishte edhe një inxhinier italian, Aldo Bozzi quhej, i cili kur i erdh e shoqja në takim, ai i tha: “Sill ndonjë makaronë se po vdesim”. Dhe kur iku e shoqja e rrahën, e futën në birucë dhe e torturuan”, ka thënë Prelë Syku.
Ishte të paktën hera e dytë, që inxhinierin Bozzi e ndëshkonin sepse kërkonte diçka më shumë apo diçka më mirë në Shqipërinë diktatoriale.
Shënim: Fotoja është marrë nga shkrimi i Kastriot Dervishit në “Gazetën 55”