25 vite në burgjet komuniste/ Hyri i ri dhe doli plak nga qelitë e burgjeve të diktaturës komuniste
Në 2 nëntor të vitit 1946, u arrestua në Shkodër Ejëll Çoba, i biri i regjentit të Shqipërisë Gjon Çoba, dikur gjyqtar dhe avokat, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe ndihmësministër i Punëve të Brendshme. Arrestimi u bë pas vetëdorëzimit të tij, me marrëveshje, pas 2 vitesh arrati.
Ejëll Çoba u dorëzua në 10 janar 1947, ku hetuesi Abdyl Hakiu e mori në pyetje. E akuzua për “Për faje kundër popullit”, moskallëzim të sekreteve shtetërore, në kohën kur ishte pjesë e kabinetit të Mustafa Krujës, Maliq Bushatit, Rexhep Mitrovicës, si dhe për lidhje me Ballin Kombëtar, Legalitetin, etj.
20 maj 1947 - Pas 4 muajsh tortura nga më çnjerëzoret, Gjykata Ushtarake e Garnizonit Tiranë, e formuar prej major Gjon Banushit (kryetar), nëntoger Vasil Karajanit dhe aspirant Xhevdet Fishku (anëtarë) dhe me praninë e prokurorit kapiten Petrit Hakani, mori në gjykim 35 vjeçarin Ejëll Çoba.
28 maj 1947- Gjykata e shpall fajtor për disa akuza, edhe pse vetë Ejëll Çoba nuk pranoi asnjë prej atyre. Në bazë të nenit 16 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 dhe nenit 15 të ligjit nr.373, datë 12.12.1946, gjykata e dënon me vdekje. Vendimi ishte i formës së prerë.
30 maj 1947 - Nëna e Ejëllit, Pina Çoba, i drejton një letër Prokurorisë së Përgjithshme. Ajo i kujton se dekretligji nr.339, datë 28.10.1946 i falte jetën personit që ishte vetëdorëzuar. Në këtë mënyrë ajo kërkonte heqjen e dënimit me vdekje për djalin e saj.
16 Qershor 1947 - Vendimi i shkallës së parë i përcillet për gjykim përfundimtar Gjykatës së Lartë Ushtarake. Ky institucion, duke marrë parasysh atë që nuk kishte vlerësuar gjykata e një shkalle më poshtë, vendosi kthimin e dënimit nga me vdekje në burgim të përjetshëm.
8 prill 1970 - Komandanti i Repartit nr.321 në Burrel, Nazar Demiri plotësoi fletën e lirimit të daljes nga burgu të Ejëll (Engjëll) Çoba, 64 vjeç, pas 25 vitesh burg. Në këtë fletë shkruhej se Ejëll Çoba, në burg, kishte mbajtur qëndrim indiferent dhe se “lirimi bëhej për plotësim afati”.
“… Në kamp gjetëm edhe të burgosurit e Korçës dhe të Elbasanit. Baheshim gjithsejt 1500 të burgosun. U strehuem në do kapanone të mëdha, me nga 500 vetë në secilin. Kapanoni ishte i mbuluem me nji mushama sipër, kurse anët ishin me thupra e gjethe. Në anët e kapanonit shtriheshin dy pode dërrasash për secilën anë, njeni mbi tjetrin, e në mes shkonte nji rrugë e gjatë dy metra. Mbi këtë rrugë ishte ndërtue nji pod tjetër dërrasash, ku për të hypë duhej me u kacavjerrë në podet anësore e mandej me kërcye mbi podin e pestë, që ishte mbi rrugë… Me ne ndodheshin edhe dy të burgosun prej burgut të Durrësit, që ishin atë e bir. Njeni e kishte emrin Dhimitër Tirana. Nji ditë, tue u kthye prej pune, plaku mbeti në rrugë, s’mund të ecte ma e ra. Rojet iu lëshuan me shkopij. Shokët menjiherë lajmuen të birin që po vraponte me të tjerët. Ai u kthye menjiherë, e sadoqë rojet vazhdojshin t’i bijshnin t’et që të ngrihej, djali, nën breshninë e goditjeve, e ngarkoi babën mbi shpinë e nxitoi të arrinte shokët. Rojet vazhdojshin t’u bijshin djalit e plakut tue i britë: ‘Lëshoje, lëshoje!’. Në atë gjendje i ngarkuem, djali vazhdoi për kilometra me vrap deri në kamp. Mbas pak ditësh djali vdiq, por i biri na la nji shembull të shkëlqyem tue na tregue sa fuqi ka dashtnia për prindin… Të gjithë kishin shenja të dukshme lodhjeje. Disa mezi mbaheshin në kambë. Konstatova nji fenomen të panjohun prej meje. Përditë në mëngjes, para se të dilnim në punë, shihsha se ndonjeti i kishte ndryshue ftyra, bebet e synit i ishin hapë, përtonte edhe të përgjigjej po t’i bajshe ndonji pyetje, ecte si automat. Mbas pak ditëve, kur nuk shtrohej menjiherë në infermjeri, vdiste në kambë. Më kujtohet fare mirë nji fshatar nga burgu