40 vjet më parë, Dom Lec Sahatçija u nda nga jeta në spitalin e burgut të Tiranës, në moshën 80-vjeçare. 2026-a përkon gjithashtu me 120-vjetorin e tij të lindjes dhe 50-vjetorin e arrestimit, ditës kur kleriku 70-vjeçar u fut në burg për të mos dalë më kurrë që aty. Por bëhej fjalë për një burg të kësaj bote që një njeriu si ai, që e mbante shikimin të fiksuar përtej, nuk ia largoi kurrë shpresën nga sytë. Dhe kështu, në ato dhjetë vjet që jetoi si i burgosur politik, la gjurmë drite mes të burgosurve dhe sfidoi torturat, vuajtjet, urinë, deri dhe vetë diktaturën.
Lec Sahatçija ishte 70 vjeç kur e arrestuan më 17 shtator të vitit 1976. Kjo i bënte më të rënda provat me të cilat do përballej: torturat në hetuesi, dënimin me 25 vjet heqje lirie dhe kushtet e mjerueshme të burgut. Por kleriku ishte i përgatitur për provat. Fillimisht nga shkrimet e shenjta, më pas, edhe nga ajo që kishte parë të ndodhte në Shqipëri me klerin sapo komunistët morën pushtetin.
I lindur në familjen Sahatçija që, siç shkruan Fritz Radovani, i kishte dhënë shumë klerikë qytetit të Shkodrës gjatë shekullit XIX, nuk mund ta thuash sa herët kishte vendosur t’i kushtohej shërbimit ndaj Zotit dhe njerëzve. Ai ndoqi mësimet fillore dhe të mesme në Kolegjin Saverian në vendlindje, Shkodër, nga më pas u nis për studimet e larta teologjike në Padova të Italisë. U shugurua meshtar në vitin 1931. Pasi u kthye në Shqipëri, shërbeu në Orosh të Mirditës, më vonë në Blinisht, mandej në fshatin Gziq e si përfundim në Ndërfanë. Pas ndalimit të fesë në vitin 1967, shkoi të jetojë në Shkodër deri ditën kur e arrestuan.
“Qëndron nën tortura dhe masa të rrebta të Sigurimit plot 225 ditë, ku trajtimi i Tij nuk ka asnjë ndryshim nga ai i viteve 1946, me të gjitha barbarizmat e veta”, shkruan Fritz Radovani për klerikun shkodran.
Radovani vazhdon: “Gjoja se asht kenë takue me të arratisun, kur ishte kah Mirdita, randohet, përveç agjitacionit e propagandës kundër pushtetit dhe tue i shtue edhe dozën e shpifjeve si gjithmonë, Sigurimi e dënon me 25 vjet heqje lirije.
…Kenja e Don Lecit ndër famullitë e Mirditës dhe qëndresa e Tij gjatë të gjithë asaj kohe në hetuesinë e Tiranës, pa pranue asnjë akuzë, vazhdonte me kenë një nyje e vjetër e pazgjidhun e Sigurimit të shtetit, që me të gjitha masakrat e torturat e bame mbi trupin e Don Lecit, nuk arrijtën gati për një vit me e ba jo vetëm me pranue, po as me tregue asgja për çka i kërkohej.
Dij të saktë se ndër kontrollet e shtëpisë së Tij në Shkodër, kërkoheshin kopjot e letrave që Imzot Frano Gjini, Abat i Mirditës, i kishte dërgue me anën e ambasadave të hueja direkt Vatikanit. Edhe sot ato letra mbetën jo vetëm të panjohuna, po edhe të padijtuna per mbrendinë e tyne dhe, ajo që kërkohej me kambngulje ishte rruga me të cilën u komunikue me Vatikanin gjithashtu edhe ato letra përfundimisht “ku ndodhen sot?”.…E njeni prej ma besnikëve t’ asaj kohe që nuk tregoi asgja për “Letrat” asht kenë pikrisht Don Lec Sahatçia, që u arrestue, u torturue dhe vazhdoi me ba xhiro në oborrin e Burgut të Tiranës, edhe i dënuem 25 vjet, e pa tregue edhe sot asgja që i kerkonte brigada terroriste e Sigurimit të shtetit”.
Dom Lec Sahatçija u gjykua bashkë me tre klerikët e tjerë: Imzot Ernest Çoba, Dom Zef Simoni (Hardhija) dhe Dom Kolë Toni. Më 29 prill 1977, Gjykata e Rrethit Shkodër i shpalli ata fajtorë dhe i dënoi me heqje lirie nga 25 deri në 13 vjet burg. Lec Sahatçija, që ishte dhe më i moshuari, u dënua me 25 vjet burg. Megjithëse një dënim i pashpresë e megjithëse duhet ta përballonte në moshë të shtyrë e pa mbështetje nga jashtë, ai nuk e humbi dinjitetin dhe optimizmin.
Ish-i dënuari politik, Islam Spahia që e ka njohur në burg, përshkruan në librin “Karuseli i totalitarizmit”, botim i ISKK, atë dritën shpresëdhënëse në sytë e Dom Lec Sahatçisë që la gjurmë te të dënuarit në atë vend errësire.
