
Zoica Nini: Si ma vranë babanë dhe eshtrat ia hodhën në pusin para degës së brendshme
Nga Luljeta Progni
Është një vend në qendër të Sarandës, ku një grua e moshuar shkon çdo 6 maj e vendos një tufë me lule, qan e lutet. Për ata që nuk e njohin, duket sikur lulet, lotët e lutjet shkojnë drejt askujt e askundit.
Rreth 100 metra përtej godinës që dikur ishte dega e brendshme e Sarandës, ndodhet një bunker, i cili është kthyer në muze për krimet e komunizmit. Përballë tij gjendet një pus, që në Sarandë e quajnë pusi-varr. Nuk ka asnjë pllakatë apo shenjë që e dallon atë pus nga të tjera objekte që gjenden në atë territor.
Zoica nuk e ka parë kurrë babanë e saj dhe kurrë nuk e mësoi arsyen pse regjimi e vrau dhe e hodhi në atë pus varr. Zoica ka mësuar nga gjyshja e saj Marta Nini, se babai Foto Nini u vra mizorisht nga regjimi komunist, kur Zoica ishte vetëm dy muajshe.
Ma ka rrëfyer gjyshja Martë
“Foto erdhi i lodhur nga stani në mal ku qe çoban me pak dhi, që të mbanim frymën gjallë. Të puthi ty që ishe 2-muajshe dhe përkëdheli vëllain tënd që ishte gjithashtu dy muajsh, i cili nuk pati jetë të gjatë, se u sëmur dhe vdiq pa mbushur vitin”, nis kështu rrëfimi i gjyshes që mban mend Zoica. E ka dëgjuar me mijëra herë këtë rrëfim, sepse është rritur nga gjyshja Marta. Ajo ishte një plakë me brengë të madhe në zemër, sepse i kishin vrarë tre djemtë. Vazhdon rrëfimi i Zoicës...
Pasi na kishte puthur ne fëmijët, babai ishte shtrirë të çlodhej pak. Papritur, u dëgjuan zëra të fortë që thërrisnin:
-O Foto Nini, o Foto Nini… Gjyshja kishte dalë tek porta dhe ata e kishin pyetur për babain se a ndodhej në shtëpi. Gjyshja u tha se ndodhej brenda dhe qe shtrirë për t’u çlodhur. Ata i kërkuan t’i thoshte tim eti që të dilte pak tek porta. Babai doli dhe ata i thonë të shkonte pas tyre. Babai diçka nuhati dhe u kërkon që të vishet, por ata i thanë të shkonte ashtu siç qe, se do të kthehej shpejt. Zëri i tyre nuk i pëlqeu gjyshes. Kish hakërrim, mëri, tërbim, pabesi, dukeshin si hungërima hienash dhe vampirësh gjakpirës. Zemra e nënës që ndjen shumë, parandjeu se diçka e keqe po i kurdisej të birit dhe zemra e saj qe e helmuar se dy djem i kish lënë në lutën Na Çl si dëshmorë e plaga e shpirtit nuk i qe mbyllur, megjithëse për nënën nuk mbyllet kurrë. Kështu që vendosi t’u shkonte nga pas. Pa kaluar as dy-tre metra nga porta ata shpërthyen në ulërima, e kapën babain nga krahët duke e zvarritur dhe goditur me shkelma, madje kishin mbledhur edhe shumë nga komuniteti egjiptian, që janë të shumtë në Sarandë, dhe e godisnin babanë me gurë e sende të tjera, me ç’të mundnin e ç’të gjenin, pa le më sharjet e fyerjet. Trupi i babait u mbulua me gjak. Gjyshja bërtiste nga pas se çfarë u kish bërë djali e ç’kishin me të. Kështu vazhdoi gjatë gjithë rrugës, derisa e futën në Degën e Punëve të Brendshme. Aty gjyshja nuk e ndoqi dot më se nuk e lejonin brenda”, rrëfen Zoica.
Fundi fatal i birit të vetëm
Pusi i kuq
“Tek ai pus qenë hedhur dhe më para e më pas babait edhe të tjerë viktima dhe nuk dihet numri i tyre. Këto tregonte Duduja e mirë duke e porositur gjyshen dhe nënën të mos bënin zë. Por këto i tregon më pas në vitet e demokracisë nga interesimi i të afërmve edhe vet ish gardiani K.V. Ky ishte 24-orëshi i fundit i babait tim që iu pre jeta në mes në mënyrë kriminale dhe u zhduk në mënyrë misterioze trupi i tij i vdekur nga pushteti komunist i sapovendosur i Enver Hoxhës. Zoica thotë se jeta e tyre kaloi nën një kalvar të dhimbshëm e të mundimshëm mes një trajtimi të keq si reaksionar. Gjyshja deri sa vdiq e mbushte pjatën e gjellës me lot. Qante të tre djemtë e sajë, dy dëshmorët dhe armikun e pafaj e të pavarur. Por ama i trajtonin si reaksionar, por kurrë nuk u thanë një fjalë për babain.
Foto Nini u arrestua dhe u vra brenda natës, pa asnjë akuzë dhe pa poçes gjyqësor, në atë godinë të ndërtuar nga italianët dhe në vitet e para të çlirimit u kthye në degën e punëve të brendshme të Sarandës. U hodh në atë pus ku thotë se janë hedhur shtra e shumë të tjerëve. Dhë piëkrisht për këtë Zoica e ka një pytje që i drejtohet pushtetarëve e ish-pushtetarëve të dy kohëve: Pse heshtet për këtë pus-varr, cilat janë viktimat dhe pse u hidhen në atë pus kufomat e tyre?
Rrëfimi i Zoica Ninit bashkë me fotografitë, janë marrë në atikullin me titull: Pse heshtet për varrin masiv të viktimave të ish-degës së punëve të brendshme të Sarandës?!, botuar në gazeta Telegraf, me autor Agron Mema.