i Elbasanit. E kishin vu në majë të nji skarpate. Ku unë dhe disa të tjerë çojshim e derdhshim karrocat e dheut të gërmuem. Ai fshatari duhej ta përhapte e ta shtypte dheun me tokmak. Tue pa se nuk kishte fuqi, ia përhapsha unë dheun dhe kështu atij s’i mbetej veçse me e shtypë me tokmak. Por as këtë punë s’ishte në gjendje ta bante. Memzi qëndronte në kambë, i mbështetun me duer në tokmak. Rojet që kalojshin poshtë skarpatës, i thirrshin: ‘Luaj duart’ dhe e qëllonin me buca dheu. Ai i mjeri, ngaqë s’kishte ma fuqi, tentonte të ngrinte tokmakun, por ngrinte vetëm duert përpjetë, e shpejt i ulte në tokmak. Kështu kaloi të tanë ditën tue dihatë. Pesë minuta para se të binte bylbyli i mbarimit të punës, ra përdhe, kishte vdekë! Dhjetë orët e fundit të jetës së tij i kishte kalue me duer në tokmak, agoninë e kishte ba në kambë në krye të skarpatës… Nji fshatar, të cilit nuk ia mbaj mend emnin sepse s’e kisha njohë, vuente nga nervat. Nji ditë gjatë punës u largue dy-tri metra prej vijës së caktueme e hyni në nji arë me misër. Roja e jashtme i foli, por ai qëndronte në kambë i hutuem në mes të misrit. Shokët e thirrshin të kthehej këtej vijës, por ai kqyrte, nuk përgjigjej e nuk lëvizte. Ishte e qartë se nuk ishte në vete. Roja e jashtme shtiu nja 10 herë me mashinkë në ajër. Na, me gjithë rojet e brendshme u futëm të gjithë në kanal për të shpëtue nga plumbat. Mandej njena nga rojet e brendshme u muer vesh me ate të jashtmen e doli dhe e mori për dore atë fshatarin dhe e pruni këtej vijës pa asnji kundërshtim. Në ate moment ia mbrrini drejtori i kampit, Tasi Marko, që po kontrollonte bashkë me tetar Aliun nga Lushnja. Ndërsa drejtori po fliste me fshatarin, tetari i ra këtij me shkop në kokë. Fshatari ra në gjunj, u ngrit e bani dy hapa. Tetari i ra prap me shkop në kurriz. Fshatari ra prap e u shtri. Kishte vdekë. Drejtori dha urdhën që trupin e tij ta vejshin në rranzë të nji peme që ishte aty afër. Ne na dhanë urdhën të vazhdojshim punën e drejtori me tetarin vazhduen inspektimin e punimeve. Në heshtje të madhe vazhduem punën me nervozitet. Ndigjoheshin vetëm krismat e kazmave, të lopatave e të tokmakëve; rrotat e karrocave fërkonin me forcë boshtin. Mbas nji ore dëgjuam nji batare mashinke. Të gjithë ndaluen punën. Dy-tre qind metra larg vendit ku isha unë, nji roje kishte shti e kishte vra nji të burgosun. Menjiherë e pa na thanë kush gja, rifilluem në heshtje punën e ndërpreme për nji minutë. Vesh në vesh u hap fjala se nji i burgosun nga rrethet e Krujës, nji zogist si thojshin, ishte largue nga puna për nevojë, por pa kalue shenjat e vijës së lejueme. Roja e brendshme i kishte thanë rojes së jashtme të shtinte në të burgosun. Roja e jashtme kishte refuzue, tue thanë se ishte brenda vijës së shenjueme. Atëherë roja e brendshme i kishte kërkue mashinkën rojes së jashtme dhe kishte shti në të burgosunin tue e lanë të vdekun në çast. Unë pashë që katër të burgosun sollën trupin e të vdekunit pranë pemës ku ishte edhe i vdekuni tjetër. Puna vazhdonte, 1500 të burgosun të heshtun punonin ma me forcë se kurrë!
Nji orë para se të binte bilbili i ndalimit të punës, nji roje i dha urdhën nji grupi puntorësh aty afër meje të hapnin nji gropë në skarpatë. Katër skuadërkomandanta të burgosun, sollën dy të vdekunit tue i kapë për kambësh e për duersh. Mandej tue i luhatë si lavjerrësa i hodhën njenin mbi tjetrin në fund të gropës. Roja u dha urdhën atyne që e kishin hapë, të mbushnin gropën me dhe. Të nesërmen, kur u kthyem prapë në atë vend për të vazhdue punimet, nuk dijsha me e gjetë vendin se ku ishin varrosë dy fatzezët, viktima të kota të nji urrejtjeje të pakuptim e të paqëllim! Sado të egër ta kisha mendue shqiptarin, kurrë nuk do të kisha mbërrijtë me e përfytyrue të tillë. Më vinte turp se jam njeri!”.
(Ejëll Çoba, Jetë e humbun)
MARRË NGA LIBRI ''JETË E HUMBUR''