Zef Ashta/ Si iu dha lamtumira e fundit në burg

0
25

Ishte 5 qershor 1979. Ushtaraku i diplomuar në Itali, tashmë 66 vjeç, vuante dënimin e tretë gjatë regjimit komunist, i burgosur në kampin e Spaçit. Bashkëvuajtësi i tij ka rrëfyer kujtimet e pashlyera nga personaliteti i Zef Ashtës, por edhe nga ajo ditë e fundit e jetës së tij, kur Zef Ashtës iu improvizua një funeral madhështor ku morën pjesë gjithë të burgosurit

Nga Islam Spahia*

Kish qenë oficer me gradën kapiten gjatë okupacionit. Kish mbaruar akademinë ushtarake në (Itali). Ishte në Vlorë, në krye të një batalioni, në çastin e pushtimit italian: e priti me armë atë, me insiativën e tij. Me ardhjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, nuk i kish ecur fati, si shumë patriotëve të tjerë. Kishte rërë në burg që në orët e para. Tani është në kampin e Spaçit, pasi është dënuar për të tretën herë. Më parë kishte qenë në atë të Maliqit, në punë të detyruar për të tharë kënetën.

"Në krahasim me atë, Spaçi duket si një shtëpi pushimi" - do të thoshte ai një herë dhe tregonte episode ngjethëse. Kur njëherë tjetër ra fjala për rolin e fuqive të mëdha në historinë e Shqipërisë, ai u nxeh dhe i skuqur  flakë tha: “Lëre more Anglinë! Ajo është shkaktarja e të gjitha të këqijave të këtij vendi!”- e sytë sikur iu mbushën me lot e iu frynë tëmthat. Nuk më harrohet ajo fytyrë thatime me mustaqe të prera "spic" (alla'italiana): ish i thinjur krejt. Mund të përftyrohej si do të kish qenë kur ish i ri (ai tashmë ishte afër të shtatëdhjetave). Sigurisht, dikur do të kish parë ndonjë ditë të bardhë. Tani i duhej të përballonte fatin me stoizëm, me krenarinë e një fisniku dhe me disiplinën e një ushtaraku. Meqënëse ish i vjetër, ai nuk punonte; rronte me ushqimin e mjerë të papunësisë, me "gjashtëqindëshin", siç quhej racioni i bukës në zhargonin e burgut. Nuk e di pse, ai nuk kishte asnjë ndihmë nga jashtë. Ndodhesha njëherë në mensë kur ajo qe bosh (pasi kish mbaruar dreka). Aty, në një qoshe pashë Zefin të vonuar, që po hante me zor supën e mjerë të kampit. Pas pak hyri një i burgosur me një thes të madh në krah; kishte ushqimet që sapo ia kishin sjellë nga shtëpia. Ky qe një çoban korçar. I hapi ushqimet nëpër tavolina duke krijuar një vitrine gatimesh nga më të ndryshmet: mishra të pjekur, byrekë, bylmetra e gjerë te bakllavatë e revanitë. Ah! Ata që nuk e kanë provuar, nuk mund ta kuptojnë torturën e urisë kur ajo ngacmohet. Zefi këtë e pa me qetësi, duke ngrënë ngadalë, kokulur. I zoti i mallit iu afrua atij me një copë bukë në dorë e i tha: "Na, .. merre!".

Ish një racion burgu i tharë ç'prej kushedi sa ditëve. Mirëpo Zefi i shkretë, pa i ngritur sytë, iu përgjigj me zë të këputur: "Jo ... nuk e dua!". - Atëherë mua nuk m'u durua pa i shfryrë atij ordineri: "Mor ti!... po a qen është ai që flet në atë mënyrë? Pastaj, meqenëse po na shitesh si bujar, pse nuk i jep një gjë nga ato ushqime me të cilat ke zënë tërë mensën? Burrëri është kjo"? Nuk mbaj mend se ç'më tha: di që më shau sa mundi si harbut që ish, me arsyetimin “ç'të duhet ty?”. Raste si ky më kanë ndodhur shumë aty.

Zefi si shkodran kish edhe humorin e tij. I kish dalë nami se dinte të shihte filxhanët e kafesë. Një ditë po pinte kafe në një qoshe të kampit me Ndokë Gjeloshin, një burrë shumë të ndershëm nga Gurëzi. Këtij të fundit i vinte e shoqja në takim një herë në muaj. Atë ditë ndodhi që nuk erdhi si zakonisht e ai ish bërë merak. Pasi i pinë kafet, Ndoka i lutet që t'ia shohë filxhanin, e Zefi, pasi e pa me kujdes, i tha: "Në të vërtetë, sipas filxhanit, sot ty nuk të vjen në takim njeri; po ti mos u mërzit". Në të njëjtën kohë, tellalli po thërriste me zë të lartë në të katër anët e kampit për të lajmëruar Ndokën se i kishte ardhur e shoqja, kurse ky, i strukur në një qoshe po dëgjonte profecitë prej orakulli të Zefit. Kur e mora vesh këtë kam qeshë me lot e shpesh e përmendja me shaka sa herë më binte rasti të flisja me Ndokën, të cilin e doja shumë. Njëherë e pyeta Zefin në mirëbesim: "Pashë Zotin, me të vërtetë beson në fallin e filxhanave?". - "Jo mor mik, unë e bëj për të qeshur, sa për të kaluar kohën. Por për çudi, kur qëllon që del ajo që unë ia këpus më kot, habitem vetë më shumë se ata që më besojnë"! Qeshnim me shpirt. Charli Chaplin ka thënë që humori buron nga një zemër plot trishtim.

Një ditë prej ditësh përjetova fundin e tij. Vdiq papritmas në WC-të që ishin në fund të oborrit të kampit nga infarkti në zemër. U muar vesh menjëherë dhe gjithë kampi u vu në lëvizje. Mora pjesë në “funeral”; po, po, një funeral madhështor, më madhështor se ata që organizohen zakonisht. Ai u improvizua aty për aty. E morën bashkëvuajtësit në një batanije që dukej si arkivol. Batanija që e mbulonte më dukej si flamuri kombëtar, kish marrë ato ngjyra në sytë e mi; ai qe nacionalist i flaktë dhe e meritonte atë nder. U mblodh sakaq gjithë kampi (fundja aty ndodheshin të gjithë). U formua një korridor prej dy rreshtash për t'i bërë homazhet e fundit. Të burgosurit qëndronin si të ngrirë, kokëzbuluar, në heshtje të përzishme ndërsa kalonte kufoma. Sesi vura re rojën e brendshme: çudi! Jo vetëm që nuk bëzajti, nuk kundërshtoi siç bënte zakonisht: (ai ishte i prapë, e kam pasur një përplasjeme të). Por kësaj here, përkundrazi qëndroi gatitu, thuajse i nxirë në fytyrë, në një skaj të atij kortezhi mortor. E kështu kaloi Zefi për të fundit herë para syve tanë duke na dhënë lamtumirën pa folur, në atë heshtje të zymtë ku merrte fund tashmë kalvari i tij. Nuk e di a i është gjetur varri apo i ka humbur si shumë të tjerëve që vdiqën në atë vend. Nuk e di a pat të afërm; di që ishte i pamartuar. Nuk di për të tjerët që u ndodhën aty, veç unë këtë nuk munda ta harroj kurrë.

*Marrë nga libri “Karuseli i totalitarizmit”, i autorit Islam Spahia, botim i ISKK, Tirane 2020.

 

S'KA KOMENTE