1964/U dënua se shau Çu En Lain

0
16

Nikoll Pjetër Sefgjini (1919-1987), nga fshati Kokërdhok i Matit, baba i 5 fëmijëve, pa kartë Fronti, u dënua dy herë nga regjimi komunist dhe vuajti heqjen e lirisë mbi 15 vjet në vitet 1964-1970 dhe 1978-1987. Dënimi do kish qenë më i gjatë po të mos kish ndërruar jetë më 19.7.1987 në spitalin e burgut në Tiranë. Vinte nga Reparti nr.305 Përparim.

Në të dyja herët, u dënua për agjitacion e propagandë, sipas neneve 73/1 me kodin e vitit 1958 dhe 55/1 me kodin e vitit 1977. Interesant është te dënimi i parë se i theksohej se kish sharë kryeministrin kinez Çu En Lai, pikërisht në vitin 1964 në vizitën e tij të parë në Shqipëri.

U arrestua më 3.1.1964. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Midis të tjerash, në vendim thuhej: “Në biseda me të njohurit e tij, ai u ka thënë se pushteti popullor nuk e ka të gjatë dhe mbas përmbysjes së tij, ai së bashku me të burgosurit politikë do të zinin vende me rëndësi në qeverinë e tyre, i ka kërcënuar ata duke u thënë se në qoftë se nuk mbajnë lidhje dhe nuk ndihmojnë të burgosurit politikë si dhe në qoftë se nuk punojnë kundër pushtetit popullor, do t’i mbante shënim për të keq dhe se ata do të përgjigjeshin për këtë qëndrim kur i gjykuari dhe shokët e tij të merrnin fuqinë në dorë”. Në raportin e vitit 1978, po për këtë periudhë, citohej të kish thënë se “mish dhe vezë nuk bën toka”.

Gjykata e Qarkut Tiranë me veprim në Peshkopi, me vendimin nr.9, datë 25.4.1964, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 7 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 3 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.76, datë 11.6.1964 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 4.8.1970 nga Reparti nr.309 Vlorë.

Nuk ishte e thënë të shpëtonte nga një dënim tjetër. U arrestua më 10.5.1978. Me shkresën nr.370, datë 15.3.1978, Dega e Punëve të Brendshme Mirditë i dërgonte Drejtorisë së Hetuesisë në MPB dosjen formulare dhe katër kallëzime për arrestimin e tij. Ishte marrë në kontroll operativ më 28.9.1973. Bashkëpunëtorit “Sokoli” i ishte shprehur: “Nuk mbahen fëmijët me 5 lekë që marrim në kooperativë, prandaj nuk e nxjerr gruan në punë”.

U dënua edhe këtë herë me 10 vjet heqje lirie dhe pagimin e shpenzimeve gjyqësore.

 

S'KA KOMENTE