Si u organizua sistemi i drejtësisë në Shqipëri në bazë të modelit sovjetik
Me vendimin nr.226/1, datë 15.12.1950, Byroja Politike e Partisë e Komitetit Qendror të Punës së Shqipërisë, vendosi zbatimin e eksperiencës sovjetike në organizimin e Ministrisë së Drejtësisë e Gjykatës së Lartë (me 8 pika) dhe Prokurorisë së Përgjithshme (me 4 pika), marrë nga një delegacion që kish vizituar Bashkimin Sovjetik. Mbi këtë bazë u shkrinë gjykatat e prefekturave, të cilat në fakt nuk ishin marrë me gjykimin e çështjeve politike, sepse ato i trajtonin gjykatat ushtarake. Në fakt prefekturat ishin shkrirë si njësi administrative në vitin 1947. Po ashtu, shkrihej Gjykata e Lartë Ushtarake, e cila kalonte si kolegj ushtarak në Gjykatën e Lartë. Shihej se do krijohej një shkollë dyvjeçare juridike, si dhe do ndryshonte avokatura, “në nivelin e duhur”, duke e bërë edhe atë sovjetike me anëtarë partie. Pavarësisht se avokatura nuk kishte ndonjë rol në mbrojtjen e të pandehurit, Partia e Punës donte ta mbizotëronte këtë me anëtarët e saj.
Në lidhje me prokurorinë u unifikua ajo ushtarake me Prokurorinë e Përgjithshme, sipas modelit që u përdor në Gjykatën e Lartë.
Këto ndryshime i paraprinë miratimit të kodit penal dhe kodit të procedurave penale në vitin 1952.
Shënim: Në imazhin kryesor është një foto nga gjyqi i deputetëve, 1947