Isam Spahia shkruan: “Në kaush, thuajse çdo ditë kishte transferime ose vinin të dënuar të rinj; ajo sallë atje ishte një bujtinë e përkohshme për ata që posa kishin marrë dënimin dhe prisnin destinacionin ku do ta vuanin atë.
Një ditë, duke pyetur si zakonisht të porsaardhurit, takova një burrë të thyer në moshë. Quhej Lec Sahatçia. Një sensacion: "A je ti që e ke emrin në "Lista dei collaboratori" të diksionerit "Italisht-Shqip" të Cordignano-s? - "Po veta". Sa herë e kisha parë këtë emër kur e merrja në dorë atë fjalor! Ky figuronte përmes emrave të tjerë të ndritur si D. Ndre Mjeda, D. Nikollë Gazulli, D. Ndre Zadeja, Hamid Gjylbegaj etj... I treti në radhë ish D. Lec Sahatçia me shënimin: "Parroco di Blinishti (Mirdizia), sopratutto per molta parte della lettera "S". Tani, ky njeri po më dilte papritur para e nuk do të ndahesha prej tij veçse në çastin kur "varka e Karontit" do të na hiqte andej.
Dom Leci qe 71 vjeç kur e prunë aty. Më tha se kishte qenë famullitar në Shpal (Blinisht) të Mirditës. Kisha ku kishte shërbyer, pas ndalimit të fesë ishte kthyer në depo ushimi bagëtish, kurse tani është majë një kodre e më kujton Dom Lecin.
Natyrisht, u desh një farë kohe për ta njohur karakterin e këtij njeriu të veçantë. Ai nuk shfaqej sepse nuk donte "të dukej"; e linte tjetrin ta kuptonte vetë. E, ashtu siç ndodh kur sapo hyn në një dhomë të errët, e syri nuk e shquan menjëherë atë që është brenda, por, dalëngadalë, duke u ambientuar fillon t'i shquajë gjithnjë e më tepër gjërat, ashtu ndodh me ca natyra njerëzore që kanë botë të thellë shpirtërore. Si heronjtë e veprave të Dostojevskit për të cilat Stefan Zvajg thotë që ata nuk duken nga ndriçimi i jashtëm, por nga ai i brendeshmi e që, veç atëherë kur ata "digjen", atëherë del në pah figura e tyre, kështu do të thoja edhe për figurën e këtij martiri. Së pari, po vija re atë fytyrë vezake, tipike të malësorit të Veriut. Ishte thuajse pa mish; një kafkë e mbështjellë me lëkurë, pa gjak. Por diçka e thyente këtë imazh të trishtueshëm, diçka i jepte jetë asaj "maske" gati mortore: ishin sytë e tij gjithmonë të gjallë, gjithmonë të lëvizshëm, gjithmonë gazmorë aq sa, po të hasje vështrimin e tyre, bëheshe, pa e kuptuar, optimist edhe sikur t'ishe në gjendje të dëshpëruar. Mundohesha të "hetoj" se ku qëndronte kjo dukuri e çuditshme. Më në fund, e gjeta dhe ja: Një ditë se si u ndodhëm në një grup e po bisedonim.
Ishin rrëfime pa fund; mbi familjen e braktisur, mbi tradhtinë e mikut, mbi vdekjen e sëmundjen e familjarëve (nënë, babë, djalë e vajzë ... ), mbi dënimin e gjatë dhe shpresën e paktë për t'i parë. E përsëri të afërmit etj ... Tek po dëgjonim, Dom Leci më tha mënjanë me zë të ulët: "Të gjitha këto mbarojnë një ditë"- dhe duke ngritur lart gishtin tregues shtoi: "ajo atje nuk mbaron kurrë... "
-Ah, - thashë me vete - ja ku qëndron shkaku i gjallërisë së pashoqe të atyre syve, tashti po e kuptoj ku e gjente kënaqësinë! Ai besonte në jetën e përtejshme, besonte në një Zot, me një bindje të tillë sa nuk i bënin përshtypje, madje i shijonte vuajtjet e kësaj bote. Së pari, më erdhi mirë për të e pastaj, për të më thënë të vërtetën e pata zili; ku ta merrja atë forcë titanike!”
Spahia shkruan se ata u panë për herë të fundit, kur të burgosurit u shpërndanë për në burgjet ku do të vuanin dënimin. Dom Lec Sahatçija përmendet nga studiuesi Kastriot Dervishi si një nga të burgosurit e moshuar të burgut të Zejmenit, në foton e vitit 1985.
Ai u shua, një vit më pas, më 4 prill të vitit 1986, pasi kishte kryer gati 10 vite burg.
“Katër vjet pasi u lirova, shkruan Spahia, mora vesh që Dom Lec Sahatçia kish vdekur në spitalin burg të Tiranës më 1986. E sa herë më kujtohet, më duket sikur e dëgjoj të thotë siç e kish zakon: "A thua jam i denjë të vdes për fenë e Krishtit?”.
Shënim: Fotoja kryesore është marrë nga një shkrim i Kastriot Dervishit në gazetën "55" dhe i përket procesit gjyqësor të Dom Lec Sahatçisë.